Kur Kosova bën kryeneçen dhe… ndaj Shqipërisë

6cad62e2-9151-4d26-8519-1a43e383c65e-0.jpg

Shkruan: Mentor Nazarko

E lodhur nga frustrimi që krijon izolimi i vendit, mungesa e liberalizimit të vizave dhe bllokimi që i bën Serbia në rrethana të ndryshme, papritur Kosova po bën kryeneçen në forume rajonale dhe ato me BE-në. Nuk e duam heqjen e barrierave doganore, apo krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Marrëdhëniet janë asimetrike, sepse Bosnja dhe Serbia na bllokojnë në marrëdhëniet dypalëshe, kështu që ne jemi kundër kësaj inisiative-thonë autoritetet kosovare.

Kosova me të vërtetë po përjeton një izolim të tmerrshëm. Në mes të Evropës, qytetarët e saj, të vetmit në Evropë, vuajnë mungesën e qarkullimit të lirë dhe u duhet të mbushin dhjetëra shkresa, të harxhojnë shumë para për legalizime dokumentesh, të bezdisin mikpritësit me nënshkrime garancish për një vizë të thjeshtë. Kriza e krijuar prej mosratifikimit të demarkacionit si pasojë e bllokadës së opozitës, e largoi perspektivën e liberalizimit. Por jo vetëm kaq: Serbia bën gjithçka për ta penguar Kosovën brenda organizatave ndërkombëtare, duke ia bërë jetën të vështirë shtetit të ri dhe ndërmarrësve apo qytetarëve të saj.

Kosova ngjan se do të heqë këto bllokada duke menduar se pikërisht kundërshtimi që i bën kësaj inisiative të Bashkimit Evropian është leva me anë të së cilës të imponojë pozicionin e vet, për të rritur autoritetin e saj rajonal, apo të përmirësojë statusin e qytetarëve të vet.

Nga ana tjetër, kundërshtimi shikohet dhe si diçka me refleks të brendshëm, domethënë për t’u përdorur në konfliktet partiake brenda Kosovës: si pretekst për dështimin në liberalizimin e vizave, gishti i fajtorit vendoset tek Evropa. Anipse kjo përplasje nxit frymën antiperëndimore mes qytetarëve. Në optikë autoreferenciale madje kjo lëvizje kundërshtohet, sepse sipas pretendimeve të kryeministrit dhe presidentit të Kosovës është “rikrijim i Jugosllavisë së vjetër minus Kroacinë dhe Slloveninë, plus Shqipërinë”.

Por me gjithë këtë, në kundërshtimin që Kosova i bën kësaj inisiative përkohësisht apo përfundimisht, ka shumëçka irracionale.

Së pari, ky kundërshtim e vendos në pozitë të vështirë Shqipërinë e cila e ka mbështetur idenë evropiane. Përballë audiencës shqipfolëse, madje ngjan sikur Shqipëria 25 vjet pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë dashka rikrijimin e saj, dhe inglobimin e vet brenda. E gjithë kjo nxit thurjen e konspiracioneve: harrohet shumë shpejt përplasja e Ramës me Vuçiçin në Beograd për çështjen e njohjes së Kosovës dhe mirëkuptimi i tyre personal nën tutelën e Merkelit paraqitet si bazë nxitëse për këtë rikrijim të ish-Jugosllavisë. Dhe që bekohet nga Bashkimi Evropian, i cili, sipas politikanëve kosovarë, madje llaston Beogradin.

Së dyti, duke mbetur tek marrëdhënia ndërshqiptare, ky kundërshtim tregon qartë se midis Shqipërisë dhe Kosovës mungon të paktën për këtë temë, koordinimi diplomatik. E vërteta është se Kosova, veçanërisht pjesa e lidhur me PDK-në, e ka bërë të qartë se nuk pranon protagonizmin e Shqipërisë përkundrejt Serbisë, duke e konsideruar publikisht si paternalizëm të vendit amë, që nuk e “njeh Serbinë dhe serbët”.

Së treti, kjo kundërvënie tregon se midis Kosovës dhe Shqipërisë, ai plan për Bashkim ekonomik kombëtar, propozuar fillimisht nga Arbën Xhaferri, konkretizuar nga ish-Presidenti Pacolli dhe rimarrë fuqishëm nga Edi Rama, ka mbetur në vend, ose ka përparuar pak. Nuk janë krijuar subjekte ndërshqiptare ekonomike, barrierat ekzistojnë dhe ende hapësirën tonë kombëtare e dominojnë lojtarët serbë në tregtinë me shumicë, apo në energjitikë. Në bashkëpunim me lojtarë monopolistë shqiptarë që kontrollojnë tregti të caktuara, industri të caktuara, media të caktuara. Nëse ky Bashkim do kishte ecur më shpejt, me siguri ideja e kësaj iniciativë ballkanike do të ecte më shpejt dhe pa kundërshti: shqiptarët do shfaqeshin si lojtarë të rëndësishëm të hapësirës ballkanike.

Së katërti, kjo kundërvënie tregon dëshpërim dhe me gjithë momentin taktik që qëndron prapa saj, nuk ngjan se tema e zgjedhur është më e përshtatshmja për t’iu kundërvënë Evropës. Ideja në fjalë nuk nënkupton fare Union Doganor, nuk nënkupton institucione të përbashkëta ballkanike, dhe kësisoj asnjë lloj modeli të ngjashëm me Unionin Evropian apo me ish-Jugosllavinë e dikurshme. Përkundrazi: kjo është një ide e hershme e propozuar dikur nga Soros, por dhe nga vetë Bashkimi Evropian për vende aspirante të një pellgu gjeografik me vende të vogla. Më parë këto vende duhet të harmonizojnë legjislacionin, të sheshojnë mosmarrëveshjet mes tyre, të përmirësojnë klimën ndëretnike, duke prodhuar interesa të përbashkëta ekonomike.

Së pesti, Bashkimi Evropian nuk ka kurrfarë ideje të krijojë ndonjë ish-Jugosllavi dhe t’i veshësh atij një ide të çuditshme si kjo, është vetëshkatërruese për Kosovën. Kjo gjuhë, ky kundërshtim e kundërvë Kosovën ndaj Perëndimit që e krijoi si shtet dhe që as ka ndërmend ta shkatërrojë krijesën e vet.

Do të ishte logjike të kundërshtohej kjo inisiativë nëse prapa kundërshtimit do kishte logjikë ekonomike: ta zëmë nëse demonstrohet se nga ajo fitojnë kompani serbe. Mirëpo kjo ngjan paradoksale. Në situatën ekzistuese të tregut në Kosovë, është krejt e qartë se biznesi serb dominon në tregtinë me pakicë, nëpërmjet bashkëpunimit me partnerë shqiptarë. Nga zëra seriozë po shtrohet shqetësimi madje se mallrat serbe me etiketa shqiptare duhet të konsiderohen të frikshme për shkak të cilësisë së diskutueshme të tyre nga prodhuesit serbë: buono per Albania, ose buono per Kosovo.

Gjithsesi, as BE-ja nuk po ecën shpejt me këtë ide, dhe as Kosova nuk po kundërshton seriozisht, sepse është në fushatë elektorale. Madje dhe Serbia me Vuçiçin po flet për ndryshim të kushtetutës dhe njohje indirekte të Kosovës…

Komentet
Top