Lëvizja BESA pro aplikimit fetar në shkollat e Maqedonisë – VIDEO

thumbnail_Levizja-BESA.jpg

Partitë politike kërkojnë respektimin e Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve si mekanizëm për parandalimin e ritualeve fetare nëpër kopshtet për fëmijë dhe shkollat fillore. Konkretisht për rastin e kopshtit Bleta në lagjen Gazi Babë të Shkupit, aty ku ditë më parë u denoncua se përveç aktiviteteve arsimore-edukative mësohen edhe rituale fetare, partitë kërkojnë që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe dikasteret e tjera të veprojnë në pajtim me ligjin. Nga BDI thonë se për kopshtin Bleta nuk kanë informacione të sakta dhe se kjo vjen si pasojë se i njëjti është jashtë sistemit zyrtar për edukim.

“Jemi kundër organizimeve jashtë-institucionale të edukimit pasi që devijimet eventuale nuk mund të identifikohen e as të parandalohen”, thanë nga BDI.

Alsat kërkoi edhe qëndrimin e LSDM-së dhe Aleancës për Shqiptarët si parti qeveritare, por as partia e Kryeministrit Zoran Zaev dhe as koalicioni i LR PDSH-së, Unitetit dhe RDK-së nuk shprehën qëndrimin e tyre në lidhje me rastin e kopshtit Bleta. Nga ana tjetër partitë opozitare kanë qëndrime të ndara. VMRO-DPMNE-ja duke akuzuar për neglizhencë Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale kërkon masa konkrete nga ky dikaster.

“Është e patjetërsueshme që në raste të tilla të respektohet ligji. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale duhet të ndërmerr masa konkrete dhe të veproj sipas ligjit”. U shprehen nga VMRO-DPMNE.

Lëvizja Besa ndërkohë thotë se sistemi arsimor në Maqedoni duhet ndërtuar mbi bazat e shoqërisë së virtytshme dhe vlerave morale.

“Se cili është koncepti të cilin ne e preferojmë, atë mund te gjeni të detajuar në dokumentet tona bazë, por edhe në platformën zgjedhore”, thanë nga Lëvizja Besa.

Në platformën zgjedhore të Lëvizjes Besa, në pjesën për mësim-besimin fetar rekomandohet që bashkësitë fetare dhe institucionet shtetërore të bashkëpunojnë në drejtim të aplikimit të këtyre lëndëve.

“Lënda e mësim- besimit ose Etika e religjioneve është një lëndë që ndihmon edukimin e gjeneratave të reja, por ajo duhet të jetë në funksion të respektit dhe mirëqenies ndëretnike dhe ndërfetare në Maqedoni. Në bashkëpunim edhe me bashkësitë fetare në vend, shteti duhet të merret seriozisht me silabuset e kësaj lëndë që ajo t’i shërbejë dashurisë dhe fisnikërimit të jetës së qytetarëve të saj”, theksohet në Programin zgjedhor të Lëvizjes Besa.

Kopshti Bleta funksionon që nga viti 2014. Përveç aktiviteteve edukativo-arsimore në këtë kopsht mësohen edhe ritualet fetare islame, si namazi, këndimi Kuranit dhe praktikat e Haxhit./Alsat

Komentet
Top