LSDM stopon punësimet në administratë, edhe pse nuk është realizu Marrëveshja e Ohrit

administrate-640x382.jpg

Zyrtarisht në administratën shtetërore në Maqedoni ka 127 mijë të punësuar, prej të cilëve në variantin më pozitiv 20 mijë janë shqiptarë. Duke pasë parasysh se për arritjen e përfaqësimit adekuat prej 25 për qindëve, sa është numri zyrtar i shqiptarëve në Maqedoni, përfaqësimi i shqiptarëve duhet të shkojë në 31 mijë, kjo do të thotë se në bazë të Marrëveshjes së Ohit duhet të punësohen së paku edhe 11 mijë shqiptarë në administratën shtetërore të Maqedonisë.

Mirëpo nga qeveria e Zaevit nuk vijnë mesazhe inkurajuese për respektim të këtij parimi të Marrëveshjes së Ohrit.

Ministri për shoqëri informatike dhe administratë, Damjan Mançveski madje ankohet se numri i tanishëm i të punësuarëe në administratë është tepër i madh, prandaj nevojiten reforma.

“Administrata publike është e partizuar, përballet me mbipunësim, pa kuadro të mjaftueshme profesionale dhe kuadro nga sektori IT, prandaj nevojitet reformë e menjëhershme”, deklaroi ministri Mançveski.

Sipas tij, reformat kanë filluar nga viti 1999 dhe nuk po realizohen me efikasitet, prandaj duhet të definohet afati i fundit dhe të miratohet strategji për reforma. Pjesë e reformës është edhe orari fleksibil i punës për administratorët – nga ora 7 e 30 deri në ora 15 e 30 minuta dhe nga 8 e 30 deri në ora 16 e 30 minuta.

Sekretari i përgjithshëm i qeverisë, Dragan Rashkovski, thekson se problemet në institucione janë të ndryshme. Diku ka mbipunësim, diku ka mungesë, prandaj është i nevojshëm transferimi.

“Ka edhe të punësuar me shkollim joadekuat, të cilëve nuk mund t’u gjendet vend pune konform arsimimit të tyre. Në administratën e qeverisë aktualisht ka 289 të punësuar, kurse 72 prej tyre duhet të shpërndahen në vende ku ka nevojë për ta”.

As sinjalet nga politika shqiptare nuk janë pozitive për të rinjtë shqiptarë që presin punësim në administratë. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kohën e fundit më tepër preferon të realizojë takime për Marrëveshjen e skaduar të Përzhinës, se sa për Marrëveshjen e Ohrit. Në ndërkohë kanë kaluar gati dy vite pa u shpallur konkurs për punësim të shqiptarëve në bazë të MO-së. Krejt kjo neglizhencë dhe ky joseriozitet mund t’i nxisë shqiptarët në protesta masive, duke pasë parasysh se numri real i të punësuarve në administratë është rreth 180 mijë, kurse numri real i shqiptarëve në Maqedoni së paku 33 për qind (që do të thotë së paku 40 mijë shqiptarë të punësuar në administratë). Krejt këto shifra flasin se nuk është realizuar as gjysma e përfaqësimit adekuat të shqiptarëve në administratë, që është një nga parimet themelore të MO-së.

Komentet
Top