Maqedoni, deri në tetor nuk mund ta kemi ligjin për gjuhën shqipe

gjuha.jpg

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë, Bujar Osmani deklaroi se deri sa zgjat debati në Kuvend do të arrijë draft-rekomandimi nga Komisioni i Venedikut në të cilin pritet të shqyrtohet ligji i gjuhëve në Maqedoni pas të cilit do të vijon procedura që i njëjti të propozohet nga Qeveria në Kuvendin e Maqedonisë ku edhe miratohet.

“Deri sa zgjat debati në Kuvend, do të arrijë rekomandimi nga Komisioni i Venedikut”, tha Osmani.

Mirëpo, portalb duke shqyrtuar rendin funksionues dhe organizativ të Komisionit të Venedikut për të kuptuar se deri kur më së voni mund të arrijë draft-rekomandimi nga ky Komision, vërejtëm se i njëjti në vit parasheh katër seanca plenare, në mars, qershor, tetor dhe dhjetor.

Duke parë se draft-rekomandimi i Komisionit të Venedikut vjen pas diskutimeve të autoriteteve ndërkombëtare, palëve të interesuara në shtet dhe i njëjti miratohet nga Komisioni i Venedikut gjatë sesionit plenar që mbahet katër herë në vjet, kuptuam se draft-rekomandimi për gjuhën shqipe nga Komisioni i Venedikut nuk mund të përpilohet më herët se në tetor, kur edhe parashihet të jetë seanca e ardhshme.


Komisioni i Venedikut historikisht është shpërfillur nga pushteti i deritashëm maqedonas

Mirëpo, në Maqedoni këto këshilla të propozuara nga Komisioni i Venedikut në mënyrë kronologjike kanë qenë të shpërfillura me çka nuk përjashton mundësinë që e njëjta të ndodh edhe draft-rekomandimin për gjuhën shqipe.

Komisioni i Venedikut në bashkëpunim me OSBE/ODIHR në vitin 2009 pati miratuar opinion-draft për ndryshime në kodin zgjedhor të cilat ndërlidheshin me mirëmbajtjen dhe funksionimin e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, mirëpo disa prej këtyre rekomandimeve në këtë opinion-draft edhe sot e kësaj dite janë të parealizuara, siç qëndron puna me përfaqësimin adekuat të gjinisë femërore në lista zgjedhore.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me kërkesën e tij sa i përket kategorizimit të “bombave” si dëshmi hetimore. Edhe pse shpesh herë u diskutua në opinion dhe u kërkua nga faktori politik dhe gjyqësor që të njëjtat të përdoren si dëshmi në procedura hetimore, sërish “bombat” edhe sot e kësaj dite anashkalohen nga sistemi gjyqësor në shumë raste hetimore.
Komisioni i Venedikut u shpërfill edhe në nivel ballkanik

Duke pasur parasysh se ai ka karakter këshillues dhe jo detyrues, me mospërmbushjen dhe realizimin e propozimit të tij do të pasohen sanksione, Komisioni i Venedikut u shpërfill edhe nga Shqipëria.

Ky Komision në vitin 2009 miratoi opinion-draft për zgjedhjet në Shqipëri, ku edhe pse u propozuan shumë ndryshime në Kodin zgjedhor sa i përket listave të hapura, ata nuk kanë gjetur zbatim as deri më sot.

Ngjashëm Komisioni është marrë në konsideratë edhe në Mal të Zi e Serbi, kurse ndryshe në Bosnje e Hercegovinë ku ndikoi në mbajtjen e referendumit.


Çfarë është Komisioni i Venedikut?

Quhet Komisioni i Venedikut ngaqë është themeluar në Venedik ku edhe mbahen seancat plenare.

Komisioni i Venedikut është formuar në vitin 1990 në periudhën e përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe paraqet organ të Këshillit Evropian i cili u formua me marrëveshje të 18 shteteve anëtarë të Këshillit Evropian dhe 50 vendeve jo anëtare të 4 kontinenteve tjera që ka detyrë përshtatjen e kushtetutave dhe ligjeve të vendeve të caktuara të cilat kanë për qëllim parandalimin e konflikteve pas miratimit të ligjeve të caktuara paraqet organ institucional në kuadër të Këshillit Evropian.

Ky komision në përbëhet nga ekspert të pavarur nëpërmjet eksperiencës në vendet demokratike dhe në zgjerimin e ligjit dhe shkencës politike.

Puna e këtij Komisioni fokusohet në Asistencën dhe adoptimin kushtetues të shteteve, procesin zgjedhor dhe referendumin si dhe bashkëpunimin me gjykatat kushtetuese si dhe studimet ndërkombëtare.

Detyra e komisionit të Venedikut është që të ofrojë këshilla ligjore për vendet anëtare në lidhje me ligjet që janë të rëndësishme për funksionim demokratik, institucional dhe gjeopolitik të një shteti.

Përndryshe, draft-rekomandimi për ligjin e gjuhëve nga Komisioni i Venedikut fillimisht do të shqyrtohet në seancë qeveritare. Pasi shqyrtimit në seancë qeveritare ligji i propozohet Kuvendit i cili në seancë plenare duhet ta vendos në rend dite që i njëjti të votohet nga deputetët.

Ligji për gjuhën shqipe miratohet me votim të 61 deputetëve.

Kujtojmë se ligji për gjuhën në Komisionin e Venedikut u dërgua me kërkesë të eurokomesarit për zgjerim dhe fqinjësi Johanes Han, me qëllim që të shmangen pakënaqësitë dhe dilemat për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e të njëjtit.

Komentet
Top