Maqedoni/Paratë e pista, politikanët e korruptuar do humbasin edhe shtëpitë

parlamenti_i_maqedonise_e1332876121895_315322257.jpg

Kryeministri Zoran Zaev ka filluar përgatitjet e strategjisë për hetime financiare dhe konfiskim të pasurive të pa justifikuara të politikanëve të kriminalizuar, njofton agjencia e lajmeve INA.

Përmes kësaj stategjie e cila është pjesë e planit qeveritar 3-6-9 do të ngushtohet laku për funksionarët dhe ish-funksionarët, të cilët kanë përvetësuar paratë e qytetarëve dhe pasuritë publike, me anë të praktikave korruptive.

Deputetëve, ministrave dhe ish-ministrave, drejtorëve dhe ish-drejtorëve, gjyqtarëve, prokurorëve etj., të cilët kanë shpërdoruar apo fshehur paratë e korrupsionit, do t’u konfiskohen pasuritë e tjera të ligjshme, me vlerë ekuivalente.

Kështu parasheh strategjia e re, e cila i ngjanë ligjeve anti-mafia që janë përdorur në vende të ndryshme të Evropës dhe në rajon.

Masa e konfiskimit urdhërohet pas kryerjes së hetimit dhe dëgjimit të konkluzioneve të prokurorit dhe palëve të paraqitura në gjyq.

Por, njohësit e cështjeve juridike theksojnë se kjo strategji mund të gjej zbatim nëse pavarësohet sistemi i jurisprudencës.

Prokurorja Speciale Publike, Katica Janeva është shprehur e bindur se asnjë person, i cili ka dëmtuar buxhetin e shtetit nuk mund të ikë nga konfiskimi i pronës që e ka përfituar në mënyrë kriminale.

Ekspertët druajnë se një pjesë e madhe e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme është nxjerrë jashtë shtetit, gjë që do ta vështirësojë procesin e kthimit të pronës në duart e qytetarëve nga keqbërësit.

Ndryshe, deri më tani prona i është konfiskuar vetëm një politikani, përkatësisht Lube Boshkoskit, drejtues i partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, i cili njëherësh është edhe ish-ministër i Punëve të Brendshme.

Gjykatat në Maqedoni, masën për konfiskimin e pronës, kryesisht e kanë shqiptuar gjatë procesi të tranzicionit, kur prona shtetërore kalonte në duart e sektorit privat.

Së fundmi, Prokuroria Speciale Publike, e cila ka ngritur dhjetëra padi ndaj ish-zyrtarëve të lartë të shtetit për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, ka kërkuar ngrirjen dhe konfiskimin e pronës në shumë raste, por gjykatat i janë përgjigju pozitivisht kësaj kërkese vetëm në një rast, përkatësisht me kompaninë “Transmet”, të drejtuar nga Sead Kocan për të cilin rast ka ngritur padi Specialja.

Por, shumë raste kanë mbetur të pa zgjidhura, sikur TAT, Telekom, rasti Metodija Smilenski etj.

Komentet
Top