Martesat mikse, shqiptarët me “të tjera”

0-19.jpg

Nëse më shumë se pesë për qind e shqiptarëve që martohen brenda një viti preferojnë një bashkëshorte jo shqiptare, nga të dhënat statistikore nuk mund të saktësosh se për cilën kombësi bëhet fjalë. Sipas të dhënave, në kategorinë “të tjera”, ku figuron edhe numri më i madh i partnereve në kurorë, nuk jepet ndonjë sqarim tjetër, përveç shifrës 164 kurora me meshkuj shqiptarë.

Metodologjia e Entit të Statistikave tek kategoria “Të tjera” përfshin deklarimin e një përkatësie etnike që nuk është e regjistruar në Maqedoni, ose që deklaruesi nuk e përkufizon në mënyrë të mirëfilltë, që në të shumtën e rasteve e nënkupton si përkatësi e huaj.

Në top listën e preferencave, pas shqiptareve dhe “Të tjera”, janë edhe femrat me kombësi turke (36 kurora), maqedonase (19 kurora), serbe (9 kurora), rome (6 kurora). Një tjetër pasqyrë preferencash kemi tek të sapomartuarat shqiptare. Kategoria “Të tjera”, që radhitej e para sa i takon përkatësisë etnike të bashkëshortes tek të sapomartuarit meshkuj, renditet e fundit tek femrat. Pas martesave shqiptare me shqiptar, tek të sapomartuarat renditet dhëndri me kombësi maqedonase (89 kurora). Edhe pse nuk jepen detaje për shtetësinë, shifrat janë të tilla edhe si pasojë e numrit të shtetasve nga Shqipëria që martohen me maqedonas. Po ashtu si dhëndurë të preferuar janë edhe turqit (42 kurora), boshnjakë e serbë.

Numri i martesave tek shqiptarët në përgjithësi ka pësuar rënie, sidomos në disa qytete, ndërsa në total numërohen mbi 4500 martesa, ose më shumë se 34 për qind e numrit të përgjithshëm të martesave që janë bërë në rang vendi. Maqedonasit zënë pak më shumë se gjysma, ose 54 për qind të martesave në numrin e përgjithshëm. Pas martesave maqedonas-maqedonase, serbët dhe serbët mbeten si etnitë më të preferuara për të dyja gjinitë.

Karakteristike për të sapomartuarat maqedonase, për dallim nga ato meshkuj është se tendencat anojnë nga zgjedhja e bashkëshortit me kombësi të njëjtë. Më pak tendenca për të lëvizur jashtë kombësisë kanë turqit, të cilët kanë përqindjen më të vogël të martesave me etni tjetër. Por mes kombësive të tjera ata preferojnë më shumë shqiptaret (42 kurora).

Sa i takon divorceve, të cilat në total kanë shënuar një rritje vitin e kaluar, duke arritur në rreth dy mijë shkurorëzime deri në fund të vitit të kaluar. Interesante tek çiftet shqiptare është se divorcet përbëjnë vetëm 27 për qind të numrit të përgjithshëm, ndërsa maqedonasit participojnë me të njëjta shifra, si në martesa, ashtu edhe divorce, ose mbi 56 për qind e numrit të përgjithshëm. Por sa jetëgjatë janë kurorat me bashkëshort të huaj? Tek shqiptarët nëse martesat me femra që nuk janë shqiptare përbëjnë pesë për qind të numrit të përgjithshëm të kurorave, divorcet me të huajat janë dy herë më të larta, ose 11 për qind./Koha

Komentet
Top