Mbi heroizmin në shoqërinë tonë

benjamin-ferati-almakos.jpg

Nga Filip Çakuli

Shtypi shqiptar është i mbushur me lajme për heroizmin nga nevoja për t’u lexuar. Në krye të radhëve shfaqen për shembull titra se “Selami kreu një akt heroik”, se guxoi të kritikonte edhe Berishën. Edhe Kreshniku u trajtua si hero, që braktisi politikën një herë e përgjithmonë.

Po edhe kryeministri na doli hero kombëtar, që së bashku me heronjtë e tjerë rilindas, ia doli mbanë në një fushatë heroike me një tepsi dhe një kazan në dorë. Këtu nuk futen heronjtë e dekoruar nga Presidenti dhe as futbollistët e kombëtares…të cilët janë dhe heronj me letra.

Në suazën e këtij heroizmi të përgjithshëm, një djalë nga Tetova, që pushonte në Zvërnec të Vlorës, u hodh ne dallgët e detit, për të shpëtuar dy vajza që po mbyteshin. Dhe nuk doli më. Dha jetën, për të shpëtuar dy jetë te tjera. Ky akt vërtet heroik i tij, kaloi në heshtje nga mediat tona. Sepse atë ditë te sakrificës sublime të Beniaminit tetovar, shtypi u mor me ngjarje te tjera të rëndësishme; me takimin e Selamit ne Tropojë, çfarë u tha Basha demokratëve në Durrës, pse hesht Berisha për zgjedhjet brenda partisë së tij, (çudi me këtë lider histerik, kur flet i thonë kush e dëgjon atë, kur hesht, pse nuk i ndihet zëri).

Lajm ishte atë ditë dhe kapja e një sasie droge, po në Vlorë, lajm edhe pse ia mbajti kaq gjatë të shtrënguar dorën Trumpi, presidentit francez, po ndërkohë shqiptarët ishin të interesuar atë ditë pse Muç Nano nuk binte dakord me Tos Lubonjën dhe Andi Bushati ishte kundër të dyve…

Pra, përpos gjithë këtyre lajmeve me heronj politikë protagonistë, lajmi i madh i ditës, i aktit të lartë të Beniaminit, kaloi në heshtje. Njeriu i ditës duhej të ishte ky djalë i mrekullueshëm, që la të fejuarën në breg të detit dhe u nis, pa e ndjerë që nuk do kthehej më.

Akti i tij human dhe fisnik u mbyt në “kazanin tone” mediatik (në këtë rast vërtet e meriton një emërtim të tillë). Beniamini meritonte tërë mirënjohjen tonë, jo vetëm të mediave, po edhe të shtetit. Sepse është e pafalshme për ne të gjithë, përcjellja e tij si një viktimë e “seksit mashkull” e mbytur në Zvërnec, sipas njoftimit të policisë.

Në fakt ai është i vetmi hero i këtyre ditëve, që sakrifikoi jetën e tij të porsa nisur, për jetë të tjera, që as nuk i njihte…Heronjtë e shtypit tonë, sakrifikojnë nervat tona, për gjëra që është heroizëm, po arrite ti lexosh deri në fund.

Komentet
Top