Më 2 gusht mund të lidhet koalicioni LAA dhe Vetëvendosje

auto_milaim-zeka-1077x6361493836222-640x378.jpg

Deputeti i zgjedhur i Nisma për Kosovën, Milaim Zeka ka thënë se me datën 2 gusht mund të lidhet koalicioni LAA dhe Vetëvendosje.

Zeka ka thënë se takimi i kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri dhe atij të AKR-së, Behgjet Pacolli gjatë ditës së sotme nuk ishte vetëm për “kafe” siç kanë deklaruar ata, por pikërisht për të lidhur një marrëveshje.

Sipas tij, tashmë kjo marrëveshje është arritur dhe mbetet vetëm që të zyrtarizohet me shkrim me datën 2 gusht, më saktësisht një ditë para mbajtjes së seancës konstituive, njofton Klan Kosova.

Zeka ka thënë poashtu se me këtë marrëveshje që sipas tij do të ndodhë, zhvillimet politike do të marrin kahje tjetër.

Më poshtë statusi i plotë:

Me datën 2 gusht mund të lidhet koalicioni LAAN-VV.

Pacolli është takuar sot me kryetarin e Lëvizjes VV, jo për “kafe” qysh deklaroi ai. Sa për kafe, ma mire ishte takuar me mua.

Qëllimi i takimit ka qenë arritja e koalicionit në mës VV dhe AKR, duke përfshirë edhe LDK-në. Kjo marrëveshje, gojarisht, është arritur, me shkrim do të bëhet me datën 2 gusht.

Pacolli ka garantuar krerët e VV-së se Isa Mustafa do ta pranojë këtë ofertë.

E gjithë kjo flet për një krizë të thellë nga të dyja anët. Po të ishin punët në terezi në kampin kundërshtar të Ramush Haradinajt, takimi Pacolli-Ymeri s’kishte pse me ndodhë. Po të ishin punët në terezi në çadrat e Isa Mustafës, s’kishte pse të pihej kjo kafe, s’do duhej që Mimoza Kusari ta kritikonte Labinot Tahirin, i cili pas kësaj kritike lajmëroi për “dhimbje veshkësh”, as nuk do të nervozohej ish-kryeministri me meshkujt dhe nuset e partisë së tij.

Nëse krijohet kjo marrëveshje me 2 gusht, zhvillimet politike do të marrin kahje tjera politike. Ka mundësi që edhe NISMA të dalë me një propozim të vetin për kryetar të Parlamentit, pasi që ky post i takon PAN-it po jo PDK-së.

Komentet
Top