Meliza dhe Dimali janë një

562X315751628_xhemal_259425278.jpeg

Autor: Xhemal Ahmeti

Debati në relacionin diasporë – vendorë dëshmoi: se jemi Një! Aty ku është shteti shqiptari përparon edhe më shpejtë se tjerët. Aty ku nuk është ai vijnë edhe nga Zululandi për të provuar shpejtësinë e veturave të blera në perëndim «occassion» duke rrezikuar edhe jetën e vetë dhe tjerëve. Gjurmëve të një debati ndërmjet të barabartëve.

Kur plas një konflikt i involvuari i ka dy mundësi: të anoj për njërën palë, duke rras thikën edhe më thellë në plagë ose të bëjë çmos për t’ia krijuar vetes një pasqyrë objektive për atë çka ngjet rreth tij. E dyta është e vetmja mënyrë që të shpëton mos ardhangesh përroit të flakëpërdhosësit.

Kalamitetin retorik ndërmjet dy kategorive imigrantë – vendës e shkaktoi një zonjë fillimisht anonime me emrin Meliza Krasniqi. Ajo egofonishëm e me një fjalor si ai i Kalibanit në dramën «Tempest» të Shekspirit u bë abecedarja e të këqijave të njerëzve të diasporës, duke i vlerësuar sikur të ishin në Casting për në Abad-in hebraik; të pashkollë, të pashije, hajna (ku i merrni paret për vetura) dhe të llojit. Dikur u mor vesh zonja ofenduese të jetë e familjes së ish poetit dhe dramaturgut Milazim Krasniqi, respektivisht e shoqja e «prontoministrit» Memli K. dhe nga këtu Backlash-i u shndërrua në thertore figurash, gjenesh e biografish.

Në formë më të kulturuar e shkrim më të bukur reagimin medial e bëri autori Dimal Basha. Në esencë një lexim-levitësh palës tjetër duke i barazuar të gjithë me Burdushin, Grabovcin, Mzinjtë – trinitet pra i aluduar, sugjeruar si skuadra e dështimit multidimensional të shoqërisë kosovare.

Vërtet ku është problemi dhe për cilat dukuri bëhet fjalë?

Gjithçka sillet rreth kodit «Kosova problem» që e përdorkan imigrantët kur kalojnë pushimet në vendin e tyre të origjinës.

Po a është Kosova problem? Po.

E kosovarët a vazhdojnë të jenë problem në shtetet e perëndimit?

PROBLEME DIASPORE

Deri para dy tri vitesh policia zvicerane e komunikacionit ishte në luftë me garuesit kosovarë autostradave helvetikase. Ndër vite pati plotë viktima. U deshën dënime drakoniane dhe kërcënime të tipit «ju kthejmë me gjithë familje» që dukuria të përmbyllej. Shkelësit më të mëdhenj të rregullave të komunikacionit në Zvicër janë jozviceranë. Tendenca njihet edhe në vendet tjera të perëndimit. Dhe pikërisht kjo sjellje e imigrantëve në komunikacion ishte arsyeja e parë pse u krijua një revoltë që shpërtheu primitivshëm në tekstin e zonjës Krasniqi.

Deri para 5 vitesh gjuha më e folur, zyrtare, burgjeve të perëndimit ishte shqipja. Shumica e gjeneratës së parë të ikur politikisht deri sa u pensionuan mbetën raste sociale, pa gjuhë dhe të izoluar. Gjenerata e parë e mërgimtarëve duhej të kryej punët më të  rënda që t’i hap udhë sistemimi gjeneratës së dytë. Natyrisht me përjashtime, por jo aq masive sa për ta quajtur normalitet integrimin në vendet përkatëse.

Sot Zvicra ka po të njëjta probleme me radikalizmin fetar (organizata radikale e njëfarë Nicholas Blancho ku kanë ligjëruar edhe Shefqeti dhe Milazim Krasniqi është e populluar me plotë shqiptarë) si atje – policia federale harxhon shuma kolosale duke mbikëqyrur xhamitë shqiptare.

Integrimi i shqiptarëve në Zvicër ka kushtuar minimal dy dekada.

Sot është ndryshe. Gjenerata e dytë është inkuadruar gjithandej dhe shteti krenohet me ta; në arsim, sport, ekonomi e gjithandej ku nuk diskriminohet ende i huaji. Po kjo kategori njerëzish shkon me zor atje. Për punë assesi. Atje kthehen ata që kanë kaluar me zor këndej. Plotë që mezi kanë kryer studimet këndej – pasi kanë premtuar se kthehen në vendin e tyre për të ndihmuar – ashtu hapaqoras e me një symbyllur mentorësh e profesorësh, me punime të përkthyera apo të shkruara nga tjerët,  bëjnë atje politikologun, mediologun, dijetarin e sapo nisin të prodhojnë, ta bëjnë të dukshme atë që anglezët e quajnë Ability thyhet miti mbi të shkolluarin jashtë e bëhet copë. As akademitë e perëndimit nuk prodhojnë intelektualë, por specialistë. E nga kjo kategori shkojnë atje aq sa që as në gishta nuk i numëron dot.

PROBLEME KOSOVARE

Kosovari nuk krahasohet dot me të shkolluarin jashtë, ngase ai nuk ka mundësi pa ikur botës ta bëj atë. Institucionet e arsimit atje janë mbushur me ligjërues të tipit të këtyre pleqve komunistë italianë që luajnë shah shesheve publike dhe recitojnë Leninin ose anrakistët rusë pa lidhje e kontekst. Një batalion postsovjetiko-salafist (sidomos shkencat humane) që vetëm depresiv mund të të bëjë por jo specialist të diçkaje e lere më që të depërtosh botës. Kosovari nuk ka shtet Zvicrën që edhe kur s’punon nuk e le pa bukë, por përkundrazi e shtyn me zor programeve të specializimit.

Atje nuk ekziston shteti për popullin, por anasjelltas. Pa dashur tua bëjmë vendorëve një acta sanctorium e më hiç të na dalë Meliza beata Maria virgo; edhe nga atje pushtojnë botën artistë, firma, matematikanë. Madje ata janë më heronj se këta jashtë saherë që ia dalin, ngaqë biomorfoza e tyre i ngjanë një abiogjeneze, një shpërthim nga hiçi dhe pa përkrahje të kujt.

Në Kosovë mirëpo nuk mungon vetëm shteti. Atje mungon edhe shoqëria, e cila demonstron një abuli të çuditshme, një pavullnetshmëri ahistorike, duke lejuar të kapet e stërkapet nga kastat e vjetra politike sikur ta dëshironte. Madje as universiteteve (ku thuhet se janë studentet) nuk gjallërojnë së paku qoftë ta detyronin politikën që universitetin ta reformojë dhe ta çlirojë nga falanga qesharake refraktare ideologjish e ligjëruesish idiotë, të atillë që asnjë student normal nuk iu rrinë vullnetarisht në meshë.

JEMI NJË!

Siç shohim nga abecedarja ime më shumë e qëllimisht negative për të dyja palët është autosemantikon i të vetmit problem: mungesës së shtetit! Aty ku është shteti shqiptarët en masse(jo sa veta u bënë Rita Ora jashtë e sa brenda) aftësohen aq shpejtë (brenda 15 viteve në Zvicër) saqë nuk u bënë kush dot konkurrencë. Aty ku i vjedh shteti i Melizës duhet të çajnë kokën me injorantë të ditës që duan të ndalojnë juridikun, matematikën dhe detin.

Për nga habitusi, dimensioni antropologjik i subjektit shqiptar – brenda kornizave të etnokulturës së tij – nuk dallon aspak shqiptari i Prishtinës nga ai i New Yourkut. Kairofobitetet, pra frikën nga situatat, i shkaktojnë pasiguritë në çdo drejtim. Shqiptari i diasporës nuk dërgon para se donë të ndërtojë shkolla atje, ta mëfryjë grykën e prontashëve që fëmijët ti dërgojnë çdo javë edhe në Disneyland, por nga frika mos t’i vuajnë të vetët atje pa bukë – kryesisht -, ata ndihen përgjegjës për familjet e tyre të mëdha e jo për KEK-un apo Ujësjelljësit. Dhe kjo është krejt normale dhe e bëjnë gjitha diasporat që vijnë nga shtete me ekonomi përtokë.

Gjatë këtij debati më shumë u përça dhe ofendua – nga të dyja palët – se sa që u sqarua diçka. Dhe si i tillë duhet të mbyllet. Edhe Meliza Krasniqi kërkoi publikisht falje. Edhe Dimal Basha duhet ta bëjë. Burdushët dhe Grabovskit janë raste unikate e jo Akreparët e Vlerave të  Kosovës. Kosova ka intelektualë që kur i lexoj asfiksojnë edhe më të mirët këndej. E mos të flasim për arte, të cilat këndej janë pushkatuar moti nga monedhat e rënda të valutës komerciale. Janë dy botë secila me të mirat dhe të këqijat e veta dhe me shqiptarë të njejtë me një dallim esencial: vendorët sapo kanë bërë shtetin e imigrantët kanë shkuar tek ato që janë qindra vite.

Interkonkurrencë biounikatësh pra.

Kur të hiqen hajnat dhe të bëhet shteti atje s’do të ketë nevojë as për kësisoj debatesh koti. Jemi një!

Komentet
Top