Menaxherët në Maqedoni fitojnë 4 mijë euro në muaj

0-140.jpg

Pagat e menaxherëve kryesorë të kompanive më të mëdha në Maqedoni lëvizin prej 30-40 mijë euro në vjet, kurse deri në 200 mijë euro tek firmat më të fuqishme. Njëherazi të ardhurat e menaxherëve të huaj që drejtohen nga investitorët e huaj dhe të disa kompanive të tjera dallojnë mjaft lidhur me benefitet e ndryshme që ndërlidhen me marrëveshjet memaxheriale që i kanë të huajt, që ju sjellin edhe më shumë përfitime, jo vetëm materiale por edhe bonuse dhe shpërblime të ndryshme.

Ekonomistët thonë se marrë në përgjithësi, pagat e menaxherëve ekzekutiv në Maqedoni dallohen nga sektori në sektor, gjegjësisht llojeve të ndryshme të biznesit, të ardhurave të kompanive si dhe madhësisë së tyre . Nga ana tjetër, është vështirë të ofrohet një pasqyrë më e detajuar e pagave të drejtorëve më të mëdhenj, për shkak se jo të gjithë kompanitë publikojnë të ardhurat e njerëzve që udhëheqin bizneset e tyre. Ekonomistët thonë se kompanitë nuk kanë obligim ligjor të publikojnë pagat e drejtorëve, por vetëm obligim ligjor për publikimin e shumës së tërësishme që ndahen për paga dhe kompensime për organet udhëheqëse të kompanive, ndërsa pagat individuale të menaxherëve paraqesin sekret afarist. Megjithatë, në bazë të të dhënave të disponueshme që publikohen në raportet vjetore të Bursës së Maqedonisë, mund të konstatohet se krahas telekomunikacionit, sigurimeve, tregtisë së naftës, edhe sektori i bankave shpërblen mjaft mirë punën e menaxherëve të tij. Shuma përgjithshme e të ardhurave të menaxhmentit kryesor të Telekomit të Maqedonisë, ku bëjnë pjesë tetë drejtorë, është 2 milionë e 470 milionë euro. Edhe këto të dhëna janë jo të plota për shkak se nuk dihet se sa fiton çdo kush prej tyre në mënyrë individuale. Stopanska Banka për pagat dhe kompensimet e anëtarëve të Këshillit Drejtues me në krye drejtorin kryesor Diomidis Nikoletopulos, ndau 458 mijë euro në vitin 2016, ndërsa për më shumë se 30 drejtorë të rangut më të ulët në vitin e kaluar kjo bankë ka ndarë afër një milion euro. Tek Banka Komerciale shuma bruto e pagave të Këshillit Drejtues dhe ekipit menaxherial në vitin e kaluar ishte 2.1 milion euro. Në krye të Këshillit Drejtues është kryetari dhe drejtori gjeneral Hari Kostov, ndërsa në ekipin kryesor të menaxherëve bëjnë pjesë edhe 15 drejtorë të tjerë të sektorëve. Në Bankën e Ohrit–Sosiete Zheneral, shuma e përgjithshme bruto për paga dhe kompensime për anëtarët e Këshillit mbikëqyrës dhe drejtues është 762 mijë euro. Kjo bankë që vitet e fundit është renditur e katërta në Maqedoni pas Stopanska Bankës, Bankës Komerciale dhe Tutunska Bankës, ka katër anëtarë të këshillit drejtues me në krye drejtoreshën Branka Pavloviq dhe pesë anëtarë të këshillit mbikëqyrës. Në ndërkohë, të rralla janë kompanitë që në Maqedoni haptazi publikojnë pagat e drejtorëve të tyre. Shembullit të transparencës së kompanisë Makpetroll së fundmi u janë bashkangjitur edhe disa biznese të tjera. Kryetari i Këshillit Drejtues dhe drejtori gjeneral i kompanisë Makpetroll, me më shumë pompa të benzinës në tërë Maqedoninë, Andreja Josifovski në vitin e kaluar ka marrë pagë neto prej 123 mijë euro si dhe afër 18 mijë euro në emër të kompensimeve të tjera. Kur kësaj shume i shtohet edhe afër 23 mijë euro në nivel vjetor si kryesues i kompanisë tjetër Oilko, del se ai fiton në vit rreth 165 mijë euro.

Nga shoqëritë më të mëdha aksionare që publikisht i shpallin të dhënat për punën e tyre në Bursën e Maqedonisë, numri një i Tutunska Bankës, Aantonio Argir në vitin e kaluar ka fituar 126 mijë euro bruto të ardhura, ndërsa kreu i shoqatës aksionare Skopski Pazar, Sasho Davitkovski ka fituar afër 67 mijë euro në emër ta pagës dhe kompensimeve të tjera si shumë bruto. Në Tutunska Banka më së shumti nga drejtorët ka fituar anëtarë i Këshillit Drejtues Ljube Rajevski, që me të gjitha shtesat ka fituar 132 mijë si bruto shumë, ndërsa anëtari i tretë i këshillit drejtues, Damir Kuder ka fituar shumën bruto prej afër 117 mijë euro. Nga kompanitë e tjera, pesë anëtarët e Këshillit Drejtues të Zhitoluks, fabrikës më të madhe të bukës në Maqedoni të privatizuar nga grekët, fitojnë gjithsej 181 mijë euro. Kjo kompani është orientuar kryesisht në prodhim dhe ka shitur të gjitha dyqanet e saj kompanisë Zhitoleb nga Ohri.

Në Triglav Osiguruvanje, tre drejtorët ekzekutiv marrin së bashku të ardhura prej 240 mijë euro, ndërsa pesë drejtorë jo-ekzekutiv, marrin të ardhura të përgjithshme prej 17 mijë euro. Ish kompania e sigurimeve “Zoil”, gjegjësisht Sigurimi Maqedoni për dhjetë menaxherët, tre anëtarët e këshillit drejtues dhe pesë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës ndan 640 mijë euro në vit. Birraria e Prilepit nga ana tjetër u ka paguar shtatë anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe tre anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës , totalin prej 453 mijë euro bruto në emër të pagave. Ekonomistët thonë se kompanitë nuk kanë obligim ligjor të publikojnë pagat e drejtorëve, por vetëm obligim ligjor që ata edhe plotësojnë për publikimin e shumës së tërësishme që ndahen për paga dhe kompensime për organet udhëheqëse të kompanive, ndërsa pagat individuale të menaxherëve paraqesin sekret afarist.

Njohësit e sektorit të biznesit thonë se në Maqedoni mungojnë shifrat e sakta se sa marrëveshje menaxheriale janë nënshkruar dhe për çfarë shuma konkrete bëhet fjalë, për shkak se kjo bën pjesë në Ligjin për Shoqëri Tregtare dhe paraqet sekret afarist. Marrëveshjet menaxheriale nënshkruhen midis bordit të drejtorëve dhe menaxherit të zgjedhur dhe ato rregullohen sipas Ligjit për Shoqëri Tregtare. Sipas dispozitave ligjore, edhe për to paguhen të njëjtat kompensime ligjore , por që nuk kanë lidhje me të drejtat e marrëdhënies së punës. Kontratat e tilla janë në parim më liberale, por njëherazi edhe me të drejta dhe obligime më precize si për punëdhënësin ashtu edhe për menaxherin. Ndryshe, funksionarët shtetërorë, anëtarët e trupave ligjvënëse dhe ekzekutive, nëpunësit shtetëror në poste udhëheqëse, diplomatët dhe drejtorët në mesatare fitojnë dyfish më shumë se mesatarja e shtetit. Sipas analizave të Entit të Statistikës, një punëtor në vitin 2014, në mesatare ka fituar bruto gjegjësisht paga në dorë së bashku me kontributet e paguara shumën prej 6.467 euro, gjegjësisht rreth 540 euro në muaj. Nga ana tjetër grupi i qytetarëve me paga më të mëdha ka pranuar në mesatare 13.000 euro në vjet gjithashtu bruto, gjegjësisht kanë 5.5 euro për një orë pune që është dyfish më shumë se mesatarja në nivel të shtetit./Koha

Komentet
Top