Mogherini: BE do ta pranojë Ballkanin

mogerini-777x437.jpg

Bashkimi Europian jo vetëm nuk do të zmbrapset, por përkundrazi, do të marrë hov të ri duke e hedhur vështrimin në mënyrë të veçantë tek aderimi i vendeve ballkanike.

Deklarata e fortë e Federica Mogherinit erdhi pas ndërhyrjes së saj të martën në OKB. Shefja e diplomacisë europiane tha për “La Stampa” se pas referendumit mbi shkëputjen e Britanisë nga blloku europian, shumë kishin parashikuar që ajo votë do të shënonte fillimin e fundit.

Por të gjitha zgjedhjet e fundit, jo vetëm ato të Francës, theksoi Mogherini, kanë demostruar të kundërtën.

“Sigurisht ka probleme me të cilat duhet të përballemi, sepse shqetësimi i qytetarëve është real, por europianët kane nisur të kuptojnë se çfarë është realisht në lojë dhe francezët e thanë fort dhe qartë se mbështesin projektin europian, se duan ta rilancojnë, sepse e konsiderojnë pjesë tëzgjidhjes”, thotë Mogherini.

Por Brexit-i, a nuk e dobëson BE-në? Përgjigjja e kryediplomates europiane tregon hapur se cili është tashmë fokusi i ri i unionit.

“Unë jam e sigurtë se e ardhmja e bllokut nuk do te jetë 27-ta, sepse do të kemi vende të reja anëtare. Mendoj për shtetet e Ballkanit, me të cilat jemi duke negociuar hyrjen në Bashkimin Europian. Shumë i referohen këtij procesi si zgjerim, unë vetë preferoj të flas për ribashkim të Europës”, thotë ajo.

Pyetja e radhes u referohet vendeve të rajonit, të cilat shfaqen më problematike për nga situata e raporteve mes tyre apo stabilitetit. Anetaresimi i Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës mund t’i ndihmonte të kapërcenin problemet e fqinjësisë.

Mogherini sqaron se është edhe falë raportit me secilin prej këtyre shteteve me BE-në, që është arritur në masë të madhe të kurohen plagët e luftrave të përpara dy dekadave.

Rruga është ende e gjatë, e lodhshme dhe jo gjithmonë e sheshtë, thotë ajo, por jam e bindur se do të vazhdojë edhe falë faktit që secili prej tyre, ka një perspektivë të përbashkët në bllokun europian.

Komentet
Top