Moxhi zgjedh trajnerin e ri të Partizanit, pritet një italian

18157677_651618118365921_3046496267481112853_n-470x313.jpg

Në ditëlindjen e 80-të të Luçiano Moxhit, Partizani mbeti pa trajner. Në mbrëmjen e 10 korrikut, Sulejman Starova dha dorëheqjen si trajner i Partizanit, vendim i cili u pranua më pas edhe nga presidenti Demi, por “Bobi” ka mbetur pjesë e bordit të klubit. Që nga 10 korriku të kuqtë zyrtarisht nuk paguajnë asnjë si trajner dhe drejtuesit prej kohësh janë vënë në kërkim të gjetjes së pasuesit të Starovës.

Trajneri i ri i Partizanit të sezonit 2017-2018 me shumë mundësi do të jetë italian dhe që do të vendoset nga Luçiano Moxhi, i cili është edhe përgjegjësi i këtij ekipi. Gjatë kësaj periudhe, Moxhi dhe ndihmësi i tij Antonelo Preiti kanë biseduar dhe shqyrtuar disa emra trajnerësh italianë.

“Panorama Sport” ka arritur të sigurojë emrin e trajnerit që shihet më pranë pankinës së kuqe. Franko Kolomba me shumë gjasa do të emërohet këtë fundjavë nga drejtuesit e klubit kryeqytetas në krye të pankinës së Partizanit. 62-vjeçari ka një eksperiencë të gjatë në futbollin italian, si lojtar dhe trajner dhe njihet mirë edhe nga binomi drejtues i Partizanit, Moxhi-Preiti. Të vetmen eksperiencë jashtë Italisë, Kolomba e ka në Indi, në 2014-ën me Punë Siti.

TRAJNERI I PARË I BOGDANIT

Franko Kolomba e ka nisur karrierën si futbollist te Bolonja dhe roli i tij ka qenë mesfushor. Më pas ai është aktivizuar edhe me Modena, Sambenedeteze dhe Avelino. Karrierën si trajner Kolomba e ka nisur me të rinjtë e Modenas, por ka arritur të drejtojë edhe disa klube në Seria A, ku spikat Parma, Rexhina, Livorno etj.

Franko Kolomba nuk është një trajner i padëgjuar nga sportdashësit shqiptarë, pasi ai njihet si trajneri i parë që ka drejtuar ish-sulmuesin e Partizanit dhe të Kombëtares, Erjon Bogadani, pikërisht te Rexhina në vitin 2000, ku kanë bashkëpunuar për dy vite. Rexhina, klubi i parë i Bogdanit në Itali mbetet edhe një nga skuadrat e preferuara të trajnerit italian, pasi është kthyer tre herë për ta drejtuar.

BASHKËPUNIM ME PREITIN

Përveç Moxhit, një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbarëvajtjen e Partizanit të sezonit të ri do të ketë edhe ish-drejtori teknik i Parmës, Antonelo Preiti, i cili së fundmi sapo është larguar nga detyra e drejtorit sportiv te klubi i Katanzaros në Lega Pro. Mësohet se ndikim në nisjen e bisedimeve dhe në joshjen e Franko Kolombës ka edhe Preiti, pasi ata kanë bashkëpunuar edhe më herët, pikërisht në 2011-ën, ku ai arriti që të shpëtonte klubin nga rënia në Seria B.

Prania e Luçiano Moxhit dhe Antonelo Preitit bën që Partizani të mos refuzohet nga trajnerë të afirmuar në Itali, ndaj Franko Kolomba shikohet si alternativa më e mundshme për të drejtuar Partizanin në sezonin e ri. Përveç Kolombës, rifreskim pritet të ketë edhe pjesa tjetër e stafit teknik, por gjithçka do të mësohet në ditët në vijim.

Komentet
Top