Në ekskursion, me pensionistët

Hamdi-ISLAMI.jpg

HAMDI ISLAMI

(Pjesë nga shkrimi autobiografik ”Gjurmëve të jetës”)

Pasi kapërceu gjithë radhën e shitësve që prodhimet e veta i vendosnin çdo të enjte në trotuarin sipër pazarit, ai ktheu përsëri e u ndal te një grua thatime, me veshje të zeza e duar të regjura nga puna e dielli përvëlues i atij korriku. Ajo para vetes, përveç dy kile trangujsh, kishte edhe ca hudhra e gjethe pjerrgullash të lidhura tubë-tubë. Çka do fitojë prej këtyre, mendoi me vete, duke e parë atë me dhimbje. Ja si është populli. Këta nuk e kanë shtypjen kombëtare siç e kemi pasë dhe e kemi ne, po shtypjen sociale e kanë. Gjithë këto gra, po edhe meshkuj, që vijnë prej fshatrave të largët të shesin ndonjë gjë të vogël, janë pasqyrë e kësaj shtypjeje nga pushteti. Pse nuk ia mora të dy kilet e trangujve që i shiste aq lirë, tha, duke e shtyrë biçikletën përpara me dorë.

– Tungjatjeta, Lavdim! – e këputi nga këto mendime një zë i njohur dhe shikoi andej nga i erdhi.

– Tungjatjeta, lalë Shabani! – ia ktheu kur pa dorën e tij të ngritur. Drejtoi biçikletën kah ai dhe eci andej. – Kur të shoh ty, lalë Shabani, bëhem 20 vjeç, se 20 vjeç kam qenë kur jemi pa e njohur për herë të parë, në shkollën tuej të Bogovinës, më 1965. Të kujtohet? – i tha, duke u tokur.

– Eh, edhe unë atëherë kam qenë 29, po tash jam 81 vjeç. Po t’i lëmë këto. Ndëgjo, Lavdim, mbasnesër, të shtunën, do bëjmë nji ekskursion me pensionistët deri në Strugë. Udhëtimi është pa pare. Hajde, do vijsh?

– Është dashtë të paraqitem me kohë, si atëherë kur shkuem në Durrës e Vlorë, se ju bëni listën…

– Hajde ti, se e rregulloj unë atë punë! Nëse vijsh, në orën 15 në 7 të jeshë te VERO-ja. Hajt, tungjatjeta, se ngutem!

Sa njeri i mirë dhe vital ky Shaban Azizi, tha me vete Lavdimi. Qe sa vjet është në krye të Shoqatës së Pensionistëve të Tetovës me rrethinë, për çdo verë i çon pleqtë 8 ditë në plazhin e Durrësit e në ekskursion 4 ditësh. S’ka lënë qytet pa e vizituar. Pse të mos shkoj? – tha, dhe i hipi biçikletës.

Shkuarja në këmbë me ecje normale deri atje zgjaste mbi 30 minuta, po ai e bëri për 20 dhe kjo i shërbeu edhe si fiskulturë në ecjen e mëngjezit. I ra udhës së poshtme e doli në atë industriale. Tek udhëtonte me autobus, dhe këtë e kishte bërë kushedi sa herë kur shkonte në Prishtinë për të dhënë provimet, gjithnjë ecte me ndjenjën se mos i ikte, po kësaj radhe nuk e kishte këtë ndjenjë. Megjithatë, me të parë grumbullin e njerëzve përtej semaforëve, u bë rehat. Ata prisnin autobusët.

– Oo, Ymeri! – ia bëri me kënaqësi, duke marrë drejt arsimtarit nga Xhepçishti që ia ngriti dorën. Ishin të një vije. – Nuk thonë kot rroftë sebepi, o Ymer, se, mos ishte ky sebep, nuk ishim pa sot, – tha duke u kapur të përqafohen.

– Ashtu është, – ia ktheu ai me të buzëqeshur. – Po këtë, e njohish? – e pyeti, duke treguar njërin që kishte përpara. Lavdimi e shikoi për një hop dhe hapi krahët.

– Aa, ky duhet të jetë LLokmani! – dhe u kapën në përqafim si miq të vjetër. – Ee, more LLokman, ka 16 vjet që s’jemi pa e të kam mbajt mend! Prej atëherë kur të erdha në duqan të të pyes për djalin tim se kah i binte më mirë të shkonte në Xhermë, se atë ditë shkonte në luftë. Ti më the se njena rrugë është kah fshati juej, Poroji, prej ku shkohet në këmbë, kurse tjetra është me taksi, direkt udhës së Xhermës. Të kujtohet?

– Si me kënë sot! – ia priti tjetri duke e parë me admirim. – Po edhe unë nuk të kam harrue, ama! Nuk këne mplak hiç. Çaj Lavdim!

– Po ma bën qejfin, a? 16 vjet nuk janë pak, po edhe ti qenke po ai LLokman, se ndryshe nuk do të njihsha!

Bisedën ua ndërpreu ardhja e autobusëve. Të gjashtët u radhitën në xhadenë anësh VERO-s dhe grumbulli i njerëzve që prisnin, të gjithë të moshuar, kush në këmbë e kush ulur ku kishin mundur, bënë lëvizjen e parë drejt tyre. Lavdimi kërkoi lalë Shabanin dhe ja ku e pa, te dera e njerit nga autobusët. Ai lexonte emrat e atyre që do të hipnin aty. Priti që ta sheh edhe ai dhe, pas një kohe, sytë e tyre u ndeshën E përshëndeti me kokë. Si lexoi edhe disa emra, ai thirri emrin e tij, po me mbiemër të ngjajshëm. Unë jam Lavdim,i tha,po mbiemni është tjetër.Hajde, hajde, i tha, se ti je. Kur vuri këmbën në shkallë, ai i tha ngadalë që të ulej te ulëset e para që ishin bosh. Kjo ishte e tepërt për të. Se si i erdhi. Priti t’i thotë që të shkonte kah fundi, po ai i bëri përsëri me kokë të ulej aty.

Katër autobusët e parë ikën për në Manastir e, prej andej, në Ohër, kurse dy të tjerët, ku ishte edhe Lavdimi, morën autostradës kah Gostivari. Ja copa e mbetur e arës që e ka pre autostrada, tha me vete, kur autobusi kaloi aty e ia kapën sytë. Ja, këtu, kemi korr grun me nënën, unë 7 e lalë Cami 10 vjeç. Po edhe babës sa i kam ndihmue në kositje e në ujitje natën. Ia mori Dexhalli me mashtrim dhe e shiti menjiherë mbas vdekjes së tij, kurse ai e ruajti për t’ua lënë të pamunduarëve…Ndalja e autobusit te “patarina” e “zgjoi” nga këto mendime.

– Puça Shaban, – i tha, ashtu si i thirrnin më të mëdhenjtë në fshatrat fushorë përtej Reçicës, pra edhe në Bogovinë, nga ishte ai, – kjo është e tepërt për mue. Ma bëne gjithë këtë nder kur më ule në karriket e para, në vend se të jem në fund, se i fundit jam në listë. S’më vjen mirë.

– Rri ti rrahat e mos u sëkëlldis. Unë të mora këtu jo prej frike, po pse të due. Më ke hy në qejf qysh atëherë kur ke qenë 20 vjeç, si e tha edhe vetë, po, përveç kësaj, ti e ke pasë vëlla Islamin. Djalë e mësues si Islami rrallë ka pasë në këtë nahi!

– Ashtu është, puça Shaban. Ky që jam unë, i dedikohet krejt atij. Të mos ishte ai, unë në jetë do të isha nji instalues uji dhe nji bujk, se baba, kur mbarova tetëvjeçaren, nuk më la ta vazhdoj shkollën, po më futi në zanat, me qëllim që t’ia punoja edhe token. E mba mend edhe këmbën ku e ka vu, kur Garipit të Deharit, nji kushëri të nënës, që punonte në Komunë e jepte vërtetime, i tha në sy tem: këtë do ta qes prej shkolle se është i ndëgjueshëm e do ma punojë tokën. Po erdhi vëllai Islami nga Shkupi ku kishte mbarue Normalen dhe më dërgoi edhe mue në Normale të Tetovës që u hap atë vjet në kuadër të gjimnazit. Ai më mësoi t’i bie mandolinës dhe shkova të studjoj muzikën. Prej atij jam mësue edhe të lexoj libra se ishte lexues i madh, po edhe të shkruej, se, kur shkoi ushtar, më çonte letra që i shkruente aq bukur dhe unë mundohesha të shkruej si ai. Pra edhe studimin e letërsisë e kam prej atij.

Kishin kaluar “patarinën” e dytë dhe autobusi kishte marrë anësh Gostivarit. Kur kaloi Vardarin me ujin pothuaj të shterrur e u ngjit pjerrtësisë së kodrës, para tyre u hap lugina e Vrutokut.

– Au, sa e due këtë luginë! – foli Lavdimi, duke parë andej fshatrat të shtrirë një pas një.

– Po, vërtet është e bukur, – tha lalë Shabani.- E sheh atë si beton atje? – dhe bëri me gisht diku në fund të malit. – Aty është Hidroçentrali i Mavrovës apo i Vrutokut, uji i të cilit vjen nga liqeni artificial. Shikon si shpërndahen telat me largpërçues?

– A, po, -tha Lavdimi,-sigurisht vijnë edhe atje te ne.

Kur autobusi la xhadenë e Kërçovës e ktheu në të djathtë, asaj të Dibrës, hyri një pylli lisash që e mbulonin dhe, më pas, para tyre u hap shpati i malit përballë.

-Këtu e tutje fillon Reka e Poshtme e Reka e Epërme, – tha lalë Shabani, duke bërë andej me gisht. Lavdimit i erdhi në mend Josif Bageri.

Pas disa kthesave që bëri herë nën lisat e ahut e herë në qiell të hapur, autobusi erdhi e u ndal buzë rruge për një pushim të shkurtër 15 minutësh. Poshtë, në anën e majtë të saj, shtrihej liqeni i qetë me atë bukurinë mahnitëse që ia ka shtuar natyrës, kurse në të djathtë marrin menjëherë dyqanet e, sipër tyre, kodrinës, radhiten kampshtëpizat. Autobusi pastaj, si eci edhe pak asaj rruge, ktheu në të djathtë, la në të majtë digën e vogël që bashkon dy kodrat e hyri Grykës së Radikës, fundi i së cilës, këtu e në dalje, prek në ujin kristal të lumthit me të njejtin emër. Në rrjedhën e tij, që herë duket e herë zhduket mes drurëve, rrëshqiti edhe autobusi pa uturimën e tij të zakonshme.

Heeej, Hajredin Pasha po na vjen Radikës

Vallë ku janë o Malet e Dibrës…

… ia mori ngadalë Lavdimi sa mund ta dëgjonte vetëm lalë Shabani, aty, që e kishte në krah.

– Hë, vazhdoe, dhe ngreje zanin pak, – i tha ai. – Këtu vetë kënga këndon, se e ka edhe vendin.

– E ke thënë bukur, lalë Shabani, ashtu është, vërtet, po nuk e kam shokun, atë zotni Shefkiun (Berishën), që e patëm atëherë kur shkuem në Vlorë, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë, dhe kënduem gjatë gjithë rrugës. Të kujtohet? Ai këndon bukur, bile ma kalon edhe mue. Disa këngë i kam mësue prej tij, se kemi punue bashkë 26 vjet. Është burri mirë dhe e due fort. Tash është 84 vjeç dhe nuk e lënë të merr rrugë të largët. Djalin, Agimin, e ka doktor.

– E di, si jo. bile e njoh mirë. E ka preardhjen nga Glloboçica e Kosovës.

– Po, ashtu është. E njihke, po nuk besoj ta njohish deri në fund. Ai është edhe hokatar i madh. Unë, për shaka, kur hyja në zyrë e i takoja vetëm meshkujt, u thoja: o, ku jeni ju burrat e dheut! Ai ma kthente: ne nuk jemi burra, po jemi meshkuj sa mos me i lënë gratë shterpa! Dhe na hipte vala e të qeshmes. Ose, kur takoheshim, kudoqoftë, në mes tjerash, më pyeste: si i qimi punët, (që në turqisht është shamje) në vend si i kimi (shqip), unë ia ktheja, si llafi ashtu punët. Dhe prapë qeshnim e qeshnim.

Heeej, n’ Fushë të Dibrës o mor te Kalaja

Hajredin Pashën e ka gjetë belaja…

… vazhdoi Lavdimi përsëri ngadalë. Meqë ishin në ulëset e para, sytë u kapën nga të dy anët shkëmbenj që preknin qiellin dhe, sakaq, autobusi hyri në mes tyre.

– Mos është këtu ai vendi ku Skënderbeu i ka mbyt turqit me gurë të grumbulluar majë kepave mbi drunj dhe vetëm sa i kanë lëviz e ata u kanë ra mbi kokë.Këto i tregon edhe filmi “Skënderbeu”, – tha Lavdimi si e ndali këngën.

– Mundet, si jo.

– E i madh ka qenë, bre! – dhe ia nisi prapë:

Heeej, kjo belaja Pashën e ka gjete-ee

Malet e Dibrës o po kanë lidh bes-e

Kanë lidh besë o malet e tan-e

Turqve Dibrën o mos me ja dhan-e.

Heeej, Hajredin Pasha mos bën budall-ee

Se në Dibër s’mundesh me hy gjall-e…

– Këtu pari ka pasë edhe nji kishë në kohën e Skënderbeut, e quejtun MBI GUR,po sllavët e kanë quejt BIGORSKI pë ta bë të vetën. E dogjën nji vjet, për t’i humb gjurmët, me djegëjen e dokumenteve në gjuhën shqipe. Si jetojnë këta njerëz këtu, – vazhdoi Lavdimi, kur u hapën malet nga të dyja anët dhe në mes të tyre u dukën shtëpi banimi me nga një minare. – Shqiptarë janë këta?

– Jo, këta janë torbeshë që flasin sllavisht, po që janë islamizue. Si jetojnë, ata e dijnë. Po kryesisht janë muratorë denbabaden. Përpara kanë ardhë edhe andej kah ne për ndreqjen e shtëpive. E mba mend unë, – sqaroi lalë Shabani. – Ja Kosovrasti, – tha ai duke treguar pastaj me gisht një ndërtesë të madhe te këmbët e malit gurëzhveshur matanë që ngrihej thikë përpjetë Pak më përtej mbaronte rrjedha e lumthit që derdhej në liqenin e shtrirë aty e tutje. Si eci edhe pak, autobusi ktheu në të djathtë e rrëshqiti urës së gjatë që lidhte dy brigjet e tij. Pamje mahnitëse nga të gjitha anët, kur qiell, male e liqe bëhen një, po edhe më mahnitëse bëhej kur autobusi i afrohej qytetit të Dibrës e liqeni mbetej mbrapa, për t’u hapur nga ana tjetër, andej nga vinte dhe e mbushte Drini i Zi.

Më në fund,u ndal në qytetin e Dibrës.Lalë Shabani i njoftoi se këtu do të qëndronin vetëm 20 minuta e më pas do të shkonin për në Banjishtë. Ai gjithashtu u tregoi se pak më përtej ndodhej një kuzhinë popullore ku mund të hahej edhe çorbë Dibre. “Pleqtë” u derdhën andej dy nga dy e tre nga tre, e shumë prej tyre zunë tavolinat nën mbulesën e një terrace të madhe. Lavdimi me Harunin e Xhevahirin, arsimtarë të një gjenerate nga Bogovina, u ulën në njerën nga to. Lavdimit i ra menjëherë në sy buka e prerë në feta, e prurë me bollëk në një shportë të madhe.Si bukët e Enverit , mendoi me vete, si ato që kishte ngrënë para 46 vjetëve, më 1971, në Durrës e Tiranë, kur, si student, kishte qenë në ekskursion 12 ditësh, me përjashtim që ato ishin të zeza, të vëna krahas atyre të bardhave. Këta janë afër kufirit, prandaj i kanë ashtu. Mundet edhe tepsitë t’i kenë marrë atje, se paskan të njejtën formë. Nuk është çudi që tepsitë t’i bëjnë kaq të thithura, të pjekura e të shijshme…

Para se të niseshin, lalë Shabani ua prezantoi një burrë mbi të 80-tat që hipi në autobus, fytyrës së bardhë të të cilit i shkonte aq shumë edhe veshja në të bardha gjer te kapela republikë (sheshiri) vendosur në kokë. Ishte Besniku nga Dibra (mbiemri nuk i kujtohej), drejtor i Shoqatës Republikane të Pensionistëve, i cili kishte dalë t’i priste posaçërisht. Ai u mbajti një fjalë rasti dhe u dëshiroi mirëseardhje në Dibrën e Madhe.

Dhe utobusi u nis përsëri. Si doli nga qyteti e mori udhës së ngushtë që çon në kufi, në një vend ktheu në të djathtë e kapi të përpjetën. Nga të dyja anët, çdo e dyta arë ishte e mbjellur jonxhë, tek-tuk edhe të kositura.

– Dibranët jonxhën e mbjellin kryesisht për farë,- tha zotëri Besniku, emri i të cilit linte për të dëshiruar për moshën që kishte. Bile Lavdimi, që i lëshoi vendin të ulej, më vonë e pyeti për këtë.

– Zotëri Besnik,- i tha, -emri juaj sikur më ngacmon. Më bën kurioz të di si u ka mbet kështu, kur atëherë për ne shqiptarët muhamedanë janë vu vetëm me kuptim turko- arab. Sigurisht e keni pasur babanë shumë përparimtar, se për mua është hera e parë të dëgjoj një emër të tillë për moshën që keni. Me këta të rinjtë sikur na janë mësue veshët, kurse me ju…

– Po, ashtu është dhe keni të drejtë, – foli ai me të folmen dibrançe, – dhe nuk jeni i pari që ma bëni këtë pyetje. Është e vërtetë që babën e kam pasë shumë përparimtar për kohën kur ka jetue. Ka qenë me arsim të naltë dhe kryetar i Dibrës.

Vizita e disave lokaleve të brendshme të Banjës me ujë mineral shërues dhe ulja e disa të tjerëve nja gjysmë ore në bangat e parkut të bukur me drunj të lartë, bëri që të zhvillohen dhe ca copëza bisedash.

– Hë,- e nguci Lavdimi Aliramiun e Xhepçishtit që ka punuar si profesor i gjeografisë në gjimnaz e ishin të një gjenerate, tek rrinin në një si çardak prej ku, si në shuplakë të dorës dukeshin fusha e malet përtej kufirit shqiptaro shqiptar, – pse nuk shikon tash andej! Shiko, kush të ndalon! Atëherë kur ishte e ndalume dojshe të shikojsh, ë?

– Atëherë ishte interesant, kurse tash nuk është më! Kam qenë këtu disa herë edhe atëherë dhe ma kishte ënda të shikoja andej me bisht të syrit, që mos më sheh kush, si e punonin çdo pëllëmbë të tokës. Na mbetej meraku. Tash edhe ata e kanë lënë shkretë, sikur ne këndej.

– Ej, vërtet, si u bë kështu? – ia mori fjalë Lavdimi. – E shamë atë sistem, po nuk paska qenë për t’u sha. Të punohet toka nuk është gjë e keqe, apo jo. Përkundrazi. Çdo gjë del prej tokës, kur punohet, edhe ushqimi, edhe veshëmbathja, që janë bazë për jetesë. Njiherë moti, kur kemi qenë me nxënësit, mba mend, në rrugën për në Strugë prej këtu, ecte autobusi jo larg kufinit dhe pamë për së afërmi si koperativistët, burra e gra, punonin misrin dhe këndonin. E kishin marrë rendin nga njeni skaj i arës në tjetrin, dmth, nuk kthenin më për rend tjetër. Unë mendoj se kjo ka qenë mirë dhe nuk e kuptoj pse e shajnë atë sistem socialist. Edhe ne kemi punue atëherë si ata, po secili arën e vet, si pronë private, kurse ata i kishin bashkue pronat. Simbas mendimit tim, sistemi i tyne ka qenë më i mirë. Ka ndikue shumë në ndaljen e vrasjeve për nji vijë uji apo një megje are. E mbaj mend edhe nji thënie të nji oficeri të këtyne, që drejtonte nji anije në liqenin e Ohrit, kur tha se, në atë kohë, edhe zogjtë e malit nuk kanë mund ta kalonin kufinin, kurse tash hyn e del çdo gjë. Edhe Enver Hoxha e ka thënë në nji Kongres: “Bota revizioniste-kapitaliste na akuzojnë e thonë: pse Shqipëria nuk hapet ndaj botës dhe pse nuk merr borxhe e kredi siç marrin të gjithë”. Dhe përgjigjet: “Ata kërkojnë që ne Shqipërinë ta bëjmë han me dy porta, ku të hyjnë derri e dosa, me brekë e pa brekë (siç hyjnë tash) me leshrat përmbi supe, për të hedhur vallet e tyre të çoroditura e për të prishur vallet tona të bukura popullore… [U1]

Bisedën ua ndërpreu ngritja e disave që u nisën drejt autobusëve. Teposhtëza i çoi te rruga që merrte nga e djathta, për në Strugë, dhe që të dy, njeri mbas tjetrit, kthyen andej e rrëshqitën asfaltit të ri që, si një gjarpër i zi, shtrihej mes shkurresh buzë bregut të liqenit kaltërosh. Ata, si e lanë atë mbrapa, nxorën krye te fshati i madh Veleshtë e, përfundimisht, hynë në qytetin e Strugës.

Edhe 4 orë ishin në dispozicion deri sa të niseshin për në Tetovë.

Komentet
Top