Në Vilnius per fitore te bindshme

Shkendija-vs-Dacia-3-0-1024x682.png

Futbollistët e Shkëndijës së Tetovës zhvilluan seancën stërvitore në stadiumin e Federatës së futbollit të Lituanisë në Vilnius, ku të enjten do të përballen me Trakain. Njejtë si javën e shkuar në Helsinki edhe tani ndeshja do të luhet në teren me bar sintetik. Shkëndija është gati për sfidën e rradhës në UEFA Europa League. “Kuqezinjtë” para vetes kanë Trakain e Lituanisë në raundin e tretë eliminator. Ekipi sonte ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin “LFF” në Vilnius, duke mundur të shijojë terenin ku të enjten do të luhet ndeshja. Futbollistët përballen me situatë të ngjashme si javën e kaluar në Helsinki, pasi edhe tani loja do të zhvillohet në teren me bar sintetik. Në seancën e fundit stërvitore u provuan variantet e fundit tekniko-taktike para përballjes së nesërme, ndërsa përfundimisht 100% të gatshëm janë Stenio Junior dhe Mevlan Murati.

Prej më parë dihet se do të mungojë Stefan Vujçiç i cili nuk udhëtoi fare për në Lituani, kurse para fillimit të ndeshjes trajneri Osmani do të vendosë për aktivizimin e Armend Alimit që lëshoi stërvitjen e fundit shkaku i virozës. Përballja Trakai-Shkëndija luhet të enjten në Vilnius të Lituanisë me fillim në orën 18.30. FK Trakai është skuadër me histori relativisht të shkurtër, vetëm 12-të vjeçare. Të formuar në vitin 2005, Trakai u inkuadrua në elitën e futbollit të Lituanisë në vitin 2014 dhe në sezonin debutues u ndalën në pozitën e katërt. Një vit më vonë u ndalën në vendin e dytë, duke siguruar dalje në kupat e Europës, duke qenë dy vite resht nën-kampionë të Lituanisë.

Kjo është hera e tretë që luajnë në eliminatoret e UEFA Europa League, ndërsa për herë të parë prekin raundin e tretë eliminator. Në raundin e parë të këtij edicioni eliminuan St. Johnstone nga Skocia me rezultat të përgjithshëm 3:1 (1:0 dhe 2:1), ndërsa në raundin e dytë eliminator befasuan Norrkopingun e Suedisë pas ekzekutimit të penaltive pasi të dyja ekipet fituan ndeshjet si vendas me rezultatin 2:1. Trakai si në kampionat edhe në Europë ndeshjet si vendas i luan në stadiumin e Federatës së futbollit të Lituanisë në Vilnius, i cili ka kapacitet prej 5500 vendeve dhe është me bar sintetik.

Komentet
Top