Nesimi: Reformat në polici, prokurori dhe gjykata e kthejnë vendin në binarë(VIDEO)

Robert-Nesimi-1000x600.jpg

Njohësi i rrethanave politike, Robert Nesimi në një deklaratë për Lajm TV vë në theks se ndodhitë e 27 prillit dhe hyrja e huliganëve në parlament, në fakt dëshmuan se sa larg ka shkuar përhapja e partizimit të të gjitha institucioneve shtetërore. Dhe, sipas tij, këto kanë vendosur çdo prioritet tjetër që Qeveria mund të kishte pasur.

“Tani del se puna e parë që duhet të bëhet është kthimi i institucioneve në binarë të vërtetë, bëhet fjalë fillimisht për këto institucione shtyllë për kthimin e drejtësisë në vend, domethënë policisë, prokurorisë dhe gjykatave. Medoemos këto prioritete duhet të adresohen sa më shpejtë, të ketë freskime nëpër këto institucione të vendosen kuadro të reja dhe largimi i kuadrove të korruptuara. Pas kësaj, mendoj se duhet që sa më shpejt të zgjidhen edhe rastet të cilat ka dyshime se janë të montuar sepse si duket ka njerëz të cilët janë të pafajshëm dhe qëndrojnë në burg. Këto sa më shpejt duhet që ta marrin një konkluzion në gjyqësor, raste si Sopoti, Monstra e të tjera. Vetëm pasi që këto punë të bëhen, pra themi për një periudhë nga 3 deri në 6 muaj atëherë mundet që Qeveria të fokusohet në atë që në fakt e ka edhe program Qeveritar, pikat ekonomike, marrëdhëniet me fqinjë të jashtëm dhe inkuadrimin euro-atlantike”, deklaroi për Lajm TV Nesimi.

Në pyetjen tonë se sa mund të kenë kapacitet elitat politike shqiptare të jenë bartës të prioriteteve që ai përmendi. Nesimi perspektivën e sheh te subjektet e reja politike, nëse forcojnë kuadro adekuate.

“Tani si duket në qeveri do të kemi edhe qeveritarët e deri tashëm po edhe partive të reja politike siç janë Aleanca edhe BESA. Për atë pjesën që ka qenë në bashkëqeverisje me VMRO-në, këta 10 vite nuk kanë kapacitet. Ata duhet të reformohen, nëse kanë kapacitet të reformohen si parti politike do të ishte mirë por, nuk besoj se do t’ia arrijnë. Ndërsa nga ana e Aleancës dhe BESËS, duhet që të presim e të shohim se çfarë kuadrosh do të ofrojnë për udhëheqjen e shtetit dhe pastaj që pastaj të gjykojmë se a kanë apo nuk kanë kapacitet”, përfundon Nesimi.

Komentet
Top