Pakicat, si mekanizëm i ndryshimeve

Fadil-Lepaja-320x320.jpg

Nga Fadil Lepaja

Një pacient i shqetësuar, i frikësuar dhe gjithë me panik po e pyeste mjekun e tij, i cili i TRISHTUAR po i qëndronte mbi kokë. “Çfarë kam, unë, doktor”, e pyeste ai pa ndërprerë, ndërkohë që doktori po heshte“.

Nuk di, i dashur, nuk di”, thoshte vetë me vete. “E kur do të kuptoni, doktor”, pyeste pacienti, i cili nuk po hiqte dorë pa marrë një përgjigje…?!

“Vetëm, nesër, i dashur, vetëm nesër, pas obduksionit, mund të ju them diçka më të sigurt” u përgjigj doktori me të njëjtin zë, pa ngjyrë! Por, ta lëmë për një çast pacientin dhe doktorin nga kjo barsoletë dhe të shohim punët tona. Le të na thotë dikush, nga çfarë vuajmë ne në Ballkan?! Ju lutem, veç mos na thoni se të gjitha i kemi nga uraniumi dhe Serbia, Rusia, apo Evropa!

Nga çka vuan demokracia në Ballkanin tonë, ku popujt edhe pas luftërash të egra, vëllavrasëse, ndëretnike, ndër fetare ende nuk kanë mbledhur mend? Hiç kancerin si sëmundjen më të përhapur, pastaj pasojnë nacionalizmi, kriptokomunizmi, religjion, kush mbetet fajtori?! Të gjitha vendet ua lënë fajet pakicave.

Kështu, në vendet e Ballkanit perëndimorë, në pushtet vihet, ende veç me nacionalizëm dhe me librat e shenjët nën sqetull, ndërsa qeveriset ndryshe, me një retorikë të drejtave të njeriut dhe lirive absolute fetare, e qytetare.

Duke qenë se rrallë ndodhë që shumica e elektoratit të denjojë të dalë në zgjedhje, pas të gjitha zgjedhjeve, taborret mbesin të ndara pa a shumë njësoj, pra të barabarta. Baraspesha krijohet me minoritete, komunitete pakicë, jo gjithherë etnike.

Komunitetet nuk nënkuptojnë në këtë rast vetëm ato etnike apo religjioze të cilat janë kolorit i Ballkanit. Për shembull në krye të qeverisë serbe erdhi një femër, homoseksuale, por gjithsesi, me kapacitete të fuqishme lobuese, e cila edhe përkundër të qenurit ndryshe nuk hezitoj të shprehet se qëndrimi i saj ndaj Kosovës do të jetë sikurse ai i të gjithë udhëheqësve serb para saj, pa e përjashtuar as diktatorin Millosheviq.

Në Maqedoni dhe në Mal të Zi, zëri i komunitetit pakicë shqiptarë ishte vendimtarë, për të u bërë qeveritë apo për të ruajtur baraspeshën, qoftë në zgjedhjet e mëparshme apo këto të fundit. Vota e tyre, ndërtoi strukturën qeverisëse për të ju kundërvënë nacionalizmit agresiv serb, në Mal të Zi dhe atij bullgaromadh /maqedon, në Maqedoni..

Faktori ndërkombëtarë, BE dhe SHBA, përkatësisht NATO, i pafuqishëm për të dënuar sjelljet e burokratëve, ku pasonin kryesisht qytetarët, e në formën më të vrazhdë kjo ndodhë në Kosovë, filluan të shohin si mundësi dhe , të përkrahin pakicat për të vënë nën kontroll shumicën dhe për të i dhënë proceseve drejtimin e dëshiruar.

Kështu, ajo që ishte toleruar një kohë të gjatë, për shkak të baraspeshës, u bë e rrezikshme për interesat perëndimore, dhe perspektivën euro-atlantike të Maqedonisë dhe jo vetëm saj, sa që filluan nëpër sheshe e rrugë turbulencat që rrezikonin të prishnin krejt rendin Ballkanik të krijuar 20 vitet e fundit, duke i përfshirë në konflikt të gjithë faktorët serioz.

Në mes të taborreve të përafërta, me fuqi politike, por me një kontrollë absolut të VMRO në shtet, dhe me një rebelim të plotë të LSDM, u ndodh komuniteti shqiptar i cili për nevoja të qeverisjes së re dhe ndërrimit të kursit strategjik të Maqedonisë, pas mëdyshjeve të mëdha dhe presioneve u bashkua me alternativën euro-atlantike edhe pse premtimet për shqiptarët ende nuk janë realizuar, as nuk po duken në horizont dhe ende qeverisja po sfidohet me ligjin për gjuhën.

Pra, faktori shqiptar, i bashkuar , ishte kësaj radhe vendimtar që të nxirret në opozitë partia nacionaliste maqedonase, e cila ishte mbahej në pushtet duke alarmuar për rrezikun shqiptar dhe duke inskenuar raste të terrorizmit, dhe krimeve morbide madje dhe duke i mbajtur shqiptarët si fajtorë kujdestarë. Kjo albanofobi në fakt, zhvendoste vëmendjen, dhe njëkohësisht fshihte rrënjët e regjimit që shtriheshin deri në Serbi e në disa raste edhe deri në Rusi.

Sidomos këto rrënjë dhe marrëveshjet e fshehta u zbuluan edhe nga perëndimi kur u kuptua se projekti sekret rus për zëvendësimin e trasesë së gazsjellësit rus, nëpër Ballkan, i cili parashihej fillimisht të kalonte nëpër Bullgari por pas refuzimit bullgar, po planifikohej të zhvendosej nëpër Maqedoni, sepse udhëheqësit e korruptuar maqedonas e ofruan atë si një korridor alternativ.

Edhe në Mal të Zi, faktori shqiptarë ishte i rëndësishëm dhe vazhdon të mbetet i tillë, në baraspeshën mes serbëve dhe malazezve për pushtet, sepse një pjesë e madhe e shtetasve malazez me këmbëngulje vazhdojnë të deklarohen serb dhe të jenë të rreshtuar rreth kishës pravosllave serbe dhe preferojnë orientimin euro-aziatik, përkatësisht pro-rus .

Në Mal të Zi, shqiptarët nuk kanë telashe me gjuhën, nuk ndihen të shtypur, por kanë vërejtje me qeveritë e mëparshme malazeze se nuk bënë mjaftë për zhvillimin e komunave shqiptare, prandaj edhe shtruan kërkesa specifike për komuna të reja, aty ku shqiptarët janë shumicë. Kjo ndikoi dukshëm në orientimin , përkatësisht forcimin e krahut properëndimor e cila për pasojë pati hyrjen në NATO, edhe përkundër luftës speciale që zhvillohej ndaj udhëheqjes malazeze prej qarqeve serbe dhe ruse.

Në Kosovë, për dallim, faktori serb është determinues i shumë proceseve. Në fakt, edhe këtu bëhet fjalë për orientimin strategjik, ku serbët lokal, përbëjnë më pak se 10% të strukturës etnike të vendit, dhe asnjëherë deri më tani nuk kanë shprehur ndonjë vullnet për të u integruar në shoqërinë kosovare, por veten e konsiderojnë pjesë të Serbisë dhe vazhdimisht ka përpjekje që të rigrupohen, apo të riorganizohen në forma parashtetërore, për të ruajtur prezencën shtetërore serbe në Kosovë, e në kuadër të kësaj parashihet ndihma ruse, si shpresa e vetme për këtë.

Kjo, fiton në rëndësi sidomos për shkak të përpjekjeve perëndimore që në fakt vet qeveria dhe shteti serb të kenë orientim perëndimorë dhe të kyçen në strukturat euro-atlantike. Kështu, Kosova dhe minoriteti serb në Kosovë në këtë rast shërbejnë edhe si shkop edhe si karotë, për të dy qeveritë, në Beograd dhe Prishtinë, kur kjo e dyta konsiderohet mjaft e ndikuar nga interesat turke në rajon.

Kur kihet parasysh se në Serbi, dhe në popullin serb në përgjithësi, sentimentet tërheqin më shumë kah lindja dhe rrënjët sllave, atëherë komuniteti serb në Kosovë merr rëndësi shumë më të madhe e ndoshta vendimtare për fatin e dy vendeve. Vetëm kjo i shpjegon format e përçudnuara të demokracisë dhe shtetit ndër ne.
Të kthehemi te barsoleta, për Ballkanin, përkatësisht për pacientin e shtrirë dhe të shqetësuar i cili e pyet pandërprerë doktorin që i rri mbi kokë. Ai nuk ka përgjigje. Por, as pakicat nuk janë fajtorë, për gjendjen tonë. Fajtorë gjithnjë është shumica, prandaj mos u bëni të ashpër me pakicat. Shihni pakicat si begati dhe mundësi.​

Komentet
Top