Partitë në Maqedoni, përplasje për borxhin e lartë publik

D7112746-EE24-4FDF-ABDB-14B9A56BA991_cx0_cy10_cw0_w1023_r1_s.jpg

Derisa Qeveria e kryeministrit, Zoran Zaev pretendon se po punon për uljen e borxhit publik të vendit, që sipas saj ka arritur në shifrat më të larta që nga pavarësia e Maqedonisë, opozita nga ana tjetër akuzon ekzekutivin e ri se po e fut shtetin në borxhe të reja.

Të dhënat e fundit të Entit të Statistikës tregojnë se borxhi publik sillet në rreth 5 miliardë euro, apo mbi 50 për qind të Bruto Prodhimit Vendor. Nga Ministria e Financave kanë konfirmuar marrjen e borxheve të reja, por edhe shlyerjen e borxheve të vjetra, dhe se rezultati sipas saj, është në favor të shlyerjes së borxhit prej disa dhjetëra milionë euro.

Por, sipas VMRO-DPMNE-së së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski me rishikimin e buxhetit për të cilin po debatohet për më shumë se një javë në Kuvend, parashihet marrja e një borxhi të ri prej 150 milionë euro. Nga kjo parti, gjithashtu e vlerësojnë si gënjeshtër vlerësimin e Qeverisë së Zaevit, se kanë zbuluar një borxh të fshehur prej më se 1 miliard euro, gjë që sipas saj nuk qëndron, meqë bëhet fjalë për tentim nga ana e Qeverisë për shpërndarjen e borxhit nëpër ndërmarrje publike dhe institucione tjera në nivelin lokal, dhe për ta prezantuar pastaj si borxh të pa faturuar.

“Për atë se sa e suksesshme do të jetë Qeveria e re, po shihet që në fillim të punës së saj. Nëse në fillim nuk vendosen politikat dhe strategjitë se në çfarë drejtimi do ta çoni vendin, do të jetë e kotë. Qeveria e re po rrënon gjithçka që është ngritur nga Qeveria e kaluar, e cila kishte marrë mirënjohje të shumta nga institucione ndërkombëtare për mënyrën se si po e drejtonte vendin. Me rishikimin e këtij buxheti dhe shkurtimet prej qindra miliona euro, kjo Qeveri po dëshmon se interes parësor nuk ka ekonominë, por punësimet partiake. Borxhet e përditshme po dëshmojnë se ajo do të rrënojë atë që është ngritur viteve të fundit”, ka dekluar Liljana Zaturoska, deputete e VMRO-së.

Nga LSDM-ja në pushtet thonë se më së paku për çështje borxhi mund të flet VMRO-ja, e cila sipas saj ka futur në borxh çdo qytetar të Maqedonisë në vlerë prej rreth 2 mijë euro. Ministri i Financave, Dragan Tevdoski së fundi ka zbuluar një borxh të ri, që sipas tij, shteti i ka shfrytëzuesve buxhetorë.

“Shuma e obligimeve të papaguara deri më 31 maj të vitit 2017, arrin në 22 miliardë denarë apo 363 milionë euro. Borxhet kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike, fondet dhe komunat. Ministria do të shqyrtojë me kujdes të dhënat dhe më pas do të hartojë strategjinë se si do të përballet me këtë borxh”, ka deklaruar Tevdovski.

Njohësit e çështjeve ekonomike, thotë se është iluzion të mendohet se Qeveria do të funksionojë pa borxhe, por se më rëndësi sipas tyre është transparenca dhe dedikimi i borxheve apo shpenzimi i tyre për projekte kapitale.

“Normalisht se deklaratat politike që vijnë kryesisht nga VMRO-ja, kanë për qëllim që të jenë aktual pas humbjes së pushtetit, por vlerësoj se një shenjë pozitive e kësaj Qeverie është se huat e reja janë më transparente në projektimin dhe harxhimin e tyre. Ne gjithmonë kemi thënë se marrja e huave duhet të shkojë në projekte kapitale dhe projekte produktive. Qeveria po jep sinjalet e para se pikërisht në këto projekte do t’i adresojnë huat dhe ne duhet të presim dhe të shohin se do a do vazhdojnë me këtë ritëm”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Fatmir Bytyçi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore.

Komentet
Top