Përbindëshat zaptues të qytetit

14_02_13_14209_enveri_1.jpg

Nga Enver Robelli

Çfarë të bie në sy në rrugët e Prishtinës?

I.

Parashikimi i motit për ditën e diel ishte si zhvillimet politike në Kosovë: fillon me diell e mund të përfundojë me rrebeshe shiu e breshri. Ndërsa politikanët janë zgjuar herët për të shtegtuar nëpër Kosovë në kërkim të votës dhe besimit nga banorët e lodhur nga varfëria, Prishtina e së dielës është ajo që ka qenë përherë: monotone. Kjo nuk domethënë se monotonia përherë është e mërzitshme, sidomos jo atëherë kur makiato është si përherë e mirë dhe muzika e përshtatshme për dembelët e mëngjesit. Kohë e mirë për të vëzhguar fenomene të përditshmërisë.

Për shembull një çun rreth moshës 20-vjeçare, i veshur me një pallto ushtarake, mjekër të mirëmbajtur, syze të zeza katran, kokën të rruar, në kyçin e dorës i shkëlqen një orë, e cila mund të jetë e shtrenjtë ose një kopje e zbehtë e markave të shtrenjta. Vjen ky njeri fluturimthi me xhipin e tij të bardhë, “Range Rover”, bën ca lëvizje megalomane dhe parkohet aty ku është e ndaluar: në trotuar, para tarracës së kafenesë së lagjes. Ky veprim atij i duket me gjasë aq normal, aq i vetëkuptueshëm, aq i zakonshëm, saqë me lehtësi del nga vetura thua se e ka parkuar automjetin e tij në vendin e paraparë.

Ky është njëri nga ata përbindëshat zaptues të qytetit. I sheh në Prishtinë e në qytete të tjera të Kosovës, i sheh edhe në diasporë, ndonëse në Stuttgart dhe Zürich monstrumi i vogël me BMW të madhe i frikësohet ligjit dhe ka më shumë kujdes se moshatari i tij në Kosovë. Natyrisht të tillët nuk hasen vetëm në Kosovë, edhe në qytetet e tjera ballkanike vërehet ky fenomen: zaptuesi i rritur në shoqëritë kaotike, ku i vetmi ligj që vlen është ligji i të fortit. Në rastin e të riut, i cili zapton trotuarin në Prishtinë dhe me fodullëk zë vend në një tavolinë të lokalit, absurdi nuk ka fund: në pyetjen e kamerierit se çfarë do për të pirë, ai thotë: “Asgjë, jam me ramazan. Erdha të takoj një shok”. Ndërsa ky përbindësh i vogël i qytetit demonstron religjiozitetin e tij, nëna me karroca me fëmijë s’mund të kalojnë nëpër trotuar, sepse xhipi i shtrenjtë e bën këtë të pamundur. Ndërsa kokërruari bën poza qesharake, disa punëtorë që kanë ardhur të shkarkojnë diçka s’mund të kryejnë punën e tyre. Për çka mban ramazan ky njeri?

II.

Një ditë më parë një nënë lufton kundër lotëve ndërsa tregon për të birin e saj, të cilit përbindëshat e qytetit ia morën jetën me një xhip. Milot Bajrami atë natë kishte përfunduar punën në një lokal simpatik të kryeqytetit dhe ishte nisur me veturë drejt shtëpisë, kur një xhip po fluturonte nëpër qytet thua se po merrte pjesë në garat me Formula. Vrasësi i Milot Bajramit ka marrë një dënim simbolik me burg, i cili nuk ka qenë leksion as për kriminelin në timon, as paralajmërim për të rinjtë e tjerë që rrugëve të qyteteve të Kosovës terrorizojnë këmbësorët dhe udhëtarët, pjesëmarrësit më të pambrojtur në trafik. Në një shtet me drejtësi funksionale dënimi ndaj vrasësit në trafik do të duhej të ishte më kreativ. Përse të mos i konfiskohet xhipi, i cili është arma e tij?

III.

Një ditë më parë një gazetar gjerman që erdhi në Kosovë për herë të parë në vitin 1987, atëherë kur kishte filluar të shpërthente dalldia nacionaliste serbe dhe kur liderë të serbëve të Kosovës ishin nxitës të urrejtjes si puna e Miroslav Sholeviqit, pyeste më shumë veten se të tjerët në tavolinën e një lokali të Prishtinës: “Çfarë ndodhi me shoqërinë shqiptare të Kosovës? Pse ra në duar të cubave politikë? Përse këta zaptues pranuan që brenda Kosovës të etablohet një Republika Srpska? A mund të riparohet dëmi?” Ndërsa këto fjalë jehojnë nën rrebeshin e shiut të mbrëmjes, shumë të rinj kosovarë kanë vetëm një ëndërr: të gjejnë një rrugë për të emigruar, pasi për gati dy dekada kanë mbetur të izoluar, të varfër dhe pa perspektivë. Në vitin 1996 Miroslav Sholeviqi u kishte thënë mediave gjermane: “Për Milosheviqin njerëzit janë si kondomë – ata hidhen pas përdorimit”. Asgjë tjetër nuk kanë bërë as pushtetarët agresivë të Kosovës pas vitit 1999: i kanë keqpërdorur votuesit, i kanë mashtruar në çdo palë zgjedhje dhe pastaj i kanë hedhur si lecka në shportën e bërllokut politik – për t’ia filluar nga e para, sërish, në çdo palë zgjedhje, të rregullta apo të parakohshme. Modeli i keq politik krijon edhe modelin e keq të qytetarit. Politikani që e konsideron veten mbi ligjin zapton pronën publike dhe shtetin, ndërsa qytetari i papërgjegjshëm aq sa mbërrin: trotuarin, hyrjen e banesës, korridorin, ballkonin.

IV.

Dëshmitarë dhe viktima të këtij modeli dhe të kësaj epoke duhet të thonë fjalën e tyre më 11 qershor. Vota e ndëshkimit duhet të jetë përgjigje për 20 vjet qeverisje të keqe dhe të shoqëruar me qindra skandale. Rrethanat fatlume u japin popujve shanse të papërsëritshme. Liria e Kosovës ka qenë një shans. Pavarësia po ashtu. Në të dy këto procese roli i shqiptarëve nuk do të ishte vendimtar pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare perëndimore. Të dyja këto shanse shoqëria kosovare nuk i shfrytëzoi si duhet. Këtë ia bëri të pamundur edhe një klasë politike që vidhte vota dhe qeverisjen e kuptonte si intrigë kafehanesh. Më 11 qershor qytetari i Kosovës gjendet para një shansi të ri për t’u dhënë kah të mbarë zhvillimeve në vend. Në mënyrë që zaptuesit e vjetër të shkojnë në shtëpi, sepse ka ardhur koha, ndërsa zaptuesit e trotuarit të marrin gjobën e merituar nga polici i trafikut, i cili në Prishtinë s’shihet askund.

Komentet
Top