Përmbytjet në Stamboll janë katastrofë e vërtetë

thumbs_b_c_78206d8dfbc350c96966bc33c5708eae.jpg

Ministri turk i Transportit, Çështjeve Detare dhe Informacionit, Ahmet Arslan ka deklaruar se Stambolli është përballur me një katastrofë të madhe për shkak të reshjeve të dendura të shiut, raporton Anadolu Agency (AA).

“Në një orë ose një orë e gjysmë kanë rënë 250 litra shi në një metër katror. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme. Autoritetet kompetente janë angazhuar tek tuneli i Euroazisë dhe bëjnë pompimin e ujit. Së shpejti, tuneli duhet të hapet”, tha ministri Arslan.

Nuk ka viktima nga moti i keq në Stamboll

Moti i keq që përfshiu Stambollin, sipas raporteve fillestare, nuk ka viktima, tha drejtori i Zyrës së Emergjencës të qeverisë turke (AFAD) Mehmet Halis Bilden.

Bilden në rrjetin social shkroi se ekipet e AFAD-it janë në terren.

“Të gjithë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit. Falë Zotit, sipas informacioneve paraprake nuk ka viktima”, ka shkruar Bilden.

Ai këshilloi që në rrugë të mos lëvizin me automjete përveç në raste urgjente dhe kërkoi që banorët t’u përmbahen udhëzimeve të autoriteteve kompetente.

Për shkak të sasive të mëdha të ujit në rrugë të caktuara, automjetet nuk mund të lëvizin, si dhe është vështirësuar edhe trafiku publik.

Shumë kryqëzime dhe viadukte kanë mbetur nën ujë i cili ka depërtuar edhe në metrobuse. Stacionet për metro dhe metrobus janë nën ujë. Po ashtu është vështirësuar edhe trafiku ajror, si dhe transporti detar.

Komentet
Top