Poroji dhe Gjerma në mëshirë të fatit, vërshimet rrezikojnë banorët

fshati_xherme_kerkon_ndihme_ng.jpg

Zanafilla e vërshimeve në Lumin e Porojit, është në bjeshkët mbi fshatin Gjermë të Tetovës. Banorët e fshatit Gjermë shprehen se problemi i vërshimeve në fshatin e tyre dhe më pas edhe në Poroj, është në lumin që kalon në këtë fshat. Burimi i tërë këtij rreziku është në lumin e quajtur “Uji i shpejtë”, prej nga uji bart me vete gjithçka që i del përpara dhe i sjell poshtë në fshatin Poroj, shkruan gazeta KOHA.

Në kohën e ish Jugosllavisë janë ndërtuar diga dhe kaskada. Mirëpo të njëjtat, pas vërshimeve të vitit 2015 dhe vërshimeve të mëhershme, janë dëmtuar tërësisht dhe pikërisht kaskadat e fundit që parandaluan më të keqen para një jave janë dëmtuar. Tash edhe banorët e fshatit Gjermë, por edhe të fshatit Poroj janë lënë në mëshirë të fatit. Vebi Abdija, banor dhe anëtar i Bashkësisë lokale të fshatit Gjermë, thotë se ky është lumi më i rrezikshëm në Ballkan. “Ky lum pas çdo të reshure dhe veçanërisht kur bie edhe breshër në bjeshkë, shkakton dëme të mëdha. Lumi në fjalë edhe sipas emrit që ka “Lumi shpejt”, tregon se këtë lum e karakterizon shpejtësia e ujit, edhe pse në mediume shpesh herë paraqitet si lumi i Porojit, por zanafillën e vet lumi e ka në fshatin Gjermë, ku prej këtu fillon që të bartë rërë, gurëz, baltë dhe të njëjtat i dërgon deri në fshatin Poroj. Mos dhashtë Zoti një ditë të ndodh të na bartë edhe neve, bashkë me të gjitha shtëpitë që kemi këtu. Përndryshe ky fshat njihet edhe si fshat që është një ndër më të rrezikuarit nga erozioni i dheut, prandaj kërkojmë nga autoritetet lokale, komunale si dhe ato qeveritare, që të kthejnë kokën nga ky fshat malor, sepse gjithçka bartet poshtë, në fshatin Poroj, burimin e kanë pikërisht këtu në fshatin Gjermë”, thotë për KOHA, Abdija.

Në ndërkohë, kryetari i Bashkësisë lokale të fshatit Gjermë, Ruhan Adili, thekson se problem tjetër në këtë fshat është erozioni i dheut, ndërsa viteve të fundit erozioni është gjithnjë e më shumë evident dhe gjatë kohës kur ka reshje, banorët që janë afër lumit largohen nga shtëpitë.

“Në këtë pjesë, afër lumit, para viteve të 70-ta ka pasur disa mullinj, shtëpi, por pas vërshimeve të vitit 1972 e këndej, gjithnjë banorët janë larguar në pjesën tjetër ose kanë dalë poshtë në lagjen Drenovec. Është rrezik gjithnjë edhe nga erozioni i dheut në këtë fshat, prandaj duhet që të merren masa, sepse në të kundërtën do të përfundojmë keq”, tha Ruhan Adili, kryetar i Bashkësisë lokale të këtij fshati. Përndryshe, para dhjetë viteve në këtë fshat është ndërtuar një sistem për grumbullimin e ujërave nëntokësorë, pasi që pikërisht këto ujëra edhe shkaktojnë erozionin në fshatin Gjermë. Kohëve të fundit, sipas matjeve të bëra, erozioni është më i vogël, por në rrezik janë mbi 40 shtëpi që ndodhen më pranë lumit. Banorët kanë kërkuar që të gjithë institucionet të marrin më seriozisht çështjen e vërshimeve dhe erozionit në këtë fshat që rrezikon edhe fshatra të tjerë.

Ndryshe, fshati Gjermë ka mbi 1000 banorë me rreth 150 shtëpi. Banorët insistojnë që në evitimin e rreziqeve të mëtejshme të kyçet qeveria, por edhe pushteti lokal të cilët duhet që sa më parë të marrin masa për të parandaluar më të keqen. Ata rikujtojnë se në vitin 1972, pikërisht nga vërshimet kishte humbur jetën një 11 vjeçar i cili asnjëherë nuk u gjet. Disa nga banorët nënvizojnë se e vetmja zgjidhje është ndërtimi i kaskadave përgjatë gjithë rrjedhës së këtij lumi. “Nga të reshurat e fundit të shiut kemi pasur dëme të konsiderueshme materiale, si prona të dëmtuara, po ashtu edhe ujësjellësi i fshatit është i dëmtuar, rrugë të shkatërruara, një pjesë e fshatit është ndarë nga pjesa tjetër të gjitha këto janë pasojat e të reshurave të fundit të shiut. Ne si fshat shumë pak e kemi ngritur zërin tonë, apo thënë ndryshe shumë pak të zhurmshëm kemi qenë, sepse kemi konsideruar se dëmi ka qenë pak më i madh në fshatin Poroj, mirëpo domosdoshmërish duhet që të merret në konsideratë se problemi kryesorë i lumit vjen lartë, prandaj edhe një herë kërkojmë nga autoritetet komunale dhe ato shtetërore të merren më seriozisht me këtë dukuri, që lumi i Gjermës apo siç njihet ndryshe edhe si “Lumi i shpejtë” mund të shkatërrojë çdo gjë dhe mund të kemi pasoja edhe në njerëz, pasi që lumi larg fshatit është vetëm diku rreth 30 metra”, tha Vebdi Abdija banor nga ky fshat. Nga ana tjetër, para një jave ishte dëmtuar rrjeti i ujësjellësit edhe në fshatin Gjermë, mirëpo pas intervenimit të Ndërmarrjes publike të Tetovës, është rregulluar ky problem.

Komentet
Top