Prapaskenat e lidhjes Meta-Gruevski me lobistin misterioz të rusëve

IMG_2851.jpg

Dalja në dritë e operacioneve të lobistit ruso-hebre, David Zaikin, nga ana e gjigandit mediatik amerikano-gjerman politico.eu, ka zbardhur vetëm një pjesë të aferës që përbashkonte në interesa politike Ilir Metën dhe Nikolla Gruevskin, shkruan blogeri Isak Arnsdorf në “Propublika“, transmeton “Tesheshi“ .

David Zaikin është njeriu që përfaqësonte interesat e kompanive energjetike ruse jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në radhë të parë në Europë dhe Ballkan.

“Politico” shkruan se Ziakin është lidhur me LSI-në që kur Ilir Meta ka pasur probleme serioze në Departamentin e Shtetit, pra që në vitin 2015.

Ishte koha kur në Maqedoni kishin shpërthyer “bombat” e Zoran Zaev.

Kontakti me njeriun misterioz ka ndodhur në Stamboll, ku si ndërmjetës kanë qenë njerëz shumë të fuqishëm në financat rajonale, por që janë në kundërshtim të fortë me qeverisjen e Presidentit Rexhep Taip Erdogan.

Pikërisht në Stamboll janë takuar së bashku krerët e LSI-së dhe VRMO-DPME-së.

Siç mësohet, Ilir Meta nuk ka qenë prezent në takim, por është përfaqësuar nga një sipërmarrës shumë i rëndësishëm, i cili nuk është pjesë direkt e politikës, por qëndron shumë afër Ilir Metës.

Pikërisht takimi i Turqisë ka qenë edhe lidhja e madhe e konsorciumit të përbashkët të Metës dhe Gruevskit, duke pasur si fije të përbashkëta lidhjet dhe interesat ruse në Ballkan.

Vitin e shkuar, Ilir Meta, si kryetar Kuvendi, gjatë një vizite zyrtare në Pekin, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm me konsorciumin kinez që ka blerë më pas kompaninë kanadeze të naftës Banker Petroleum, e cila ka të drejtat e zonës naftëmbajtëse në Patoz -Marinës.

Edhe pse Meta shoqërohej nga një grup shumë i madh deputetësh në Kinë, takimin me konsorciumin që bleu më pas Bankers-in e ka zhvilluar vetëm për vetëm.

Pjesë nga delegacioni i deputetëve që shoqëronin kanë pasur dyshime që atëherë në lidhje me takimin misterioz të Ilir Metës.

Por mësohet se në atë takim ka qenë prezent dhe “njeriu i një mijë pushteteve dhe një mijë mistereve”, David Ziakin.

Ky i fundit ka sjellë propozimin që në në Patoz- Marinëz të kishin një rol menaxherial kompanitë ruse Gazprom dhe Lukoil.

Që këtu nisin më pas një sërë zhvillimesh të vrullshme në Shqipëri dhe Maqedoni, të cilat lidheshin në një pikë: interesat e përhapjes në Ballkan të influencës energjetike ruse.

E gjithë kjo lojë e madhe mori shpërthimin e fuqishëm kur në SHBA fitoi Donald Trump, kandidati që kishte lidhje me qarqe ruse dhe që vetë David Ziankin arriti të gjente fije periferike.

Gjithsesi, këto fije nuk arritën kurrë që të hynin në brendësi të establishmentit të Trump.

Por Ziankin tentoi që të lobojë për LSI dhe VRMO-DPMNE në një grup kongresmenësh republikanë që të sulmonin ambasadorët e SHBA në Tiranë dhe në Shkup.

Por ajo që bëri bujë, ishte pikërisht burimi apo qendra nga ku u paguan paratë për lobim në SHBA.

Ishte e njëjta pikë, e cila u arrit të zbulohet nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-së, i cili regjistron të gjitha pagesat e bëra për lobim.

Ky informacion iu referua direkt autoriteteve shqiptare nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe u bë publike nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në emisionin Top Story, në fillim të këtij viti, pa hyrë në çadër Partia Demokratike.

Në atë kohë u mendua se bëhej fjalë për Lulzim Bashën dhe lobime të nxitura nga PD-ja. Megjthatë, edhe pse publikisht nuk u tha se ishte LSI burimi i lobimit të përbashkët me Nikolla Gruevskin, Ilir Meta e mori mesazhin se i gjithë operacioni i tij ishte zbuluar, dhe kështu nisi luftën frontale me Edi Ramën.

Por gjithçka u bë e qartë pikërisht kur qarqe mediatike pranë LSI-së mbështetën hapur një koalicion mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.

Dhe në Tiranë u zhvillua lufta më e madhe. Gazeta Express e Prishtinës, e drejtuar nga Berat Buzhala, tashmë njihet si portali mediatik i LSI-së dhe e ka përkrahur hapur atë që prej një viti.

Nga Express doli edhe kërkesa e hapur për të përkrahur Nikolla Gruevskin, pikërisht kur Edi Rama thirri në Tiranë partitë politike shqiptare në Maqedoni ku dhe u vendos “Platforma e Tiranës” dhe bashkimi në një front për t’i thonë “Jo” Gruevskit dhe për të krijuar një aleancë me Zoran Zaev.

Presidenti i Maqedonisë Gjeorgje Ivanov e refuzoi mandatimin e Zaev, duke refuzuar të gjithë kërkesat e Bashkimit Europian.

Ndërkohë në Uashington, lobisti i përbashkët i Metës dhe Gruevskit bëri përpjekjet e fundit për të bindur Departamentin e Shtetit të SHBA që të mos pranonte Zaevin si kryeministër.

Por Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson nuk e pranoi kërkesën që i erdhi nga një grup konferesmenësh dhe mbështeti ambasadorin amerikan në Shkup.

Pikërisht në këtë çast, Vladimir Putin thirri në Moskë Gjeorgje Ivanov dhe u bënë gati trazirat e 27 prillit ku u tentua të likuidoheshin fizikisht Zoran Zaev dhe Zijadin Sela.

Pikërisht kur gota u derdh, Tillerson dërgon në Shkup Hoyt Brian Ye, i cili i bën të ditur Ivanovit se Uashingtoni është në dijeni të lidhjes me rusët e David Ziakin dhe lobimet që ishin paguar me para shumë të dyshimta.

Mësohet se zyrtari i DASH ka folur edhe për origjinën e parave, gjë që mbetet një informacion shumë, shumë sekret.

Të njëjtin dokument Hoyt Yee e solli edhe në Tiranë, ku brenda natës bindi Lulzim Bashën të firmosë paktin me Edi Ramën, duke mënjanuar përfundimisht LSI-në nga pushteti i pas 25 qershorit.

Edhe zhvillimet e tjera që lindën, e kanë burimin pikërisht nga kjo aferë e cila ka brenda involvimin e fuqishëm të rusëve në Shqipëri dhe Maqedoni.

Kryetari i Qytetit të Shkupit nga radhët e VMRO-DPMNE-së së Nikolla Gruevskit, Koce Trajanovski, gjatë fushatës elektorale ka qenë në Tiranë për të marrë pjesë në mitingun e LSI-së. Në miting ka marrë pjesë edhe kryetari i Pustecit, Edmond Temelko, partia e të cilit bashkë doli në zgjedhje me partine Metës. Meta gjatë fushatës paralajmëroi se maqedonasit në Shqipëri do të përfaqësohen në të gjitha fushat dhe nivelet në pushtet, të jetë faktor pa të cilin nuk do të mundet që të formohet Qeveria e ardhshme.

Madje sa për kujtesë, në ditët e çadrës dhe tensionit të lartë në Tiranë, ambasada ruse në Shqipëri kërkoi një personel sigurimi shtesë që u refuzua kategorikisht nga Edi Rama, i cili vendosi forcat RENEA në shërbim 24 orë për të mbrojtur diplomatët rusë.

Por publikimi i gjithë kësaj afere nga një media shumë prestigjoze siç është Politico dhe gazetari Isaac Arnsdorf, që ka burime shumë të rëndësishme në Departamentin Amerikan të Shtetit, hapi shumë “petët e lakrorit” në politikën në Tiranë, sa që pritet të shkaktojë një tërmet të vërtetë në LSI.

Pasojat nisën të jepen që ditën e sotme kur u shkakrua Petrit Vasili, kryetari që aq shumë u përkrah nga Ilir Meta, për ta “blinduar” LSI me një zgjidhje familjare, siç është katapultimi i Monika Kryemadhit, bashkëshortes së Metës në krye të partisë.

Një lëvizje që nuk është aspak politike por që paralajmëron bunkerizimin e kësaj force kah interesave të familjes Meta.

Komentet
Top