Pse po mbyten pushuesit në Shqipëri?! Ja arsyet…

plazhi-durres-deti-me-njerez.jpg

Tjetër fundjavë tragjike në bregdetin shqiptar.

Pas rasteve tragjike të dy javëve më parë ku humben jetën tre qytetarë nga Kosova si pasojë e mbytjes në det, një tjetër tragjedi e shoqëruar me pesë viktima, dy prej tyre shqiptarë të Kosovës e Maqedonisë, është regjistruar në këtë fundjavë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë që pushuesit në bregdetin e Shqipërisë vijojnë të jenë në mëshirë të fatit dhe të dallgëve, pa asnjë shans shpëtimi në momentin kur bëhet fjalë për një person që rrezikon të mbytet.

Tre të rinj, dy vajza dhe një djalë, humbën jetën mesditën e së shtunës në një nga plazhet e Zvërnecit në Vlorë, në vendin e emërtuar Porto Nova.

Manuela Maraj 27 vjeçe, nga fshati Babicë e Madhe e Vlorës, Xhoana Cani 25 vjeçe nga Tirana, si edhe Beniamin Ferati 24 vjeç nga Tetova, janë viktimat e kësaj ngjarjeje që ndodhi rreth orës 14:30 të së shtunës në plazhin e Triportit në Vlorë.

Paraditen e së shtunës, një 14 vjeçar nga Vlora kishte humbur jetën mes dallgëve në plazhin te Shkolla e Marinës në afërsi të Ujit të Ftohtë. Ndërsa 24 orë më parë një 62-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën në Durrës, pasi u mbyt në det duke çuar në katër numrin e personave nga Kosova si pasojë e mbytjes në det në një periudhë 10-ditore.

“Faktori i parë i mbytjeve është moti dhe mosditja e notit. Tjetër faktor janë kushtet shëndetësore, sidomos ato të zemrës, akute. Njëkohësisht edhe ekipet e shpëtimit duhet të jenë prezent”, shprehet Gazmir Demiri, mjek i urgjencës spitalore Durrës.

Përveç dallgëve e mosditjes së notit, mjekja e urgjencës së Durrësit, Nensi Sulstarova ka dhe një apel për pushuesit e grupmoshave të ndryshm.

“Për ne si mjekë është e rëndësishme që moshat e mesme dhe të treta, veçanërisht ata të seksit mashkull, duhet të jenë të kujdesshëm në oraret e drekës dhe në temperaturat e larta. Gastroenteritet shkaktojnë kolapse të enëve të gjakut, hipotension dhe cenim të parametrave vital. Te mbytjet, shkaktarë të tjerë mund të jenë ataku epileptic, ai kardiak. Moshat e reja të jenë të kujdesshëm të mos pinë alkool kur janë në plazh dhe direkt të kalojnë në not. Konsumi i substancave narkotike i përzier me alkool mund të kalojnë direkt në arrest kardiak”, thotë Nensi Sulstarova, mjeke urgjence.

Në shumicën e rasteve, mbytjet janë regjistruar në det me dallgë, në kushtet kur në plazhe mungojnë elementët e detyrueshëm të sigurisë.

“Sigurisht që duhen rojet, pasi jo të gjithë janë të mësuar me detin, me notin. I bëj thirrje organeve kompetente që ta mendojnë edhe këtë gjë”, thotë një pushuese.

Pushteti vendor nuk ka marrë asnjë masë për sigurinë në plazhe, në zbatim të një VKM-je të vitit të kaluar qe ua kalon atij kompetencat, ndërsa mjekët e Urgjencës bëjnë të ditur se në të gjithë plazhet e Durrësit funksionojnë vetëm tre ekipe shëndetësore, një në sektorin “Hekurudha”, një në Gjirin e Lalzit dhe një ekipi në lëvizje i shërbimit të urgjencës së spitalit rajonal të Durrësit.

Komentet
Top