“Puçi” turk pushton gjithë Maqedoninë – VIDEO

PUCI-MAQEDONI.jpg

Puçi në Turqi, kontrovers edhe sot e kësaj dite për botën perëndimore, gjen hapësirë reklamimi dhe fushate, edhe në Maqedoni. Tabela të shumta reklamuese kanë pushtuar rrugët e qyteteve të banuara kryesisht me shqiptarë, por edhe kryeqytetin, edhe në pjesën e banuar kryesisht me maqedonas. Në tabela shkruhet “15 korrik – Demokracia fitoi”, duke iu referuar asaj që pushteti i Erdoganit e quan “Puç” nga forcat gyleniste në Turqi. Këto tabela ngrenë dilemat se si një fushatë, aq më tepër edhe kontroverse, gjen hapësirë në Maqedoni. Për vendosjen e këtyre bilbordeve Ambasada e Turqisë nuk dëshiron të marrë përgjegjësinë, por e hedh atë te Lidhja e OJQ-ve turke “Matusiteb”. Nga kjo lidhje, e kontaktuar nga ALSAT thonë gjithsesi se të gjitha aktivitetet për shënimin e 1 vjetorit të ngjarjeve në Turqi, janë prapëseprapë në koordinim me Ambasadën turke në vend.

 Të gjitha këto aktivitete janë me koordinim të Ambasadës së Republikës së Turqisë. Është marrë vendim në Turqi që të shënohen aktivitete të ndryshme për shënimin e njëvjetorit dhe aktivitete të ngjashme të shënohen gjithandej ku jetojnë turq, ku Turqia ka përfaqësuesit e vet me ambasada, organizata dhe institucione përkatëse. Për të gjitha aktivitetet janë në dijeni të gjitha institucionet përkatëse. Manifestimi qendror do të mbahet më 15 korrik ku do të marrë pjesë edhe kryeministri Zoran Zaev- deklaroi Husrev Emin, kryetar i “Matusiteb”.

 Informacionin e pjesëmarrjes së zyrtarëve të lartë shtetërorë, e konfirmuan edhe nga Qeveria.

Konfirmojmë se në manifestimin qendror më 15 korrik do të marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë, por ende nuk është caktuar se cilët prej tyre do të marrin pjesë- thonë nga qeveria.

Për shpalosjen e bilboardeve janë angazhuar disa firma reklamuese, edhe pse mbetet e paqartë se çfarë kriteresh duhet t’i përmbahet reklamimi, përvec përfitimit financiar që mund të paguajë një subjekt. Pavarësisht kësaj fushate, qytetarët nuk ndjejnë asnjë lidhje me këtë ngjarje. ALSAT iu drejtoi mikrofonin, por shumica e tyre, habiteshin që një ngjarje e tillë mund të shënohet edhe në Maqedoni.

  “Jo, nuk e di”.

“15 korriku, jo nuk e di çfarë është”.

“ Nuk e di, nuk e di, vërtet nuk e di- shprehen disa qytetarë.

Për historianin Vebi Xhemaili, është e palogjikshme dhe e turpshme madje që Turqia përmes aktiviteteve të tilla tenton të manipulojë shqiptarët. Sipas tij, përveç besimit fetar, asgjë tjetër nuk na lidh me Turqinë.

Për mua është një turp shumë i madh. Sepse shqiptarët janë me shpirt demokrat dhe gjithmonë e kanë luftuar absolutizmin duke filluar nga Zogu, nga Enver Hoxha, nga Tito dhe gjithmonë kanë qenë demokrat. Tani unë po habitem si mundet shqiptarët të përkrahin një ideologji absolutiste që po përcillet ne Turqi dhe në vendin tonë….. Një manipulim total i shqiptarëve, veçanërisht i shqiptarëve mysliman të cilët ende e kanë kokën nga Turqia. Aty ka edhe një lëvizje tjetër e cila po mbahet si e fshehtë por qëllimet i ka shumë të dëmshme. De-fakto e dejure, historikisht ne shqiptarët nuk kemi asnjëfarë lidhje fisnore dhe gjaku me turqit, ne shqiptarët vetëm për nga besimi jemi të afërt– tha në telefon Vebi Xhemaili.

Alsat pyeti edhe në Ministrinë e Jashtme se si një shtet mund të ngrejë dhe financojë fushata politike për aktivitetet të veta të brendshme, por nuk mori përgjigje. Nga ana tjetër, përveç periudhës ligjore të fushatës zgjedhore, firmat reklamuese nuk kanë asnjë rregullativë kufizuese për reklamimet. Mjafton vetëm pagesa dhe cilido subjekt mund të përdorë dhe manipulojë opinionin publik me mesazhe, qofshin ato edhe të dëmshme. I vetmi barometër kufizues, është ndërgjegja e opinionit publik.

Melihate Rustemi Alsat

Komentet
Top