Rama në Stamboll: Shqipëria, front i ri për burimet e naftës. Serbia do të furnizohet me gaz përmes Kosovës

0-60.jpg

Kryeministri Rama, i ftuar në Kongresin e 22 Botëror të Naftës në Stamboll të Turqisë, i bëri thirrje investitorëve të huaj që të vijnë të investojnë në Shqipëri në fushën e gazit dhe të naftës.

Rama tha se Shqipëria ka rezerva të mëdha të pashfrytëzuara të naftës e gazit dhe theksoi që të shtohen përpjekjet për më shumë bashkëpunim mes vendeve të rajonit.

“Duhet të shfrytëzojmë burimet e naftës. Tranzicion kritik i nevojës së energjisë, na detyron të forcojmë përpjekjet për më shumë efikasitet dhe bashkëpunim së bashku në këtë fushë. Fokusi kryesor është rritja e furnizimit të konsumatorit shqiptar, por industria e naftës është e rëndësishme për një sërë faktorësh. Shqipëria ndodhet si një udhëkryq midis lindjes e perëndimit sipas vendosjes së saj gjeografike. Megjithatë ne kemi arritur të ndërtojmë një agjendë të bashkëpunimit rajonal në këtë fushë. Ne gjendemi në një prej fushave më të madh të naftës në rajon, me mbi 200 milionë fuqi rezerva nafte në vit, – shpjegoi Rama. – Ka shumë për të folur për të ardhmen e suksesshme dhe lajmi i fundit është se është zbuluar një burim i madh gazi në Shqipëri. Por objektivi ynë është të përparojmë në tregun evropian”.

Kreu i qeverisë shtoi se me gjithë këto rezerva të pafundme të naftës, Shqipëria mund të shndërrohet në një front të ri për burimet e “arit të zi” në të ardhmen”.

Ky është momenti më i mirë për të investuar në industrinë e gazit e naftës në Ahqipëri. Ndaj me të drejtë lind pyetja: a mund të bëhet Shqipëria një front i naftës? Besoj se kjo mund të arrihet dhe t’ia dalim. Falënderoj presidentin Erdogan për bashkëpunimin me Turqinë në këtë fushë. Prandaj është e nevojshme të qëndrojmë në krah njëri tjetrit për më shumë bashkëpunim mes popujve”, – u shpreh Rama.


Serbia do të furnizohet me gaz përmes Kosovës

Zgjerimi i rrjetit ndërkombëtar të gazit nga Shqipëria pritet të përfshijë Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën e Kroacinë, e nëpërmjet degëzimit të Kosovës, edhe Serbinë.

Këtë e ka paralajmëruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e mbajtur në Kongresin Botëror të Naftës që po zhvillohet në Stamboll, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo strategji, sipas Ramës, bazohet në kompletimin e suksesshëm të gazsjellësit TAP, që pritet të përfundojë në vitin 2019 dhe me shpresën se Bashkimi Evropian do të mbështesë zgjerimin e TAP-it drejt Malit të Zi, Kroacisë, Bosnjës, Kosovës e Serbisë.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri i Shqipërisë ka nënvizuar faktin se vendi i tij ndodhet mbi një prej fushave më të mëdha të naftës në tokë në Evropë.


Bashkëpunimi ekonomik e tregtar, Rama takon Yildirim

Kryeministri Edi Rama është takuar në Stamboll me homologun e tij turk, Binali Yildirim, teksa po merr pjesë në Kongresin Botëror të Naftës që po mbahet në këtë shtet.

Kryeministri Rama njoftoi me anë të një postimi në “Facebook” për takimin me homologun e tij turk. “Me kryeministrin Binali Yildirim për planet e katërvjeçarit të ardhshëm me synim kryesor fuqizimin e konsiderueshëm të bashkëpunimit ekonomik e tregtar”, shkroi Rama në “Facebook”.

Më herët, në fjalën e tij në Kongres, Rama u shpreh se Shqipëria mund të kthehet në një destinacion investimesh për kompanitë e mëdha.

“Vendi ynë ka rezerva të pashfrytëzuara që mund të na bëjnë frontin e ri të naftës, larg nga nxehtësia e Lindjes së Mesme. Bashkëpunimi ynë qeveritar me kompanitë e sektorit privat është shumë i rëndësishëm për të siguruar një rritje të vijueshme të sektorit të naftës”, ka thënë Rama.

Rama ka theksuar se, fokusi kryesor i qeverisë së tij është rritja e furnizimit për konsumatorët shqiptarë dhe vijimi i përparimit drejt integrimit të tregut energjitik shqiptar në atë ballkanik e më pas në atë europian, nisur nga pozicioni strategjik dhe rezervave të mëdha.

“Për shkak të vendndodhjes gjeografike, Shqipëria do të gjendet përgjatë një prej itinerareve më të mëdha energjetike të botës, që është TAP. Gjithashtu, ne gjendemi në një prej fushave të naftës më të mëdha “onshore” në Europë, me 220 milionë fuçi nafte”, ka thënë Rama.


Ndërtimi i linjës ajrore shqiptare në fazën e konkretizimit

Në mbyllje të vizitës dy ditore në Turqi, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar selinë qendrore të “Turkish Airlines”.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Rama shkruan se në takim u diskutua për ecurinë e projektit ambicioz të ndërtimit të linjës ajrore ahqiptare, i cili tanimë ka hyrë në fazën e konkretizimit, me mbështetjen logjistike dhe teknike të kompanisë turke.

“Në selinë qendrore të Turkish Airlines në mbyllje të vizitës, ku u diskutua për ecurinë e projektit ambicioz të ndërtimit të Linjës Ajrore Shqiptare, i cili tanimë ka hyrë në fazën e konkretizimit, me mbështetjen logjistike dhe teknike të kompanisë turke nën kujdesin e drejtëpërdrejtë të Presidentit Erdogan”, shkruan Kryeministri Rama në postimin e tij në Facebook.

Komentet
Top