Rasti “Bleta” në Shkup: Policia thotë se do të parandalojë islamin radikal – VIDEO

17264306_1816197555297943_5865740974058438287_n-1.jpg

Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masa rreth njoftimit përfundimtar të një dite më parë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale për ekzistencën e institucionit jolegal “Bleta”.  Nga MPB-ja thonë se këto masa janë në kuadër të parandalimit të radikalizmit të të rinjve dhe parandalimit të ekstremizmit.

Republika e Maqedonisë është shtet multi-etnik dhe multi-konfesional në të cilën, e drejta e lirë për shprehje të besimit fetar dhe përkatësisë etnike është e garantuar. Megjithatë, të ballafaquar me tendencat në rritje të përpjekjeve për radikalizim të të rinjve, Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me institucionet e tjera përgjegjëse ka marrë masa dhe aktivitete për parandalimin e radikalizmit adresuar grupeve të ndjeshme,  veçanërisht nxënësve dhe fëmijëve të moshës parashkollore. Gjithashtu, në rrjedhë është edhe krijimi i programeve të aplikueshme për ç’radikalizim dhe parandalim nga radikalizimi, te të cilat janë përfshirë në mënyrë aktive disa aktorë shoqërorë, organe drejtuese të shtetit, organizatave joqeveritare dhe grupeve të bashkësive fetare. Identifikimi në kohë, parandalimi i këtyre fenomeneve që cenojnë sigurinë, paraqesin prioritet edhe në strategjitë e reja të luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, thanë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Qëndrimi i MPB-së vjen një ditë pasi u njoftua se në objektin në rrugën 173 numër 8 në Shkup ekziston institucion jolegal i cili përkujdeset për fëmijë nga mosha parashkollore duke kryer njëkohësisht edhe edukim të karakterit fetar, në kundërshtim me ligjin për mbrojtjet e fëmijëve. ALSAT mëson se të dhënat rreth veprimtarisë së këtij kopshti janë shpalosur sot, edhe pse nuk jepen detaje specifike lidhur me ndonjë vendim rreth tyre dhe cilat janë masat konkrete. Sikurse njoftoi edhe vetë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në shqyrtim kanë qenë edhe tre ambiente të tjera, me veprimtari që është vendosur në shqyrtim nga autoritetet.

Ndërkohë, ALSAT kërkoi sot sqarime edhe nga ish ministrat për Punë dhe Politikë Sociale, Dime Spasov dhe Frosina Remenski, duke qenë se veprimtaria e çerdhes “Bleta” kishte nisur që nga viti 2014. Spasov ishte i pakapshëm për ALSAT, pavarësisht pyetjes së dërguar nga ALSAT lidhur me funksionimin e çerdhes “Bleta”, njohuritë e tij rreth veprimtarisë së çerdhes, dhe faktin e mosregjistrimit të saj në regjistrat shtetërorë. Ndërkohë, ne kontaktin me ish ministren Remenski gjatë qeverisë teknike, sot morëm përgjigje se ajo nuk ka qenë në dijeni të këtij rasti, dhe nuk ishte informuar asnjëherë, as për çerdhen dhe as për veprimtarinë e saj.

 Gjatë periudhës derisa unë isha ministre e Punës dhe Politikës Sociale nuk kemi pasur njohuri dhe asnjë lloj informacioni për ekzistimin e një kopshti të tillë – u shpreh Frosina e Remenski, ish ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Një ditë më parë, inspektorët për punë dhe politikë sociale dolën në terren, por gjetën dyert e mbyllura të kopshtit “Bleta”. Kontrolli është kryer në bazë të dispozitave të Ligjit për mbrojtje të fëmijëve dhe pas informacioneve të marra për kryerje të veprimtarisë: përkujdesje dhe edukim të fëmijëve, në institucion i cili nuk është i evidentuar në Regjistrin për institucione fëmijësh pranë Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, dhe që ka vepruar në kundërshtim më Ligjin. Sikurse ka njoftuar ALSAT gjatë ditëve, fëmijë që janë edhe më të vegjël se 6 vjeç, janë keqpërdorur për të manifestuar ritual fetare, e ndaluar me ligj për moshën e mitur të tyre.

Komentet
Top