Reka: Qeveria me bazë të gjerë, më e preferuara

845X486574874_blerim-reka-620x330.png

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Reka, i ka ftuar subjektet politike në Kosovë t’i formojnë sa më shpejt institucionet e reja dhe ta shmangin përsëritjen e ndonjë krize politike.

Ai ka thënë se liderët partiakë duhet të ngriten mbi interesat personale për ta formuar sa më shpejt qeverinë e re. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Reka ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës i kanë votuar liderët e tyre si shtetarë të ardhshëm e jo si tregtarë votash. “Duhet tejkaluar inatet ndërpartiake dhe liderët të ngritën mbi matematikat e llogarive votuese, sikur të ishin tregtarë të vegjël. Ata janë votuar si shtetarë të ardhshëm e jo si tregtarë votash. Populli ua dha mandatin për të qeverisur vendin e jo për të dëshmuar kush më shumë e duka (pu)shtetin. Testi është i qartë: shteti apo pushteti? Nëse vërtet e duan të parin, para të dytit, atëherë qeverinë do ta formojnë shpejt”, ka thënë Reka.
Ai ka bërë me dije se me vonesat e ndërtimit të institucioneve të reja, Kosova do të dërgonte një mesazh joserioz tek partnerët ndërkombëtarë. “Përsëritja e episodit gjashtëmujor të vonesës së qeverisë nga zgjedhjet e kaluara, do të ishte jo vetëm e dëmshme për Kosovën, por mesazh joserioz ndaj komunitetit euroatlantik. Të vetmit që do t’i gëzoheshin një agonie të zgjatur joqeverisëse do të ishin ata që janë jashtë këtij komuniteti”, ka thënë Reka.
Më tej, Reka ka preferuar që Kosova ta ketë një qeveri me bazë të gjerë. Sipas tij, një qeveri e tillë është e nevojshme, duke pasur parasysh proceset me të cilat do të përballet Kosova gjatë këtij mandati. “Sigurisht se qeveria minore do të ishte e fundit që do t’i nevojitej Kosovës. E pamë se çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të fundit të vitit 2014, kur edhe një qeveri relativisht e qëndrueshme në numra nuk arriti për tre vjet ta qeverisë vendin. Fundja, siç u pa, ajo edhe ra nga mosmarrëveshja e vet partnerëve të koalicionit qeverisës e jo nga votat e opozitës”, është shprehur Reka.
“Epoka e re”: Si e shihni formimin e qeverisë së re në Kosovë?
Reka: Si vendimtare. Jo vetëm për tejkalimin e ngërçit aktual postelektoral por, para së gjithash, si dëshmi e pjekurisë shtetformuese. Shteti nuk mbahet me deklarata patriotike e folklorizëm krahinor. As zgjedhjet nuk u mbajtën për të dëshmuar kush e do më shumë këtë shtet. Se dashuria për shtetin është kategori subjektive, por vetëm përkushtimi për shtetin është objektiv. Pas fushatës zgjedhore, kjo ndoshta edhe mund t’u falej premtimeve të paarritshme, por jo edhe sot, kur tash e gati dy muaj pas zgjedhjeve, Kosova është pa qeveri. Një Belgjikë demokratike dhe e pasur ndoshta dhe mund t’i lejonte vetes para ca vitesh gati një vit përpjekjesh për formimin e qeverisë, por sigurisht jo një Kosovë, që ende nuk mbushi moshën dhjetëvjeçare të shtetësisë, është larg nga demokracia belge, e pakrahasimisht më e dobët ekonomikisht. Prandaj, duhet tejkaluar inatet ndërpartiake dhe liderët të ngritën mbi matematikat e llogarive votuese, sikur të ishin tregtarë të vegjël. Ata janë votuar si shtetarë të ardhshëm e jo si tregtarë votash. Populli ua dha mandatin për ta qeverisur vendin e jo për të dëshmuar kush më shumë e duka (pu)shtetin. Testi është i qartë: shteti apo pushteti? Nëse vërtet e duan të parin para të dytit, atëherë qeverinë do ta formojnë shpejt. Përsëritja e episodit gjashtëmujor të vonesës së qeverisë nga zgjedhjet e kaluara do të ishte jo vetëm e dëmshme për Kosovën, por mesazh joserioz ndaj komunitetit euroatlantik. Të vetmit që do t’i gëzoheshin një agonie të zgjatur joqeverisëse do të ishin ata që janë jashtë këtij komuniteti.
“Epoka e re”: Dy të nominuarit e subjekteve politike për postin e kryeministrit, z. Haradinaj dhe z. Kurti, pretendojnë se do ta formojnë qeverinë e re. Kush mendoni se i ka gjasat më të mëdha ta bëjë këtë?
Reka: Nuk më takon mua t’i mas gjasat e dy të nominuarve. Është çështja kush arrin të dëshmojë se ka siguruar shumicën për formimin e qeverisë. Me sa shoh, së paku këta dy muaj, pos deklarimeve verbale, nuk ka shenja që qeveria mund të formohet nesër. Pres që mandati nga presidenti do t’i jepet koalicionit PAN, nëse dëshmon se i ka 61 nënshkrime. Nëse jo, atëherë i jepet partisë, apo koalicionit paszgjedhor që e dëshmon këtë shumicë parlamentare. Nga ajo që shoh, koalicioni i prirë nga LDK-ja, publikisht hodhi çfarëdo mundësie ta formojë qeverinë me PAN-in. Ndërkaq ka përafrime nga LAA, se do të mund ta formonte qeverinë me Lëvizjen Vetëvendosje!
“Epoka e re”: Duke i pasur parasysh proceset që Kosova ka përpara, çfarë qeverie do t’i duhej Kosovës: një qeveri minore me një opozitë të fortë, apo një qeveri me bazë të gjer?
Reka: Sigurisht se qeveria minore do të ishte e fundit që do t’i nevojitej Kosovës. E pamë se çfarë ndodhi pas zgjedhjeve të fundit të vitit 2014, kur edhe një qeveri relativisht e qëndrueshme në numra nuk arriti për tre vjet të qeverisë vendin. Fundja, siç u pa, ajo edhe ra nga mosmarrëveshja e vet partnerëve të koalicionit qeverisës e jo nga votat e opozitës. Çka pritni se do të ndodhë nëse do të formohej një qeveri minore që mezi tejkalon 61 deputetë me një opozitë të fortë, që do ta bllokojë çdo nismë legjislative? Sigurisht se qeveria me një bazë të gjerë do të ishte shumë më mirë, sepse do të siguronte një qëndrueshmëri qeverisëse dhe nuk do të varej nga ndikimet e fqinjëve që përmes deputetëve të mund ta mbajnë peng agjendën qeveritare dhe në çdo moment ta inskenonin votëbesimin e saj. Ky model i qeverisë me një bazë të gjerë, po tregohet i suksesshëm, bie fjala, në Gjermani, ku qeverisin edhe parti të spektrit të ndryshëm ideologjik; pse të mos ndodhë në Kosovë, ku edhe ashtu kufiri ideologjik midis partive politike është aq poroz.
“Epoka e re”: Cilat duhet të jenë prioritet e qeverisë së re?
Reka: Nuk zbuloj asgjë të re nëse them se vazhdimi i orientimit euroatlantik, zhvillimi ekonomik dhe lufta kundër korrupsionit duhet të jenë tri shtyllat e para të programit qeveritar. Por, këto prioritete do të përballen nga tri kërkesat e ndërkombëtarëve: bashkëpunimi me Gjykatën Speciale, demarkacioni me Malin e Zi dhe ‘Zajednica’. Cilado qeveri që formohet, do të ketë agjendë tejet të vështirë. Prandaj, nuk di nëse ai që do ta formojë qeverinë e re, më shumë do të gëzohet apo pendohet? Qeveria e re do ta ketë vendimmarrjen më të vështirë, sepse duhet të marrë vendime jo aq të lehta e aq më pak atraktive elektorale. Mirëpo këtu edhe dëshmohet lidershipi i vërtetë shtetëror: ta tejkalojë prijësin e partisë dhe ta marrë rolin e prijësit shtetëror. Historia njeh shumë shembuj ku burrështetasit kishin marrë vendime jo të lehta për momentin, por shumë vizionare për historinë. Sa do të jenë në gjendje ta kuptojnë këtë transformim postelektoral liderët partiakë aq më mirë për ta dhe për Kosovën.
“Epoka e re”: Po në raport me procesin e integrimit evropian, çfarë duhet të ndryshojë qeveria e re?
Reka: Sigurisht se duhet kaluar nga qasja deklarative në atë vepruese. Fillimisht duhet të kuptohet se integrimi në BE dhe NATO nuk është për të mirën e Brukselit, por për të mirën e Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky është integrim vullnetar jo me dhunë. Nëse do t’i bashkohesh klubit, ky klub ka rregulla e standarde që duhet t’i plotësosh. Ato janë të panegociueshme (take it or leave it). Sigurisht se në këtë klub nuk hyhet me lider të korruptuar, as me praktika që tolerojnë këtë korrupsion, aq më pak me gjyqtarë që nuk ndjekin të korruptuarit. Në komunizëm bëhej e madhe nëse një funksionar shtetëror me rrogë shtetërore kishte një shtëpi në Gërmi dhe një veturë pak më të shtrenjtë. Por, në periudhën e post-komunizmit, si të shpjegohet që shtetarët me rroga buxheti kanë ndërtesa, nga disa shtëpi, e nga disa vetura? Sigurisht se votuesit nuk i kishin votuar që kështu t’i prishnin tatimet e paguara nga rrogat e tyre. Vetëm kur Sllovakia u lirua nga ish-kryeministri i saj i korruptuar Mechair, asaj iu hap rruga drejt Brukselit. Vetëm kur Kroacia e filloi gjykimin e ish-kryeministrit Sanader, ajo u pranua në BE. Pra, një herë duhet të ekzistojë vullneti i qartë politik: a duam vërtet të hyjmë në BE apo jo; por jo vetëm me përsëritje deklarative se jemi për integrime euroatlantike e në praktikë veprojmë sipas praktikave latino-amerkane apo afrikane. Nëse ky vullnet politik i qeverisë së re ekziston, asaj i duhen kapacitete administrative dhe resurse njerëzore për implementimin e tij, kjo nën parakushtin që të mos bllokohet nga pesëshja kundërshtuese e BE-së.

 

Komentet
Top