Reka: Zaev do të ndryshojë qëndrimin për Kosovën

Blerim-Reka.jpg

Edhe përkundër deklaratave të kryeministrit Zoran Zaev se Maqedonia duhet të tregohet neutrale gjatë votimit “për” ose kundër pranimit të Kosovës në UNESKO, një pjesë e analistëve mendojnë se kjo mund të ndryshojë. Analisti Blerim Reka mendon se prapëseprapë për shkak të përbërjes së kabinetit të qeverisë, dhe votave të shqiptarëve, qeveria e re nuk do ta problematizojë kyçjen e Kosovës në institucionet relevante ndërkombëtare.

Kur e them këtë bindjen time e bazoj në tri fakte që nuk mund të injorohen assesi. Fakti i parë është që nuk mund të injorohet vullneti politik i 25%-shit të popullatës së këtij vendi, fakti i dytë është se nuk mund të injorohen votat të cilat edhe e sollën qeverinë e re, përkatësisht pa të cilat nuk do të mund të formohej kjo qeveri pa votat e partnerëve të koalicionit dhe sidomos është fakti i tretë që nuk guxon dhe nuk mund të injorohet është qëndrimi zyrtar i miqve tanë euroatlantik, pra i BE-së dhe SHBA-ve, të cilët zyrtarisht kanë thënë jo njëherë që do ta mbështesin, përkrahin, fuqizojnë anëtarësimin e Kosovës jo vetëm në UNESCO por në të gjitha organizatat ndërkombëtare përfshi këtu edhe në Kombet e Bashkuara – deklaroi analisti Blerim Reka.

Ndërsa analisti Petar Arsovski mendon se qeveria në krye me Zaevin duhet t’i ndjek hapat e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me çështjen e Kosovës.

Për momentin Shkupi është e bllokuar në trekëndëshin Shkup – Beograd – Prishtinë për dy arsye: një, për shkak të pozitave dirigjuese të Beogradit dhe Prishtinës dhe për arsyen e dytë se qeveritë në Beograd dhe Shkup nuk janë prej dy partive të binjakëzuar siç ishte rasti në të kaluarën. Dhe në këtë aspekt mendoj se tensionet për këtë temë do të vazhdojnë të paraqiten, por Zaev duhet të ketë parasysh se shumica parlamentare momentalisht varet edhe prej votave të shqiptarëve si dhe prej koalicionit me partitë shqiptare në Maqedoni. Kështu që, prej Zaevit pres që ndjek lidershipin e faktorit ndërkombëtarë, dhe se në periudhën e ardhshme më aktive do të jetë përkrahja për Kosovën ndërsa për detyrë shtëpie do të ketë që me strategjinë në zhvillim e sipër, të ndërtojë raportet me Beogradin – tha analisti Petar Arsovski.

Kryeministri i ri Zoran Zaev në prononcimin e tij të fundit tha se Maqedonia duhet të tregohet mjaft e kujdesshme dhe të ndërtojë raporte miqësore si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë dhe se do të mbajë qëndrim neutral gjatë votimit të Kosovës për në UNESCO./Alsat

Komentet
Top