Rrëfehet dëshmitari: Ja e vërteta e vdekjes së turistes ruse në Ksamil

ksamil-ishujt.jpg

Ngjarja e rëndë që ndodhi në ishujt në Ksamil, ku një e re ruse u nxor e vdekur nga deti, ka tronditu opinionin publik dhe akoma më i rëndë ka qenë përjetimi i pushuesve që kanë parë gjithë skenën në ato momente.
Njëri prej të pranishmëve bën me dije në një komunikim me JOQ.al se vajza nuk ka rënë nga shkëmbi, por është goditur nga një motor uji, i cili ka qenë brenda zonës së ndaluar për këto mjete.

Sipas tij, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës.
“Në tragjedinë që ndodhi në Tre ishujt e Ksamilit vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çarje në trup dhe goditje në kokë”, – tregon pushuesi, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.

Ai shton më tej se situata në Ksamil është me të vërtetë e frikshme, duke qenë se as 200 metra larg bregut të detit lundrojnë me shpejtësi motorë uji, të cilët rrezikojnë seriozisht jetën e të gjithëve dhe askush nuk bën as një gjë për të ndalur këtë rrëmujë të madhe.

Komentet
Top