Rusia prezanton “Fedor”-in, ushtarin e parë android për hapësirën – FOTO

0a-8.jpg

“Fedor ka treguar aftësi në qitje me të dyja duart. Jemi duke punuar për të zhvilluar aftësitë motorike dhe duke punuar mbi algoritmet vendimtare”.

Ka qenë triumfues një njoftim në “Twitter” i zv.kryeministrit të Federatës Ruse, Dmitri, Rogozin, i pranishëm në Moskë, në godinën “Roscosmos”, Agjencia Hapësinore Ruse, gjatë testimit të provave të ushtarit të parë android, i quajtur ndryshe “Fedor”, i cili do t’i bashkohet ushtrisë për t’u dërguar i vetëm për misione në hapësirë.

Fedor, akronim për “Final Experimental Demonstration Object Research” është në gjendje për të qëlluar dhe goditur shënjestrën me të dyja duart, siç tregojnë testet e shpërndara në “Twitter” nga zv.kryeministri Rogozin.

Ushtari mekanik, me karakteristika njerëzore, ka mësuar tashmë të përdorë tastierën, të shuajë një zjarr, të drejtojë një makinë dhe të përdorë një sharrë dhe një saldatriçe. Objektivi është për ta dërguar në misione hapësinore të vetëm që prej vitit 2021.

Së bashku me të, pritet të testohen edhe robotë-ushtarë të tjerë. Faza e ardhshme do të jetë drejtimi i makinës për të marrë vendime në situata të vështira.

I ndërtuar në vitin 2014, “Fedor” ishte menduar fillimisht për të zëvendësuar qeniet njerëzore në kushte me rrezik të lartë, duke përfshirë operacionet e shpëtimit.

Por një nga detyrat e tij më të mëdha, do të jetë zbarkimi në hapësirë i vetëm, në bordin e anijes së vënë në dispozicion nga Federata Ruse. Takimi është caktuar për vitin 2021.

Komentet
Top