Sela: Po bisedohet shkrirja e “Aleancës për shqiptarët” në një parti

aleanca1-1.jpg

LR-PDSH ka mbledhur sot Kuvendin qendror ku në rend dite është paraparë edhe zgjedhja dhe emërimi i funksionarëve të rinj në strukturat partiake. Në mbledhje, shkruan SHENJA, mësohet se ka pasur zëra që kanë kërkuar ndryshime në udhëheqësinë partiake, nga anëtarë të cilët këtë gjë e kanë kërkuar edhe publikisht përmes deklaratave dhe rrjeteve sociale. Por kreu i kësaj partie, Ziadin Sela tha se bëhet fjalë për mbledhje të rregullt të Kuvendit dhe për debat të brendshëm partiak duke mohuar të ketë diçka më shumë.

Ai njoftoi se do të zgjidhen edhe nënkryetar të partisë nga katër njësitë ku ka garuar kjo parti. Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve për kushtet e kësaj partie dhe platformën shqiptare, Sela tha se ligji për gjuhën shqipe mund të miratohet në Kuvend edhe para se Komisioni i Venedikut të jep mendim.

Ai gjithashtu komentoi edhe propozimin për rishikimin e buxhetit ku tha se janë përfshirë pjesë nga programi i partisë së tij, ndërsa për pikat kryesore si zhvillimi i barabartë rajonal tha se duhet të pritet buxheti i ri pasi rishikimi sipas tij kufizon ndërhyrjet që mund të bëhen në buxhet.

Kreu i LR-PDSH Ziadin Sela, njoftoi se punohet në drejtim të shkrirjes së tre partive të Aleancës për Shqiptarët në një parti të vetme që do të mbajë këtë emër. Por ai tha se për këtë vendim do të presin kongresin e RDK-së.

Komentet
Top