Shansi i Edi Ramës

edi.jpg

Nga Augustin Palokaj

Ka pasur shumë analiza rreth fitores bindëse të Partisë Socialiste në Shqipëri, arsyeve pse ajo fitore ishte me dallim aq të madh, çfarë do t’i sjellë ajo Shqipërisë, dhe cilat janë rreziqet e saj. Fitorja e PS-së është analizuar edhe në shumë qarqe evropiane.

Nuk ka shumë vende në Evropë ku e majta e qendrës arrin një sukses të tillë në kohën kur janë rritur populizmat, por edhe mbështetja për ekstremistë, qofshin të djathtë apo të majtë. Nga qarqet e së majtës evropiane kjo fitore e PS-së në Shqipëri, krahas arritjes së socialistëve që të krijojnë Qeverinë e re në Maqedoni, suksesit të madh që ka arritur Vetëvendosje në Kosovë, është parë si një konsolidim dhe rikthim i së majtës edhe në Ballkan. E djathta e qendrës në Evropë është më e konsoliduar sesa e majta. Ecja drejt qendrës zakonisht u ka kushtuar më shumë të majtëve sesa të djathtëve. Në kohën e krizës financiare, masave shtrënguese, njerëzit janë kthyer nga e majta ekstreme.

Ka ndodhur kjo në Greqi, Itali, Spanjë, Qipro, ndërsa edhe brenda laburistëve britanikë kanë fituar forcat të cilat anojnë nga e majta sesa nga qendra. Tash me daljen e të gjitha shteteve të BE-së nga recesioni, me faktin se të gjitha shtetet anëtare tash kanë rritje ekonomike, po zvogëlohet papunësia, janë krijuar kushte që të luftohen ekstremizmi i djathtë dhe i majtë në Evropë, edhe ata që për secilin problem fajin e shohin te të huajt e edhe ata që mendojnë se varfëria është shkaktuar nga ekonomia liberale e tregut.

Prandaj në Evropë pritet që të rritet konkurrenca mes tri apo katër grupeve të mëdha partiake, të djathtës së qendrës që grumbullohen në Partinë Popullore Evropiane, ku nga Kosova dhe Shqipëria janë anëtare LDK-ja dhe PD-ja e Partia Republikane, socialistëve dhe demokratëve, ku është PS-ja nga Shqipëria dhe është në përpjekje për t’u futur Vetëvendosje nga Kosova, grupimi liberal, ku nga Kosova janë AKR-ja dhe Gjergj Dedaj (për të cilin nuk dihet se çfarë partie i përket tani) dhe grupimi i partive të gjelbra që kanë rritje në Evropë, por si koncept politik janë të panjohura ndër shqiptarët.

Nëse diçka është e mirë nga rreshtimi i partive të rajonit në këto grupime politike është se ato ndihmojnë në emancipimin demokratik dhe evropian të tyre. Për fat të keq këtë rast nuk e shfrytëzoi PD-ja e Shqipërisë, e cila edhe në kohën e Sali Berishës, edhe në atë të Lulzim Bashës funksiononte me konceptin e njëjtë, me atë të luftës verbale në stilin shqiptar e jo me një frymë evropiane, të cilën ka mundur ta ketë mësuar në Holandë presidenti i PD-së. Për një ish-ministër të Punëve të Brendshme, për një lider të një partie që ishte aq shumë në pushtet, ishte huqje e madhe që tërë fushatën kundër pushtetit ta bazojë në kritikat për drogën.

Jo që nuk ishte ky problem në Shqipëri, por atë shqiptarët e as Evropa nuk e kuptonin si bindëse kur kjo vinte nga ata që së paku në të njëjtën masë ishin përgjegjës për një gjendje të tillë. Goditja që mori PD-ja në Shqipëri dhe goditja që më vonë morën partitë që nuk kanë ndryshuar gjë në funksionimin e tyre në Kosovë, janë shenja të emancipimit politik të shqiptarëve. Dhe ky është një rast që mund të shfrytëzohet. Sepse pa pasur funksione vërtet demokratike, nuk mund të ketë as shtet funksional dhe demokratik. E përvoja ka dëshmuar se partitë më së miri emancipohen dhe reformohen kur i ndryshojnë rolet, kur kanë përvojë edhe si parti në pushtet, edhe si parti opozitare.

Fitorja aq bindëse e Partisë Socialiste në Shqipëri ka krijuar një rast të mirë për Edi Ramën që atë ta shfrytëzojë për reforma po aq bindëse. Rama nuk do të ketë nevojë për partnerë në pushtet, të cilët edhe mund ta kushtëzojnë. Por kjo sjell edhe një përgjegjësi më të madhe, sepse nuk ka me kë ta ndajë atë. PS-ja dhe Rama duhet të ruhen nga rreziku i rritjes së arrogancës që shpesh u ndodh atyre të cilët janë aq të fortë në krahasim me kundërshtarët politikë.

Sa ishte e rëndësishme mposhtja e PD-së me dallim aq të madh në vota dhe me vende në Kuvend, për PS-në ishte e rëndësishme edhe që siguroi pushtetin pa nevojën që të jetë e varur nga LSI-ja e Ilir Metës dhe e bashkëshortes së tij. LSI-ja do të mbetet një fenomen në politikën shqiptare. Kur ajo ishte krijuar, si parti e majtë, hyri në koalicion me PD-në e qendrës së djathtë. Në atë kohë PS-ja e kishte më shumë në shënjestër të sulmeve LSI-në sesa edhe PD-në.

Partia atëherë opozitare PS bëri gjithçka që Brukselin ta bindë se LSI-ja dhe lideri i sajë Meta janë të përfshirë në afera korruptuese. Episod i pashlyeshëm në histori mbeti tregimi me atë videokasetën e Top Chanelit, të cilën me aq agresivitet nëpër zyra të Brukselit e përhapte PS-ja. Dhe, pa marrë parasysh këtë, e njëjta PS hyri në koalicion me LSI-në, duke lënë gojëhapur ato qarqe evropiane të cilat i bombardonin me sulme ndaj Metës dhe LSI-së. Kjo u arsyetua nga PS-ja me pohimet se “po bashkohet e majta” dhe se “kështu duan edhe evropianët!”

Kështu, në dy cikle LSI-ja u bë komode në rolin e atij që quhet në politikë “king Maker”, ai që vendos se kush do të jetë në pushtet. Por këtë rol tash e humbi, sepse dallimi mes PS-së dhe PD-së është aq i madh, saqë LSI-ja më nuk mund ta kushtëzoj askënd. Por reformat në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhen në mënyrë të pavarur, me mbështetje, por pa përzierje nga politika. Në rast se kjo do të bëhet në mënyrë selektive, bazuar në referencat dhe interesat politike, Shqipëria nuk do të lëvizë shumë në procesin e integrimeve evropiane.

Tash PS-ja nuk do të mundë të arsyetohet se partneri i koalicionit pengon ndonjë reformë. Këtë e ka parasysh edhe Bashkimi Evropian, i cili, nëse pas krijimit të Qeverisë nuk do të ketë vonesa në zbatimin e reformës në drejtësi, do të mundë të vendosë që në vjeshtë për ndonjë datë eventuale të nisjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Një gjë e tillë do të ishte sinjal edhe për Shqipërinë e për rajonin, por edhe për Bashkimin Evropian. U duhet gjithsesi një dëshmi se procesi i integrimeve evropiane është konkret dhe i mundshëm dhe Shqipëria është një rast për të dëshmuar këtë.

Dhe sikur ka qenë gjithmonë, e nuk është kuptuar sa duhet në Shqipëri nga klasa politike, integrimet i bën shteti, dhe në realizimin e këtij interesi kombëtar opozita dhe Qeveria duhet të jenë bashkë. Një prej arsyeve pse Shqipëria ka negociuar aq shumë në krahasim me vendet e tjera të rajonit në procesin e integrimeve në BE ka qenë pikërisht konflikti i brendshëm politik. Tash me një PS aq të fortë në pushtet edhe përgjegjësia e saj dhe e kryeministrit Rama duhet të jetë më e madhe edhe për krijimin e një klime konsensuale në vend për integrimet evropiane.

Komentet
Top