SHBA dhe Rusia marrëveshje për Sirinë pas takimit Trump-Putin

thumbs_b_c_4e61b77959d92d79810aa6366e48d1a7.jpg

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Rusia njoftuan të premten një armëpushim në Siri, pasi presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan për herë të parë në Samitin e G20-ës në Hamburg të Gjermanisë, raporton (AA).

Marrëveshja është arritur së bashku me Jordaninë, sipas Sekretarit Amerikan të Shtetit Rex Tillerson, i cili foli në një konferencë për shtyp në Samit, duke thënë se marrëveshja mbulon një zonë të rëndësishme në Siri që ndikon në sigurinë e Jordanisë dhe një pjesë shumë të komplikuar të fushëbetejës siriane.

“Është arritur marrëveshje për këtë zonë jokonfliktuale. Është përcaktuar mirë se kush do ta sigurojë këtë zonë, është vendosur një armëpushim dhe mendoj se ky është treguesi ynë i parë se SHBA-të dhe Rusia janë në gjendje të punojnë së bashku në Siri”, tha Tillerson.

Sipas marrëveshjes së arritur, zonat në të cilat aktet agresive janë ndaluar zyrtarisht do të mbulojnë Idlibin dhe disa pjesë të provincave Latakia, Homs, Halep dhe Hama, së bashku me Damaskun, Gutën Lindore, Daran dhe Kuneitran.

Në bisedimet e veçanta në kryeqytetin e Kazakistanit në Astana në maj, Turqia ra dakord me Rusinë dhe Iranin për një plan për të krijuar një rrjet “zonash jokonfliktuale” në rajone të ndryshme të Sirisë të shkatërruar nga lufta.

Tillerson tha se është optimist për suksesin e marrëveshjes, sepse kjo, sipas tij, është ndryshe nga marrëveshjet e ngjashme të armëpushimit në Siri midis SHBA-ve dhe Rusisë për sa i përket nivelit të angazhimit nga ana e Moskës.

“Mendoj se Rusia ka të njëjtin interes që kemi edhe ne që Siria të bëhet një vend i qëndrueshëm, vend i unifikuar, dhe në fund një vend ku mund të lehtësojmë një diskutim politik për të ardhmen e vendit, duke përfshirë udhëheqjen e ardhshme të Sirisë”, tha Tillerson, duke shtuar se administrata Trump nuk sheh ndonjë rol afatgjatë për familjen e presidentit sirian Bashar al-Assad apo regjimin e tij.

“Ende ngelet të përcaktohet se si do të shkojë ai”, tha Tillerson, por theksoi se do të ketë një tranzicion larg nga qeveria e Asadit.

“Sigurisht që e kemi bërë të qartë në diskutimet tona me Rusinë, se nuk mendojmë se Siria mund të arrijë njohje ndërkombëtare në të ardhmen”, tha Tillerson. “Edhe nëse ata punojnë përmes një procesi të suksesshëm politik, bashkësia ndërkombëtare thjesht nuk do të pranojë një Siri të udhëhequr nga regjimi i Asadit”, shtoi ai.

Po ashtu, sipas Tillerson, Trump dhe Putin kanë biseduar edhe për pretendimet se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA vitin e kaluar, me ç’rast presidenti rus i ka mohuar ato.

Komentet
Top