Shpallja e vendimit për sulmuesit e Ledri Vulës – VIDEO

ledri.jpg

Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi dje Krenar Çoçajn e Gazmend Mirenën për sulmin ndaj Ledri Vulës.

Shpalljen e vendimit për Çoçajn e Mirenën e bëri gjyqtari Beqir Kalludra.

“Të akuzuarit janë fajtorë për shkak të veprës penale në bashkëkryerje lëndim i lehtë trupor, si dhe i akuzuari Gazmend Mirena për veprën penale mbajtja në pronësi ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve”, tha Kalludra.

Krenar Çoçaj e Gazmend Mirena u dënuan me burgim në kohëzgjatje nga gjashtë muaj burg për sulmin ndaj Ledri Vulës, ku me pëlqimin e të akuzuarve mund ta kthejnë në gjobë.

“Të akuzuarin Gazmend Mirena me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit do të zëvendësohet në dënim me gjobë duke ia llogaritur një ditë burgim 20 euro të gjobës. Po ashtu edhe i akuzuari Krenar Çoçaj gjykohet me dënim me burgim në kohëzgjatje 6 muaj i cili dënim me pëlqimin e do të zëvendësohet me gjobë gjithashtu duke ia llogaritur 20 euro për një ditë burgim”, shtoi Kalludra.

Gazmend Mirena u dënua përveç burgimit edhe më gjobën prej 1000 eurove për armëmbajtje pa leje.

Po ashtu, tani të dënuarit janë të obliguar që të paguajnë shpenzimet në emër të paushallit gjyqësor secili veç e veç në shumë prej 100 eurove.

Pas dënimit avokatët e të dënuarve thanë se janë duke e shqyrtuar çështjen e ankesës ndaj këtij vendimi.

Krenar Çoçaj bashkë me Gazmend Mirenën akuzohen se natën e 7 qershorit 2012, kishin sulmuar Ledri Vulën pasi ia kishin zënë rrugën me veturë dhe e kishin nxjerrë nga vetura në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës.

Nga ky sulm, Ledri Vula kishte marrë lëndime trupore.

Sipas aktakuzës, Gazmend Mirena e ka goditur Vulën me kondak të revoles në vetullën e majtë dhe në kokë, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër hekuri në shpinë dhe në kokë. Si rezultat, të akuzuarit Mirena dhe Çoçaj kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndërsa Mirena akuzohet edhe për veprën penale të përdorimit të armës, mjet ky i cili kishte shërbyer për rrahjen e viktimës.

Lidhjet e dashurisë ishin arsyet për rrahjen e VIP-ve të kryeqytetit në rrugët e Prishtinës.

Reperi Ledri Vula e kishte përshkruar si një veprim hakmarrës rrahjen e ndaj tij.

“Motivi i sulmit ishte Dafina [Zeqiri], pasi që pas Krenarit kam qenë unë në lidhje me të”, kishte thënë Vula në gjykatore.

Këngëtari kishte përshkruar në gjykatore ngjarjen kur ai përfundoi i rrahur duke thënë se nuk e kishte parafytyruar se do përfundonte i rrahur.

“Arsyeja pse kam vendosë të dal nga makina të them të drejtën është sepse Gazmendin e kam njohur dhe nuk ma ka marrë mendja që do të më godasë me të parën”, tha Vula.

Roli i reperit tjetër Getoar Selimi në këtë ngjarje ishte interesant.

Sipas Ledri Vulës, në momentin që kanë hyrë në makinë, Getoar Selimi i kishte bllokuar dyert në mënyrë elektronike, ndërsa kur Gazmend Mirena i kishte bërtitur “Dil jashtë, dil jashtë”, ai “nga hutia i kishte zhbllokuar dyert”.

Për ta rrëfyer ngjarjen Selimi nuk ishte shfaqur në gjykatore, veprim ky i cili e kishte obliguar gjyqtarin e rasti të lëshojë letërrreshtim.

Getoar Selimi u shfaq në gjykatë më 22 mars të këtij viti, për të dhënë dëshmi për natën kritike si dëshmitar okular e kyç i rastit.

Me kërkesën e avokatëve mbrojtës, Kosovare Kelmendi dhe Asdren Hoxha, për shkak të natyrës së rastit, publiku u përjashtua nga seanca ku dha dëshminë e tij Selimi.

Por, prokurorja Limani në fjalën e saj përfundimtare iu referua deklaratës së Selimit në gjykatë, ku edhe u bë e ditur se i njëjti nuk ka arritur t’i identifikojë fytyrat e sulmuesve, pasi që të njëjtit kishin vënë maska në fytyrë dhe po ashtu nuk ka arritur t’u shohë armë.

Njëjtë kishte deklaruar edhe Fidan Demolli, personi i tretë në makinën e Selimit në natën kritike.

Ndonëse, prokurorja Limani, avokati Gashi, e po ashtu Ledri Vula kanë theksuar se sulmi ka ndodhur për shkak të këngëtares Dafina Zeqiri, e njëjta nuk u ftua asnjëherë të dëshmojë para trupit gjykues./Kallxo

Komentet
Top