Shqipëria e vockël!

Nga Artan Fuga

Zgjedhjet po bëhen për të caktuar pushtetarët që do të drejtojnë kombin për katër vitet e ardhshme. Të paktën kështu i paraqesin. Por, në fakt, shqiptarët për të cilët flitet, pra ne, qytetarët e këtij vendi, realisht jemi shumë pak. Një grusht njerëzish. Në çfare kuptimi? Në atë që elektorati shqiptar është lehtësisht i manovrueshëm dhe lehtësisht i manipulueshëm.

Disa janë vënë fajin natyrës së shqiptarit. Sa gabim!

Disa te tjerë thërrasin në ndihmë historinë. Jo tërci, jo vërci, duke rënë në një determinizëm historik fatkeq.

Të tjerë gjejnë lloj lloj konspiracionesh gjeopolitike a thua se nga Putini e deri te lideri i Koresë së Veriut mendjen e kanë se kush do të fitojë zgjedhjet në Kashar.

Mjafton një analizë e thjeshtë sociologjike e elektoratit për ta kuptuar se gjithçka është një lëkundje uji në një gotë të vogël prej letre.

Gjysma e popullsisë as do t’ja dije fare për zgjedhjet, sepse është e bindur se sidoqë të votojë si të mos votojë fare për të nuk do te ndryshojë gjë fare, po fare. Prandaj ata duke humbur besimin, ose e shesin votën, ose gënjehen me premtimin më të vogël për ndonjë vend pune, ose nuk vijnë fare në zgjedhje.

Një pjesë të elektoratit e kanë mbajtur në izolim, pa shkollim, pa akses në kulturë. Pjesë e mençur si gjithë njerëzit e tjerë, por pa informacion dhe pa mundësi për të reflektuar se çfarë është mirë apo se çfarë keq. Endet rrugëve të historisë symbullurazi, vuan, por nuk bëzan. Ku di ajo si luftohet varfëria, si rritet mirëqenia, si urbanizohet qyteti!

Injoranca si vegël pushteti.

Ata me të shkathtit dhe me energji shpërthyese kanë ikur në emigracion. Me ta nuk do te kishte shaka. Por, atyre u kane hequr të drejtën e votës dhe pse ata kontribuojnë më shumë se të gjithë për ekonominë shqiptare.

Jepuni atyre të drejtën e votës dhe do të shihni sesi do t’u hapërdajnë.

Një pjesë e madhe janë punonjës shteti ose që marrin ndihma sociale ose kanë të afërm në punë shteti apo bashkish. Qoftë edhe si roje apo si mbledhes plehrash. Këta kanë frikë se humbasin vendin e punës prandaj votojnë njësoj si ushtarët ose si të burgosurit, pra me urdhër të reshterit më të parë që kanë mbi krye.

Në Shqipërinë tonë nuk ka minimum pjesëmarrësish në zgjedhje për t’i quajtur ato të vlefshme. Mjafton sikur edhe deputeti i zonës me zonjën, prindërit, vëllezërit e krushqit e tyre të votojnë dhe zgjedhjet mbarojnë. Prandaj sa më shumë të mërziten votuesit dhe të mos vijnë në votime, aq më mirë është.

E mbyllim çështjen midis nesh. Pra si betejë mes dy ushtrish të vogla, nga njëra anë nëpunësit dhe nga ana tjetër militantët që duan t’u zënë vendin e punës nëpunësve që më parë kanë qenë militantë pa punë.

Disa qindra mijëra janë banorë rrethinash ose zonash fushore a malore qëe kanë bërë ndonjë shtëpi, kanë ndonjë dhi, dhe dy çuna në emigracion e më shumë interesohen se kush u zgjodh në Athinë, në Berlin, a Romë sesa kush u zgjodh në Momel dhe ja çështja përfundon.

Ka fare pak grupe të vegjël shoqërore që lëvizin, aspirojnë, kërkojnë, por këta mbeten gjithnjë në minoritet. Këta janë gjithmonë të destinuar t’i humbasin zgjedhjet. Kush merret me ta. Budallenj hesapi – thonë!

Pastaj ka ca që janë të nënshtruar në shpirt, karrierista, lëpirës-prapanicash, servila, të vdekur të pakallur si njerëz me dinjitet të mbaruar. Këta bëjne tellallin dhe përdoren për të llapur dhe sulmuar ata që duan tjetër fat për vendin e tyre.

E pse duhen reforma, e pse duhen programe elektorale, e pse duhen mekanizma zhvillimi, buxhete dhe politika zhvillimi!!!

Për këtë Shqipërinë e vockël! Ikni ore tutje!

Duhen vetëm analistë për programet e darkës në televizion, sepse politika për shumicën është një shfaqje e madhe, një komedi, një estradë, një dramë, një ndeshje gjelash, një shkas për të biseduar të nesërmen te pusi i fshatit, te kafja e lagjes, te dhoma e gjumit, ku burri i angerdufet gruas dhe çiliminjve, duke u roitur trutë me analiza gjithfarësh.

Ja kaq është.

Tallje e madhe e gjitha kjo.

Demokraci pa demokrate!

Komentet
Top