Shqipja s’është në listën e ligjeve prioritare

ahmeti-sela.jpg

Ligji për përdorimin e gjuhëve dhe konkretisht për avancimin e përdorimit të shqipes nuk do të jetë në 30 ligjet paketë të Qeverisë së re të cilat përgatiten që të miratohen për një periudhë të shpejtë. Këtë e bënë të ditur nga LSDM-ja, sipas të cilëve:

Aktualisht nuk është planifikuar afat konkret që përcakton se kur ligji për përdorimin e gjuhëve do të hyjë në procedure parlamentare. Qeveria është duke përgatitur 30 ligje paketë që përfshijnë çështje të tjera që janë të lidhura direkt me përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe kjo pike nuk është në mesin e tyre– thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Por sipas BDI-së, çështja e gjuhës do të jetë në kuadër të propozim planit aksionar që përgatitet në kuadër të reformave të kërkuara nga Bashkimi Evropian. Sipas partisë së Ahmetit, kjo nënkupton se së shpejti, shteti do të jetë i obliguar t’i zbatojë rekomandimet e BE-së.

Analiza për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është pjesë e planit për reforma urgjente prioritare të Qeverisë. Ajo është element shumë i rëndësishëm i kërkesave të unionit Evropian dhe kërkesave të Pribesë. Qeveria duhet të bëjë planin aksionar për reformat dhe që të mos ketë vonesa, do t’i vendoset ylli. Meqë është pjesë e Raportit të BE-së për reformat, ne si shtet kemi obligim t’i zbatojmë ata politika– bëjnë me dije nga BDI-ja.

Ylli i BE-së në iniciativën për avancimin e përdorimit të shqipes do të nënkuptonte miratimin e këtij ligji me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, megjithatë ditë më pare, zëdhënësja e Bashkimit Evropian Maja Koncijançiç e pyetur nga Alsat deklaroi shkurt se ky ligj, nuk do të jetë i shënuar me yllin e Bashkimit Evropian. Ish zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me LSDM-në për draft versionin e ligjit, pati deklaruar se ligji do të etiketohet me yll ose do të votohet para formimit të Qeverisë, si garanci për miratimit e tij.

Është një variant që të miratohet ose të futet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë. Këtu ka një lehtësim për shkak se në atë mënyrë futet në ligjet janë me “yll” ose që janë në procesin e integrimit në BE dhe ato ligje kanë kufizime dhjetëditore për miratim. Është edhe një variant tjetër që na jep neve më shumë siguri që të miratohet para formimit të Qeverisë- kishte thënë më herët Bujar Osmani.

Megjithatë partnerët e koalicionit deklaruan se në ndërkohë do të zhvillojnë koordinim konkret për këtë çështje, për të qartësuar qëndrimet e tyre.

Komentet
Top