Shtohet misteri mbi piloten legjendare

0-30.jpg

Një foto e zbuluar së fundmi sugjeron se, pilotja legjendare amerikane Amelia Earhart mund të ketë vdekur në duart e japonezëve, e jo si pasojë e një përplasjeje në Paqësor. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, do të zgjidhej një prej mistereve më të mëdha në historinë e aviacionit.

Earheart u zhduk gjatë një fluturimi mbi Paqësor në vitin 1937 dhe, që prej asaj kohe, spekulimet për fatin e saj nuk janë ndalur kurrë, por e vërteta nuk është marrë vesh ende.

Por në fotografinë e bërë në vitet 1930 dhe të zbuluar rishtazi, shfaqet një figurë që mund të jetë Amelia Earhart në ishujt Marshall, që në atë kohë i përkisnin Japonisë. Megjithatë, ekspertët thonë se kjo foto është thjesht një e dhënë e fundit, e asgjë më shumë sesa kaq, madje ka gjasa që thjesht të shtojë konfuzionin që ekziston mbi fatin e pilotes legjendare.

Materiali i ri që është paraqitur si provë e freskët për një teori të vjetër u gjet në arkivat kombëtare amerikane.

Në foton e bërë nga një spiun amerikan shfaqet një grup njerëzish në një liman. Disa historianë pretendojnë se figura e ulur me shpinë është Earhart, ndërsa në të djathtë të fotos është avioni i saj. Personi në të mjatë mendohet se është navigatori i saj, Freed Noonan, që u zhduk bashkë me Earhart.

Kjo e fundit ishte një nga njerëzit më të famshëm në botë, pasi 5 vite para se të zhdukej u bë femra e parë që fluturoi e vetme mbi Atlantik. Fotografia e re u publikua nga televizoni amerikan “NBC” para transmetimit të një dokumentari të ri për Amelia Earhart, e sigurisht që publikun për të e ka garantuar.

Versioni zyrtar i zhdukjes së Earhart është ai, sipas të cilit ajo nuk gjeti dot ishujt Marshall dhe pasi i përfundoi karburanti u përplas në oqean. Por dokumentari i “NBC” mbështet një teori të vjetër, që ajo u kap nga japonezët dhe vdiq në kamp përqëndrimi si e burgosur lufte. “NBC” pranon në dokumentar se në arkivat japoneze ajo nuk përmendet si e burgosur, por meqë shumë nga këto dokumente u shkatërruan gjatë luftës, kjo nuk vërteton se historia e dokumentarit është e gabuar./T-Ch

Komentet
Top