Si Android sfidoi iPhone dhe dominoi botën

androidapple.jpg

10 vite më parë doli në shitje iPhone i parë i cili do të ndryshonte kursin historisë së industrisë së telefonëve. 15 muaj më pas Google prishi festën.

Telefoni i parë Android debutoi më 28 Shtator 2008, një bashkëpunim i Google dhe T-Mobile. I quajtur G1, telefoni sot ngjan me një relike të vjetër.

I çuditshëm në çdo aspekt, që nga korniza e trashë tek tastiera me shinë dhe një “trackball” i stilit të BlackBerry, ai kishte ekran me prekje.

Ende pajisja arriti të hapte një betejë të re e cila do të përfundonte beteja e shekullit. Në 2011-ën sistemi operativ Android u bë më popullori në SHBA dhe në të njëjtin vit ekzekutivi legjendar i Apple Steve Jobs i shpalli luftë totale platformës.

Apple krijoi telefonin modern që të gjithë njohim sot, por Android-i dominoi tregun falë bashkëpunimeve të shumta me prodhuesit dhe çmimeve të ulëta të telefonëve.

Në tre mujorin e parë të këtij viti, 86% e telefonëve në mbarë botën funksionojnë me Android sipas firmës analitike Gartner.

Dominimi i Android bëhet edhe më i arrirë duke qenë se industria u zu në befasi nga iPhone. “Google dhe Apple kishin filluar një garë për zhvillimin e telefonit modern në të njëjtën kohë,” shprehej autori i librit Si Apple dhe Google i shpallën luftë njëra tjetrës dhe filluan një revolucion, Fred Vogelstein.

Google kishte blerë Android-in në 2005-ën, atë kohë kur ishte thjesht një startup i vogël. Në 2006-ën ekipi i Android-it zhvilloi një softuer dhe një telefon të ngjashëm me BlackBerry.

Më pas Jobs prezantoi një telefon krejtësisht ndryshe në Janar të 2007-ës. Shefi i Android, Andy Rubin, po drejtonte makinën kur prezantimi i iPhone filloi. Ai kërkoi nga shoferi të ndalonte në mënyrë që ta shikonte online prezantimin.

“Çmenduri,” kishte thënë Rubin në makinë sipas librit të Vogelstein. “Ne skemi patur në plan një telefon të tillë.”

Ekipi i Android u kthye tavolinës së dizajnimit për të ndërtuar pajisjen e parë Android ndryshe nga sa kishin imagjinuar.

Telefoni Android i prezantuar në 2008-ën kishte një ekran të madh si iPhone por nuk përbënte kërcënim për strategjinë e Apple.

Por ndryshe nga Apple, Google ofroi Android si një platformë të hapur. Kjo do të thoshte se prodhuesit e telefonëve mund ta përdornin dhe adaptoni Android-in për pajisjet e tyre.

Në 2010-ën tregu u përmbyt nga telefonë Android prodhuar nga Motorola, Samsung dhe HTC. Vetëm pak telefonë u prodhuan nga Google dhe ato janë linja Nexus dhe Pixel.

Për Jobs-in kjo ishte një herezi. Ai besonte tek një eksperiencë përdoruesi të kontrolluar. Në Android eksperienca mund të ndryshonte radikalisht nga njëri prodhues tek tjetri.

“Android është tepër i fragmentizuar,” shprehej Jobs në 2010-ën. “Përdoruesit duhet të mësojnë si ta përdorin.”

Por thellë tek Jobs fshihej një frikë dhe kërcënim nga Android. Diçka e tillë i kishte ndodhur Jobs edhe me Microsoft dhe kishte frikë se ajo mund të përsëritej nga Google.

Në biografinë e Jobs publikuar pas vdekjes së tij në 2011-ën, citohej se Jobs i kishte shpallur luftë Android-it, të cilin e quante një “produkt të vjedhur.”

Ai kishte premtuar të shpenzonte çdo qindarkë nga miliardat e Apple për të riparuar dëmin e Android.

E gjitha ngjante më shumë me një retorikë. Apple kaloi vite të tëra nëpër gjykata me Android-in ashtu si Samsung dhe Motorola por pa sukses.

Kjo luftë ka rezultuar fitimprurëse për secilin prej kundërshtarëve. Google së fundi arriti 2 miliard përdorues Android aktivë në muaj. Kjo bazë përdoruesish është mese e mjaftueshme për kompaninë e cila bën miliarda dollar nga Gmail, Google Search dhe Google Maps.

Ndërkaq Apple merr pothuajse pjesën më të madhe të fitimit nga industria e telefonëve inteligjentë falë përqendrimit në segmentin e lartë. E madje bën shumë më tepër para nga iOS sesa Google nga Android.

Apple raportoi 36 miliard dollar shitje në tre mujorin e fundit ndërsa Google vetëm 3.1 miliard dollar. Kjo është sa i takon harduerit, por Google nuk është një kompani hardueri.

Është një kompani reklamimi. Dhe Android-i hap rrugë drejt mënyrave të reja për të gjeneruar të ardhura. “Apple shet telefonë dhe tabletë, Google thjesht kërkon vëmendjen tuaj.” /PCWorld Albanian

Komentet
Top