Si ndryshon Shqipëria kundër Izraelit?

auto_shqiperia-formacioni1-470x3621496826380.jpg

Nga humbja në “Elbasan Arena” që tronditi edicionin e kuqezinjve, te ndeshja e së dielës në Haifa, që do të vendosë për vendin e tretë në grup, por jo vetëm. Shqipëria e Gianni de Biasit mori një goditje të madhe më 12 nëntor të vitit të kaluar, teksa humbi në shtëpi me shifrat 0:3 ndaj Izraelit, në një ndeshje ku kuqezinjtë një pjesë të mirë të dështimit ia faturuan arbitrit gjerman, Deniz Ajtekin.

Kanë kaluar gjashtë muaj nga ai takim dhe tashmë më 11 qershor në stadiumin “Sammy Ofer Stadium”, vjen momenti i së vërtetës për Shqipërinë e post-Europianit, që ka zhgënjyer jo pak, jo thjesht me rezultate, por më së shumti me lojën që ka zhvilluar këtë edicion. Edhe pse ishte thjesht një miqësore, humbja e fundit ndaj Luksemburgut ka shtuar edhe më shumë hallet në shtëpinë kuqezi.

Skuadra nuk funksionon më si parë, e konfirmuar kjo nga vetë trajneri dhe lojtarët. Nëse për harmoninë në grup kuqezinjtë janë gati të përgënjeshtrojnë, e kundërta ndodh për atë që luhet në fushë. Një skuadër pa ide dhe me një skemë të dështuar 3-5-2, duke hasur vështirësi edhe ndaj modestëve të Luksemburgut, qoftë në fazën mbrojtëse, ashtu edhe në atë sulmuese, raporton panoramasport. Por, si vjen Shqipëria në ndeshjen e radhës? Përveç goditjes morale që mori nga humbja me Luksemburgun, kuqezinjtë në “finalen” për vendin e tretë do të luajnë pa portierin Etrit Berisha, kapitenin Ansi Agolli, mesfushorin Taulant Xhaka dhe sulmuesin Bekim Balaj, të katërt titullarë të padiskutueshëm në pjesën e parë të edicionit. Prova në miqësore ishte e dështuar dhe nuk vlejti për asgjë, prandaj dhe De Biazi po mendon të rikthejë skemën që i ka dhënë suksesin më të madh Shqipërisë.

Me 4-5-1, që bëhet 4-3-3 në fazën ofensive, trajneri kuqezi do të kërkojë të “hakmerret” ndaj Izraelit

Komentet
Top