Si u organizua grushti i shtetit në Turqi

0-145.jpg

Si u organizua grushti i shtetit në Turqi dhe përse presidenti turk kishte arsye për të brohoritur?

Nga Enver Robelli

Gjatë fundjavës regjimi i presidentit turk Rexhep Taip Erdogan ka shënuar njëvjetorin e përpjekjes për puç nga një grup i vogël brenda ushtrisë. Ky “jubile” ka shërbyer për të betonuar mitin e ri mbi popullin turk, që më 15 dhe 16 korrik 2016 mbrojti demokracinë kundër “forcave të errëta” të prira nga imami Fethullah Gülen. Ky narracion po i shërben Erdoganit dhe mbështetësve të tij për të propaganduar një Turqi të re, një Republikë të dytë turke, larg Republikës së themeluar nga Mustafa Kemal Ataturku para gati një shekulli.

Hulumtimet e deritanishme mbi grushtin e shtetit të vitit të kaluar tregojnë pothuajse saktë rrjedhën e ngjarjeve që çuan në përpjekjen për puç dhe zmbrapsjen e tij. Në sytë e Erdoganit shejtani që organizoi puçin, pra Fethullah Güleni, i cili jeton në ekzil në SHBA, prej vitit 1999 ka bërë plane për të marrë pushtetin. Atë vit, para se Gülen të shkonte për të jetuar në SHBA, ai u përgjua duke u thënë përkrahësve të tij: “Duhet të depërtoni në arteriet e sistemit, pa rënë në sy. Duhet të prisni derisa të vijë momenti i duhur, derisa të kapni tërë pushtetin”.

Pushtetin Güleni e mori bashkë me Erdoganin. Më 2003 partia e Erdoganit AKP-ja, fitoi zgjedhjet dhe krijoi Qeverinë, shef i saj u bë Erdogani, ish-kryetar gjaknxehtë i Stambollit. Deri në vitin 2013 raportet mes imam Gülenit dhe Erdoganit ishin kryesisht të mira. Më 2013, Erdogan shtypi protestat e rinisë në Gezi-Park të Stambollit. Qytetaria e Stambollit protestonte kundër planeve të pushtetit për të shkatërruar parkun. Pastaj, prokurorë të afërt me Gülenin nisën hetimet kundër rrethit të ngushtë të Erdoganit – për shkak të dyshimeve për korrupsion. Që më parë, Erdogan kishte filluar të luftojë lëvizjen e predikuesit laik Gülen, sepse frikësohej se një ditë ajo mund ta largonte nga pushteti. Kështu filloi armiqësia mes dy miqve.

Në mars të vitit 2016 ish-zyrtari i Pentagonit Michael Rubin, pyeti në një analizë: “Nëse ushtria turke merr iniciativën për të rrëzuar Erdoganin dhe për ta futur në burg rrethin e tij të ngushtë – a do t’ia dalë?”. Rubin ishte i mendimit se po.

Erdogan dhe rrethi i tij ishte i vetëdijshëm për këtë rrezik. Më 21 prill 2016, afër tre muaj para përpjekjes për puç, Fuat Ugur, një publicist i afërt me Qeverinë e Erdoganit shkroi në gazetën «Türkiye»: “Shteti është vigjilent. Me shërbimin e tij sekret, me komandën e ushtrisë, me Qeverinë, policinë, opinionin publik, politikën dhe organizatat joqeveritare shteti turk vetëm është duke pritur që ju të kryeni krime”. Me “ju” Ugur e kishte fjalën në radhë të parë pasuesit e lëvizjes Gülen, por edhe kemalistët, ithtarët e themeluesit të shtetit modern turk, Mustafa Kemal Atatürk.

Më 10 korrik, pesë ditë para tentimit për puç, Erol Olçak, menaxher elektoral i Erdoganit, shkroi në Twitter: “Kjo verë është kohë e spastrimit”. Ato ditë në Ankara dhe Stamboll flitej se së shpejti regjimi i Erdoganit do të mbante një mbledhje, ku do të demontohej klasa e oficerëve laikë dhe properëndimorë. “Puçet përherë kanë ardhur nga laicizmi, kjo do të marrë fund», ishte i bindur Olçak. (Natën e 15 korrikut, ai do të vritej nga puçistët).

Të premten e 15 korrikut 2016 tensionet para të papriturës ndiheshin kudo në zyrat e pushtetit. Rreth orës 13:55, piloti Osman Karaca, pasi kishte marrë vesh se çfarë po përgatitej, braktisi një kazermë në periferi të Ankarasë dhe shkoi në zyrat e shërbimit sekret turk MIT. “Kam ardhur për t’iu dhënë informata relevante mbi strukturat paralele në forcat e sigurisë. (…) Në orën tre të natës (16 korrik) tre helikopterë do ta sulmojnë shtëpinë e shefit të MIT-it dhe do ta kidnapojnë atë. Kjo mund të jetë pjesë e një aksioni më të madh. Ndoshta madje puç”.

I alarmuar shefi i MIT-it, Hakan Fidan, njeri i besueshëm i Erdoganit, takon krerët e ushtrisë. Në një mbledhje urgjente ai pyet: “Nëse do të ketë sulm nga jashtë, a ke mjaft fuqi, mjaft armë, mjaft burra?”.

Fidan nuk e njofton Erdoganin për këto zhvillime. Ai ka thënë se nuk ka arritur të bie në kontakt me shefin e shtetit. Erdogan më vonë ka thënë se për përpjekjen për puç e kishte njoftuar dhëndri i tij, ndërsa Erdogan po pushonte në një hotel në Marmaris buzë Egjeut. Pothuaj njëkohësisht në Shtabin Qendror të Ushtrisë nisën zhvillimet dramatike. Gjenerali Mehmet Dishli, vëllai i të cilit ishte nënkryetar i partisë së Erdoganit AKP, iu drejtua shefit të ushtrisë Hulusi Akar me këto fjalë: “Komandanti im, operacioni filloi, do t’i kidnapojmë të gjithë, njësitë janë nisur”. Akar kundërshton: “A jeni në vete?” Pastaj Akar u prangos nga puçistët dhe u dërgua me helikopter në bazën e puçistëve në periferi të Ankarasë.

Puçistët arrijnë të futen në selinë e televizionit shtetëror TRT dhe të detyrojnë një spikere të lexojë deklaratën e tyre: “Presidenti dhe kabineti qeveritar kanë tradhtuar vendin dhe kanë dëmtuar të drejtat themelore, shtetin shekullar dhe ndarjen e pushteteve. Shteti ynë është shndërruar në autokraci. Për këtë arsye këshilli ‘Paqe në atdhe’ ka marrë në dorë administrimin e shtetit. Këshilli do t’i ruajë marrëdhëniet me të gjitha organizatat ndërkombëtare, siç janë NATO-ja dhe OKB-ja. Udhëheqja politike është liruar nga detyra».

Ndërkohë, Erdogani në orën 00:24 arrin të marrë pjesë drejtpërdrejt në televizionin CNN Türk. Përmes aplikacionit Facetime dhe të thotë: “Mirëmbrëma, ngjarjet e sotme janë përpjekje për puç i një pakice brenda forcave të armatosura”. Erdogan nuk pranon pyetje. Ai apelon për rezistencë: “Nuk njoh asnjë forcë, e cila është më e fuqishme se forca e popullit. T’ua japim së bashku përgjigjen (puçistëve)”. Shefi i ushtrisë së parë me seli në Stamboll i siguron Erdoganit luajalitet dhe presidenti niset nga Marmarisi në drejtim të Stambollit – me avionin e tij. Populli tashmë ka dalë në rrugë dhe bllokon puçistët. Nga të gjitha xhamitë imamët thërrasin për rezistencë, Erdogan shkruan një sms dhe përmes Turkcellit, kompanisë së telekomunikacionit, u dërgon mesazh mbi 30 milionë turqve: “Fëmijëve të çmuar të kombit turk! Kjo lëvizje në Ankara dhe Stamboll është organizuar nga një pjesë e vogël e kuadrit – me shantazh të automjeteve të blinduara dhe armëve të shtetit. Ju bëj thirrje të dilni në rrugë dhe të kujdeseni për kombin tuaj. Kujdesi për vendin tënd”.

Në orët e hershme të mëngjesit një major i puçistëve përmes aplikacionit WhatsApp pranon kapitullimin, dhe iu shkruan komplotistëve: “Bëni çfarë të mundeni për të mbetur gjallë. Dorëzohuni ose arratisuni”.

Erdogani thotë se populli mbrojti demokracinë.

Opozita turke, ndërkaq, thotë se ky ishte një “puç i kontrolluar”. Natën e puçit Erdogani tha se bëhej fjalë për një “dhuratë të Allahut”. Më në fund Erdoganit i kishte ardhur rasti dhe shansi të godasë të gjithë kundërshtarët politikë – pa marrë parasysh nëse janë përkrahës të Gülenit apo jo.

Komentet
Top