Strakosha paralajmëron Juventusin

auto_Thomas-Strakosha-658x370-640x3601491717294.jpg

“Jemi të motivuar dhe shumë të karikuar për këtë duel, por në fund do të shohim se çfarë do të arrijmë të realizojmë, edhe pse e presim të vetëdijshëm mbi forcën tonë këtë finale”. Thomas Strakosha ka fituar besimin e të gjithëve, me punë, jo me fjalë, me pritje fantastike dhe si një prej protagonistëve të kësaj Lacioje që po bën një sezon fantastik.

Portieri shqiptar i kryeqytetasve edhe sot në mbrëmje do të provojë me të gjithë forcat e tij që të mbajë larg rrjetës topin, por në të njëjtën kohë shtyn shokët e tij që të besojnë te fitorja dhe nuk ngurron që t’i bëjë presion Juventusit.

“Më mirë sikur Juvja të ishte shpallur zyrtarisht kampione me Romën? Nuk na intereson kjo gjë. Nëse do të kemi përballë kampionët e konfirmuar të Italisë, apo ata që do të shpallen javën e ardhshme, për ne e njëjta gjë është. Juventusi do të vijë gjithsesi shumë i motivuar, pasi në lojë është një trofe dhe të gjithë e duam atë.

E rëndësishme është që edhe ne do të jemi shumë të motivuar. Lacio do të hyjë në fushë si e barabartë, pasi ndeshja nis 0-0, luajmë 11 kundër 11, kështu që edhe shanset për fitore janë 50 me 50, – vazhdon 22-vjeçari, i cili lëshon edhe sfidën. – Kupa e Italisë është një kompeticion që na sjell fat, sepse në vitet e fundit kemi marrë shumë emocione të bukura.

Por këtë herë shpresojmë që ta fitojmë atë. Ky do të ishte një vlerësim shumë i madh për sezonin që ne kemi bërë, por në të njëjtën kohë do të ishte bukur që t’i shuanim Juventusit edhe ëndrrën e tripletës. T’i njollosnim pak historinë e këtij sezoni. Kur bëhet fjalë për një finale, të gjithë zbresin në fushë për të fituar dhe ne jemi të vetëdijshëm se mund ta bëjmë tonën Kupën e Italisë”.

Komentet
Top