Të dënuarit e gjenocidit në Srebrenicë, rikthehen në liri

srebenic.jpg

Dymbëdhjetë serbë të Bosnjës të dënuar për gjenocid kanë kryer dënimet e tyre dhe janë liruar – disa janë rikthyer të jetojnë në vendet ku kanë ndodhur masakrat, ndërsa të tjerë vazhdojnë të mohojnë se Srebrenica ishte gjenocid.

Ndërsa 22 vjetori i masakrave të Srebrenicës do të përkujtohet të martën, 12 persona të dënuar për përgjegjësi për gjenocidin nuk do ta kalojnë atë ditë në qelitë e burgut.

Pasi kanë vuajtur dënimet e tyre dhe janë liruar, shumica e tyre tani janë në pension dhe jetojnë në Bosnje dhe Hercegovinë ose në Serbi – disa prej tyre në vendet ku ndodhën masakrat në korrik të vitit 1995 dhe ku familjet e të mbijetuarve dhe ato të viktimave janë në gjendje t’i shohin ata duke ecur të lirë nëpër rrugë.

Vinko Pandureviç, Ljubomir Borovcanin, Vidoje Blagojeviç dhe Dragan Jokiç kanë përfunduar të gjithë dënimet e tyre me burg që iu dhanë nga Gjykata e Hagës.

Pandureviç, një ish-oficer i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 13 vjet burg për krime në Srebrenicë. Pas lirimit të tij të hershëm në vitin 2015, ai tani jeton në Beograd me bashkëshorten dhe djemtë e tij.

Pandureviç tha për BIRN se vendimi i Gjykatës së Hagës e bëri të pamundur që ai të gjente një vend pune si pedagog në universitet.

“Disa fakultete hezitojnë të pranojnë njerëz me të kaluarën time. Ata kanë frikë se ndonjë OJQ apo gazetar mund të thotë se dikush me “barrën” time është i papërshtatshëm për të mësuar studentët,” tha ai.

Nga ana tjetër, ai dhe familja e tij nuk kanë pasur probleme në Serbi si rezultat i dënimit të tij, shtoi ai.

Pandureviç është aktualisht aktiv në shoqatën Klubi i Gjeneralëve dhe Admiralëve Serbë dhe Betimi për Atdhe, e cila bashkon njerëz nga rajoni i Republikës Srpska të Bosnjës dhe ish-Republika e Krajinës Serbe në Kroaci që tani jetojnë në Serbi.

Që nga lirimi i tij, Pandureviç ka botuar disa libra mbi politikën dhe luftën e Bosnjës dhe tani ka shkruar një libër të ri mbi përvojën e tij si i burgosur në njësinë e paraburgimit të Gjykatës së Hagës, i cili aktualisht po rishikohet para se të botohet.

Pavarësisht dënimit të tij, Pandureviç mohon që Srebrenica të ketë qenë një akt gjenocidi.

Ai beson gjithashtu se lufta në ish-Jugosllavi ishte e pashmangshme dhe se rezultati nuk mund të kishte qenë shumë ndryshe.

Kur u pyet nëse do të bënte ndonjë gjë ndryshe për të mirën e retrospektivës, Pandureviç u përgjigj se ai beson se veprimet e tij gjatë luftës ishin të sakta.

“Mënyra se si i pashë detyrat e mia dhe qëndrimi që mbajta drejt armikut dhe forcave tona, ishte i drejtë, sipas gjykimit tim,” tha ai.

Ndërkohë Ljubomir Borovcanin, ish-zëvendës komandant i Brigadës Speciale serbe të Bosnjës e ministrisë së brendshme, u dënua me 17 vjet burg dhe u lirua nga burgu në Danimarkë në gusht të vitit të kaluar.

Ai tani është në pension dhe jeton në Bijeljina në Bosnje me bashkëshorten dhe djemtë e tij dhe shkruan analiza politike dhe për sigurinë për gazetën në internet me bazë në Rusi Fondacioni i Kulturës Strategjike, e cila ka treg edhe në Serbi.

Vidoje Blagojeviç, ish-komandanti i Brigadës së Bratunacit i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 15 vjet burg dhe e kreu dënimin e tij në Norvegji.

Ai tani jeton në një apartament me qira në Banja Luka në Bosnjë dhe është pensionist ushtarak.

Dragan Jokiç, ish-kreu i sektorit inxhinierik të Brigadës së Zvornikut të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me nëntë vjet burg dhe e kreu dënimin e tij në Austri.

Ai dhe familja e tij aktualisht jetojnë në Zvornik dhe ai është gjithashtu një pensionist ushtarak që merr pension për një oficer në pension në rangun e një nënkoloneli.


Identitete të reja

Identitetet e tre prej të dënuarve të liruar të Gjykatës së Hagës janë ndryshuar për t’i mbrojtur ata pas lirimit të tyre.

Një prej tyre, ish-ushtari i Ushtrisë Serbe të Bosnjës Drazen Erdemoviç, e pranoi se kishte marrë pjesë në vrasjen e 1,000 dhe 1,200 boshnjakëve nga Srebrenica në Branjevo në korrik të vitit 1995. Ai tha se të shtënat vazhduan për gjashtë orë me radhë.

Erdemoviç e mbaroi dënimin e tij me 5 vjet burg 17 vjet më parë dhe tani jeton në Europë. Ai është paraqitur gjithashtu si dëshmitar i mbrojtjes në gjyqin e ish-komandantit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiç.

Momir Nikoliç, ish-ndihmës komandanti për çështjet e sigurisë dhe inteligjencës i Brigadës së Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është i vetmi që ka pranuar përfshirjen në operacion për të organizuar vrasjen sistematike të më shumë se 7,000 boshnjakëve nga Srebrenica dhe dëbimin e grave dhe fëmijëve .

Tre vjet më parë, ai u lirua nga burgu në Finlandë, ku kreu 20 vjet burg dhe identiteti i tij u ndryshua pjesërisht që kur ai të jetojë jashtë Bosnjës dhe Hercegovinës apo Serbisë, ai të përdorë një emër tjetër.

Nikoliç ka dalë në pension. Ai viziton vazhdimisht mamanë e tij në shtëpinë e familjes së tyre në Bratunac, ku ai lindi.

Aktualisht, ai po shkruan dy libra, njëri nga të cilët fokusohet te operacionet ushtarake në zonën e Srebrenicës, ndërsa tjetri është për aspektet politike të rënies së Jugosllavisë.

Përveç shtëpive të tyre në Serbi dhe Bosnjë dhe Hercegovinë, ai dhe familja e tyre kanë edhe një shtëpi në Suedi.

Nikoliç është vetëm njëri nga autorët e shumtë të krimeve që të mbijetuar të masakrave dhe të afërm të boshnjakëve nga Srebrenica që u vranë mund ta shohin në vendet ku ndodhën vrasjet.

“Takoj vazhdimisht kriminelë në Srebrenicë,” tha për BIRN kryetarja e shoqatës Nënat e Srebrenicës, Hajra Catiç.

“Rreth 400 vetë që morën pjesë në gjenocid në një mënyrë apo në një tjetër janë aktualisht të punësuar në strukturat e policisë dhe në institucionet shtetërore. Kemi lista të atyre njerëzve. Disa janë madje profesorë në universitet,” deklaroi Catiç. “Viktimat nuk mund të kënaqen me gjëra të tilla. Ata do ta kenë gjithmonë problem këtë.”

Ndërkohë identiteti i Dragan Obrenoviç u ndryshua gjithashtu pasi Gjykata e Hagës i ofroi atij mbrojtje pas lirimit të tij. Ish-shefi i shtabit dhe zv/komandanti i komandantit të Brigadës së Parë të Këmbësorisë e Zvornicit me Trupat Drina të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 17 vjet burg.

Pasi kreu dënimin e tij në Norvegji, ai vazhdon të jetojë jashtë vendit me familjen e tij.


Rikthimi në Bratunac

Pesë të dënuar për Srebrenicën të cilët u dënuan nga gjykata shtetërore boshnjake – Milivoje Cirkoviç, Zoran Kusiç, Vaso Todoroviç, Marko Boskiç dhe Mladen Blagojeviç – gjithashtu janë liruar pas përfundimit të dënimit të tyre me burg.

Cirkoviç, i cili punonte në Qendrën Stërvitore në Jahorina të ministrisë së brendshme të Bosnjës gjatë luftës, u kthye në atdheun e tij, Serbi, pasi bëri një marrëveshje pranimi faji dhe kreu dënimin e tij me pesë vjet burg. Tani ai punon si zejtar në pronën e familjes së tij.

Kusiç, i cili gjithashtu punoi në Qendrën e Trajnimit në Jahorina, u dënua gjithashtu me pesë vjet burgim. BIRN nuk qe në gjendje të përcaktonte vendndodhjen e tij aktuale apo profesionin e tij.

Boskiç, një ish-anëtar i Skuadrës së 10-të të Zbulimit i Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u dënua me 10 vjet burg.

Ai tani e ka shlyer dënimin e tij, por BIRN s’ka mundur të marrë ndonjë informacion në lidhje me vendbanimin apo profesionin e tij.

Todoroviç, një ish-anëtar i Skuadrës së Policisë Speciale Sekovic, i cili u dënua me gjashtë vjet burg pasi nënshkroi një marrëveshje pranimi fajësisë, tani jeton në zonën e Bratunacit.

Pasi kreu dënimin me shtatë vjet burg, Blagojeviç, një ish-polic ushtarak në Brigadën e Bratunacit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, u kthye në Shtetet e Bashkuara, nga ku u ekstradua në Bosnje dhe Hercegovinë se u dha të dhëna të rreme autoriteteve amerikane në lidhje me rolin e Ushtrisë Serbe të Bosnjës gjatë luftës.


Këndvështrimi i viktimave

Çështja e të dënuarve të Srebrenicës që rikthehen në vendet ku u kryen krimet ka shkaktuar shqetësim mes organizatave të viktimave boshnjake.

Mediha Smajiç, një gazetare nga Srebrenica, mendon se rikthimi i të dënuarve të krimeve të luftës në zonat e Srebrenicës, Zvornikut dhe Bratunacit, ku ndodhën masakrat në vitin 1995, rihap plagë të vjetra.

“Prania e tyre në vendet ku ata kryen krimet shkakton dëm për viktimat dhe të rikthyerit e pasluftës të cilët ata i takojnë çdo ditë,” u shpreh ajo.

Pranimi i të dënuarve nga komunitetet vendase serbe është gjithashtu një burim shqetësimi, shtoi ajo.

“Njerëzit duhet të jetojnë bashkë, por duhet të përcaktohet vendi i secilit. E them këtë për hir të brezave të ardhshëm, të cilët duhet të bëjnë një jetë normale,” tha ajo.

Sociologu boshnjak Ivan Sijakoviç megjithatë theksoi se “Viktimat nuk ndihen rehat, por nuk mund të bëjnë asgjë për këtë”, sepse nuk ka kufizime ligjore për rintegrimin e kriminelëve të dënuar në shoqëri.

Duke lënë mënjanë çështjet morale, shpjegoi Sijakoviç, nuk ka asgjë për të mos i lejuar të dënuarit e liruar të kthehen të jetojnë pranë skenës së krimeve të tyre.

“Nga këndvështrimi ligjor, pasi kanë kryer dënimet e tyre, njerëzit mund të jetojnë ku të duan ata,” tha ai.

Komentet
Top