Të rinjtë s’e shohin perspektivën në Maqedoni, nëse s’do ketë reforma në arsim

student.jpg

Maqedonia ndonëse vend i vogël, ka brenga të mëdha. Rinia e saj shprehet e revoltuar dhe pesimiste për perspektivat dhe reformat që ofron ajo. Nxënësit e viteve të katërta, gjegjësisht maturantët flasin me përtesë për ëndrrat e tyre që s’mund të realizohen në Maqedoni. Këta të fundit shpesh thonë se ardhmërinë e shohin larg Maqedonisë dhe politikës së fëlliqur që ofron ajo.

Maturantët edhe pse kanë mbaruar me shumicën e testimeve ata ende besojnë se testimi ekstern duhet të hiqet dhe se në vend të saj duhet të ketë provime pranuese nëpër fakultete. Këtë e vë në Elion Sahiti, maturanti i Sh.M.Q.Sh. “Pançe Karagjozov” në drejtimin teknik farmaceutik, i cili thotë për gazetën Lajm se: “Një nxënës nuk mund të vlerësohet në rrethana të tilla të cilat lejojnë që 60 minuta të barazohen me mësimin e tërë vitit. Do doja të vendoset provimi pranues në të gjitha fakultetet që të dihet kush është I aftë e kush jo për të kryer drejtimin e caktuar.”

“Ne maturantët tani ndodhemi në udhëkryqin më të rëndësishëm të jetës sepse duhet të vendosim se a do të zgjedhim një drejtim që do të na bëjë të pasur apo një drejtim që e duam por që nuk ka shumë mundësi këtu në Maqedoni. Mendoj se sa është e përzier Maqedonia për momentin, aq janë të përziera edhe mendjet e të gjithë maturantëve këto kohë. Ne si shkollar të mesëm të mjekësisë, tanimë në përfundim e sipër thënë drejtë nuk është se e shohim Maqedoninë si vend ku drejtimi jonë posedon vendin e merituar. Maturantët që duan të vazhdojnë mjekësinë kanë sytë drejtë Europës, ku mendojnë, shpresojnë dhe besojnë se do të fitojnë meritën e duhur për mundin e dhënë. Maqedonia për të mbajtur afër maturantët po edhe rininë duhet të ndërmarr hapa të cilat shumë kohë më parë duhej të ishin hedhur. Maqedonia është shtet me oportunitete të kufizuar dhe me papunësi të madhe, ose thënë shkurt dhe qartë me punësime partiak “, theksoi për gazetën Lajm, Sahiti.

Maturantja e radhës e Sh.M.Q.Sh. “Arseni Jovkov”, Neal Ismaili, që dha deklaratë për gazetën Lajm veçoi se nuk po arrijnë të jenë optimist për një ardhmëri të shëndosh në Maqedoni.

“Duke e marrë parasysh gjendjen e vendit kohën e fundit, fatkeqësisht duhet të shprehem se edhe maturantët që kanë shumë aftësi frikësohen se errësira që ka kapluar vendin tonë nuk do të shndërrohet në dritë. Dritë, në të cilën do të sundoj drejtësia, në të cilën puna nuk do ketë asnjë lidhje me politikën apo thënë më saktë me politikat me prapavijë të njollosura”, përfundoi Neali.

Sipas maturantes Mediana Ameti, nga Sh.M.Q.Sh “Zef Lush Marku”, sot perspektiva e maturantëve është plot me pikëpyetje.

“Dua të mendoj pozitivisht dhe të mundohem të bëjë zgjedhjen e duhur të drejtimit si e drejtë e imja e shprehjes dhe mendimit, por njëkohësisht kam edhe frikë për përgjegjësinë që po më jepet. Duhet të mendoj në radhë të parë për veten, pastaj për familjen dhe pse jo edhe për atë se si dhe çka do arrijë me atë që do zgjedhë. Maqedonia është vend i vogël dhe me sa duhet s’mund t’i përballojë dot ëndrrat e mia pa pasur “miq” “, shprehet me ironi shkollarja e mesme e “Zef Lush Markut”, Mediana Ameti.

Duke e pasur parasysh se në Maqedoni kemi edhe dy organizata joqeveritare për nxënësit e shkollave të mesme , “Unioni I Nxënësve Shqiptar” dhe “Lidhja e Nxënësve Shqiptar”, gazeta Lajm morri mendimet edhe të dy kryetarëve të këtyre organizatave të cilët poashtu janë maturantë.

Majlinda Çilafi, kryetare e UNSH-së mes tjerash për gazetën Lajm tha se nuk shihet perspektiv aq sa duhet të ketë, prandaj, siç thotë ajo, të rinjtë në mënyrë masovike po ikin jashtë vendit.

“Nëse do mund të ndryshoja diçka në Maqedoni, absolutisht se do të ishin reformat në arsim. Arsimi është bazë e çdo vendi dhe bërthamë e krijimit të një shoqërie të shëndosh, prandaj edhe po e cilësoj si më prioritaren. Si maturantët por edhe të rinjtë në përgjithësi duan ndryshime në të ardhmen e afërt”, deklaroi Çilafi për Lajm.

Nga këndvështrimi i kryetarit të LNSH-së, Amar Rexhepi, ndryshimet duhet të nisin nga sistemi arsimor. Ai tha se kemi nevojë për një sistem kualitativ, që do të arrijë që të përmbush kritere, që do ofrojë dhe zhvillojë perspektivë edhe për nxënësit.

“Çdo gjë fillon me hapin e parë, dhe pastaj më lehtë mund të vazhdohet. Pasiqë jam në përfundim të shkollës së mesme, besoj se përgjigjen më të realtë mund t’a jap vet. Vërtet sot është bërë rëndë të shihet perspektiva e jo vetëm e nxënësve, por edhe shtresave tjera të shoqërisë. Shohim se krizat e njëpasnjëshme qofshin ata politike, ekonomike apo edhe shoqërore që kaplojnë shtetin tonë kanë arritur që të vënë në huti çdokënd. Sistemi arsimor si është i kurdisur kështu, pandarë ka prodhuar defekte dhe anomali që me automatizëm kanë ndikuar tek nxënësit. Dukshëm shihen pasojat e kësaj, aq sa mos të tinglloj edhe ekstrem është humbur edhe vullneti për të vazhduar studimet më lartë. Dhe, në fund kur humb shpresa, s’di a kemi hapësirë për të diskutuar për perspektivë “kumtoi për gazetën Lajm, Rexhepi.

Maturantët me sa po duket tani nuk po ankohen më për pamjaftueshmërinë e të hollave për maturë, ato po ankohen për ardhmërinë e tyre ose thënë ndryshe për ardhmërinë e Maqedonisë. Po ankohen për fuqinë e prishur që ka politika, saqë është futur në gjakun e arsimit dhe po qëndron e po forcohet aty si parazit.

Komentet

0 thoughts on “Të rinjtë s’e shohin perspektivën në Maqedoni, nëse s’do ketë reforma në arsim”

  1. real says:

    hajde hajde

Top