Tërheqja e Bashës nga gara për kryetar partie dhe rikthimi i Eduard Selamit

selami-berisha-basha.jpg

Politika amerikane, a do ta denoncojë botërisht përballë opinionit publik shqiptar, gjëmën e madhe që Berisha dhe Basha i patën kurdisur shqiptarëve në muajin prill-maj të këtij viti për destabilizimin e dhunshëm të Shqipërisë?

Nga Spartak Ngjela

Politika amerikanë tani e ka të hetuar me fakte që Basha dhe Berisha, nën maskën e atij që këta i thanë “revolucion demokratik”, kërkuan që, me ndihmën e falangave ruse që kishin hyrë në Shqipëri, të krijonin një trazirë shumë më të përgjakshme se ajo e Shkupit.
Sot janë të dokumentuara të gjitha.

Ishte frika nga ndëshkimi i Reformës në Drejtësi që iu grisi përfundimisht maskat, dhe e çoi Berishën te mënyra e tij e vjetër e shkatërrimit të Shqipërisë për të shpëtuar nga abuzimet e tij kundrejt vetë shqiptarëve.

Por për faktin që tani politika amerikane e ka gjithçka të dokumentuar, duhet t’ia bëjë të qartë këtë opinionit publik shqiptar, sepse sot Shqipëria është në kohën e kthesës së saj të madhe, dhe ndihma amerikane për eliminimin e këtyre hordhive duhet të jetë më evidente.

Në lidhje me këtë analizë faktesh të rënda, pyetjet që ngrihen përballë Bashes janë këto: A do të tërhiqet Basha nga gara për kryetar partie?
Për faktin që u fut në një politikë të shtrembër antiamerikane për të krijuar një situatë luftë kundër popullit të vet, a mund të ketë ky më të ardhme në politikën shqiptare?
Nëse nuk tërhiqet nga gara dhe amerikanët i denoncojnë faktet, a mund të rezistojë dot ky më si kryetar partie dhe si shef i opozitës?

Ja, këto janë pyetjet, të cilat në fakt formëzojnë vetë Shpatën e Damokleut që asnjëherë nuk do t’i hiqet Bashës nga qëndrimi i saj vertikalisht mbi kokë, për denoncimin kundrejt tij nga politika amerikane.
Atëherë, si nuk do të tërhiqet Basha nga një garë që esencialisht është edhe e paligjshme në funksion të vetë partisë që kërkon të drejtojë?
Basha duhet të tërhiqet dhe do të tërhiqet.

Në të njëjtën kohë, Eduard Selami shumë mirë po bën që po denoncon hapur të gjithë dramën politike antidemokratike që ka kaluar Partia Demokratike.
Por duhet të jetë më vital në inkursionin e tij të përditshëm politik

Sot Shqipëria është pa fare program ekonomik dhe pa program demokratik të ristrukturimit institucional të shtetit shqiptar. Në samitin e fundit, Shqipëria nuk kishte paraqitur dot asnjë projekt dhe iku bosh. Turp! E vetmja gjë që paraqiti, ishin atletët e kryeministrit, kur gjendja ekonomike në Shqipëri sot është në regres tërësor.

Selami duhet menjëherë t’i drejtohet botës akademike dhe të fillojë bisedimet me këtë botë në të gjithë universitetet shqiptare, për t’i kërkuar kësaj ndihmën e mendjes dhe intelektit të kultivuar shqiptar; sepse Basha do të tërhiqet, ngaqë nuk ka më asnjë rrugë tjetër.

Nga kjo krizë me rrënjë trefishe ku ndodhet Shqipëria: njëherësh – në moral, në ekonomi dhe në drejtësi; shqiptarët mund të dalin vetëm nëse i drejtohen realisht mendjes dhe intelektit shqiptar. Dhe kjo sot është e përqëndruar në dy pika: nëpër universitetet shqiptare si akademizëm, dhe nëpër institucionet perëndimore si i individë shqiptarë të kualifikuar në nivele të larta.

Eduard Selami duhet t’i drejtohet të dyjave, pa humbur kohë, dhe të shpallë ristrukturimin doktrinar të shtetit, tregut dhe ekonomisë shqiptare; dhe gjithçka në favor të prodhimit.

Partia Demokratike dhe e djathta shqiptare e ka pritur prej vitesh rifutjen e saj në perimetrin demokratik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe tani është tamam koha. Prandaj plani i Selamit duhet të jetë konkret dhe i shpalosur përpara shqiptarëve. Ai gjithashtu duhet të jetë një plan paqeje për të shuar plotësisht konfliktin e brendshëm dhe absurd të të djathtës shqiptare në funksion të partisë që do të drejtojë: bashkim maksimal i shtresave dhe rikrijim real i principit liberal të idesë së djathtë në Shqipëri.

E djathta shqiptare, si vizion dhe si ide liberale bashkëkohore njëherësh, ka nevojë për një bashkim të një spektri të gjerë dhe për një krijim ex novo të programit të saj demokratik drejt Bashkimit Europian. Eduard Selami e ka kapacitetin intekektiv individual për ta bërë këtë lëvizje dhe për ta fituar.

Shqiptarët po presin kthimin e të djathtës së tyre te burimi.
Dhe ajo domosdoshmërish do të kthehet.

***

Shqipëria është në prag të një ndryshimi të madh. Zgjedhjet e fundit nuk kanë lidhje me ndryshimin. Prandaj ato nuk janë jetëgjata në funksion të ndryshimit.

Por cili do të jetë ndryshimi?
Ndryshimi do të vijë me goditjen penale dhe luftën kundër korrupsionit.

Është hetuar gjithçka. Korrupsionit aktuale shqiptar i janë gjetur me emra konkrete shuma të mëdha parash, të cilat shumë shpejt pas pastrimit të gjykatës dhe prokurorisë do të bëhen publikë.

Mendoj se nesër fillon hapi i parë: do të mblidhen komisionet e vetingut.

Por është për të qeshur thirrja që i bëjnë Saliut që të kthehet në krye të Partisë Demokratike. Sali ziu nuk di ku ka kokën, këta duan ta ngatërrojnë dhe më keq. (!)

Edhe Basha edhe Saliu janë të ikur. Këtu pyetja që ngrihet është: çfarë do bëjë Eduard Selami?

Por kjo pyetje shihet se i ka trembur të gjithë.
Rikthimi i Selamit mban brenda vetes 20 vjetë vonesë të zhvillimit shqiptar; dhe jo vetëm të Shqipërisë, por të të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Dhe ja faktet:

Berisha doli kundër Bombardimeve të ish Jugosllavisë në vitin 1995. Presidenti Klinton i preu takimin në Shtëpinë e Bardhë me ane te sekretarit të vet Stefanopulos, kur ky, pasi nuk i pranoi tre kërkesat e Klintonit, filloi të fliste broçkulla për Jugosllavinë e Milosheviçit.

Selami ishte kryetar partie, e dinte lojën nga politika amerikane, dhe kërkoi të ishte kryeministër se ishte kryetar partie.
Kjo do të ishte zgjidhja: por Berisha dhe Meksi e rrëzuan.

Selami iku, por kriza vijoi, derisa në vitin 1997 erdhi kryeministër Nano. Nanoja ishte gjithashtu kundër bombardimeve të ish Jugosllavisë. U takua edhe me Millosheviçin vetëm për vetëm në Kretë.
Por edhe qeveria Nano u mbërthyes nga një krizë permbysëse.

Me një krizë të re u rrëzua dhe Nanoja; por politika amerikane e gjeti më në fund një mbështetës të palëkundur: Pandeli Majkon kryeministër. Menjëherë Bill Klintoni urdhëroi bombardimet e ish Jugosllavisë.

Tani jemi sërish në udhëkryq; se jemi në krizën e katërt: duhet të funksionojë domosdoshmërish shpejt aleanca shqiptaro-amerikane. Por kjo u pengua në lidhje me Reformën që zvarriti Berisha dhe Basha, derisa u kërcënuan ashpër nga politika amerikane. Por tani nuk ka më kohë.

Prandaj, ardhja e Eduard Selamit në krye të të djathtës dhe të Partisë Demokratike, e zgjidh përfundimisht krizën e Reformës dhe e kthen politikën e progresit perëndimor atje ku u përmbys Selami: në vitin 1995.

Kjo është gjendja e sotme. Por a do të dalë dot Selami në krye të Partisë Demokratike? Sigurisht që po, sepse përgjigjja e kësaj pyetjeje është: vërtet mendoni ju se i verbëri nuk i do sytë?

Për mendimin tim gjithçka është zgjidhur, as Berisha e aq më pak Basha nuk e ndalojnë dot më Selamin që të drejtojë frymën e liberalizmit amerikan në konceptin e zhvillimit modern shqiptar. Sigurisht që kjo pritet për t’u parë këto ditë.

Komentet
Top