Tetovë, ndërpriten punimet në shkollën “Liria” – VIDEO

liria.jpg

Shkolla fillore Liria në Tetovë, siç duket, nuk do mund të fillojë vitin e ri shkollor e kompletuar. Punët ndërtimore për renovimin e Shkollës që u filluan nga Ministria e Arsimit që prej dy javësh janë ndërprerë. Udheheqësia e shkollës në fjalë “Liria” thonë se nuk duhet ndërruar vetëm tjegullat e pullazit, por i tërë pullazi. Përndryshe punimet është dashur të përfundojnë më datë 13 të këtij muaji, por si duket deri në shtator projekti nuk do përfundojë.

Ka gati tri javë që është ndërprerë puna. Arsyetimi është se duhet të merret edhe një herë arsyetim dhe urdhër nga ministria e arsimit dhe shkencës që të bëhen ndërtime shtesë në pjesën e nënkulmit, dhe moti i nxehtë, këto më janë dhënë si arsyetime, por shpresoj që në një kohë më të shpejtë të përfundojë. Edhe ashtu ka qenë kontrata që deri më 13 gusht të jetë e përfunduar, mirëpo dolën pengesa dhe shpresoj që të arrihet dhe të përfundojë puna ashtu si kemi kërkuar, rikonstruim komplet të kulmit të shkollës – deklaroi Shpresa Iseini, drejtoreshë e Sh.F. Liria Tetovë.

“Edhe përkundër intervenimeve në pullazin e Shkollës Liria, siç mund të shihni pas meje, aty bëhet vetëm ndërrimi i tjegullave , pra vetëm sipërfaqësisht, ndërkohë që trarët mbesin të vjetrit dhe do vazhdojnë të rrezikojnë fëmijët edhe më tutje, nga shembja e këtij pullazi”.

Nga komuna e Tetovës shprehen se komuna detyrimet e veta ndaj shkollës përmes investimeve i ka kryer që vitin e kaluar, ndërkohë punët që kanë mbetur i takojnë Ministrisë së Arsimit.

Fillimisht janë rinovuar gjitha nyjet sanitare në atë objekt dhe është në përgatitje e sipër nga ana e Komunës së Tetovës përgatitja e dokumentacionit për furnizimin publik, që do shpallet shumë shpejtë. Sa i takon investimeve nga ministria e Arsimit ata para fillimit të vitit shkollor duhet ta përfundojnë me investimin që të mund komuna të fillojë me shpalljen tjetër publike, që është rinovimi i tërësishëm i objektit – tha Armend Fazliu shef i kabinetit të Teuta Arifit.

Përndryshe, në këtë shkollë fillore, që prej 74 vitesh nuk është bërë asnjë investim. Pikërisht nga kjo neglizhencë e Ministrisë së Arsimit, vit më parë, shembja e kulmit, rrezikoi edhe nxënësit që mësonin në katin e dytë, shkaku i të cilës edhe u mbyllën klasat në katin e dytë të shkollës.

Komentet
Top