“The Economist”: BE duhet t’ia dëshmojë Ballkanit se nuk ia ka kthyer shpinën

auto_bes1488311789.jpg

Oborri i pasëm i Europës po rrëshqet drejt krimit dhe autoratirizmit, shkruan «The Economist» në analizën për zhvillimet e fundit në Ballkan.

Mjaftoni t’i bëni sytë katër dhe gjithçka do ta merrni vesh. Në një lagje të qetë periferike të Beogradit, valëvitet flamuri i Bashkimit Europian në katin e shtatë të një blloku ndërtesash të betonit. Para pothuajse njëzetë vitesh, në kohën e errët të Slobodan Milosheviqit, inxhinieri që iu përkushtua gazetarisë, Zoran Cvijiqi, vari këtë flamur në ballkonin e tij që të shprehte shpresën se Serbia një ditë mund t’i bashkohej klubit europian, vlerat e të cilit ai i adhuronte fort. Menjëherë pas ranë bombat e NATO-s në Serbi si ndëshkim për krimet serbe në Kosovë. Gordana, bashkëshortja e Cvijiqit, druante se flamuri mund t’i sillte familjes vëmendjen e sikletshme, megjithëse flamuri nuk u shkul. Cvijiqi vdiq më 2015, optimist deri në frymën e fundit se vendi i tij do të merrte një ditë ulësen e vet në tryezën e Bashkimit Europian.

Më 2003, shteteve të Ballkanit iu tha se e ardhmja e tyre ishte brenda Bashkimit Europian. Megjithatë deri në ditët e sotme, shpresat për Serbinë dhe pesë shtetet e tjera aspiruese – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi – janë zbehur si puna e yjeve të verdhë në flamurin e Cvijiqit. Të acaruar me kokëçarjet e pafundme që zhvillohen në politikën e Ballkanit, dhe të djegur prej asaj çfarë panë pas anëtarësimit të parakohshëm të Bullgarisë dhe Rumanisë, europianët po dëshmojnë pak apetit për ta zgjeruar edhe më klubin, sidomos tani kur Komisioni Europian po përballet me pasojat e detyrimeve të Brexitit. Më 2014, Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian, deklaroi se nuk do të ketë zgjerim gjatë mandatit të tij pesëvjeçar, veprim i panevojshëm që vetëm ua lidhi duart reformuesve të Ballkanit. Sot, 43 për qind e serbëve deklarohen se duan të jenë pjesë e BE-së, shifër larg më e ulët se ajo prej 67 për qind më 2009. Dhe janë pikërisht të rinjtë që nuk duan të dëgjojnë për këtë punë.

Ku u gabua? Anëtarësimi do të detyronte elitat e korruptuara të rajonit t’i hapnin rrugë lirisë së mediave, të fuqizonin sundimin e ligjit dhe të liberalizonin ekonomitë e tyre, rrjedhimisht duke dobësuar pushtetin e patronazhit të tyre. Dhe pakkush sot dëshiron të merret me këto punë. Dhe shtetet e tyre nuk i kanë burokracitë e fuqishme që do t’i prinin ndryshimit. Prej gjashtë shteteve, veëm Serbia dhe Mali i Zi kanë nisur bisedimet për anëtarësim. Shqipëria shpreson t’i fillojë së shpejti. Maqedonisë i janë lidhur duart për shkak të sherrit me Greqinë për punën e emrit, Bosnja është zhytur në telashe ndëretnike për ndarjen e pushtetit, dhe Kosovën nuk e njohin pesë shtete anëtare të BE-së. «Ata më nuk na besojnë kur i rrejmë për anëtarësimin, dhe ne nuk u besojmë kur na rrejnë për zotimet e dhëna» për rregullat e BE-së, ka deklaruar Vessela Teherneva e Këshillit Europian për Punë të Jashtme, grup i pavarur mendimi.

Shpresës ia ka zënë vendin pasirguria, madje edhe frika për rikthimin e gjakderdhjes. Viti i kaluar solli shumë momente delikate, prej krizës politike në Maqedoni, me ndihmën e mediave provokuese ruse, që rrezikoi të kulmonte në dhunë, deri te tensionet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, që tmerroi diplomatët europianë në fillim të këtij viti. Nëse rajoni është qetësuar së fundi (pjesërisht edhe për shkak të orvatjeve të diplomatëve amerikanë), Gjermania sidomos i druan shpërthimit të zjarrit. Federica Mogherini, shefe e politikës së jashtme të BE-së, ka punuar fort rreth zhvillimeve të përditshme të Ballkanit.

Kjo nënkupton krerët si puna e Aleksandar Vuçiqit, i cili e drejton Serbinë që nga viti 2014, së pari si kryeministër e tani si president. Zoti Vuçiq, ministër i Milosheviqit, sot rrah gjoks si reformator pro-BE dhe si menaxher i besueshëm ekonomik. Zyrtarët europianë thonë se nuk kanë zgjdhje tjetër, pos të punojnë me të. Kancelarja Angela Merkel e takoi Vuçiqin pak javë para zgjedhjeve presidenciale të prillit. Takimi i acaroi liberalët serbë, të cilët thonë se europianët po e përkrahin liderin autoritar i cilit ndjek praktika antidemokraike. Grupet e shoqërisë civile flasin për rritje të krimit të mafisë, fushatë për kapje të institucioneve të pavarura dhe për fushata të njollosjes së njerëzve nëpërmjet tabloideve të kontrolluara nga shteti.

Në rajonin që europianët dikur shpresonin se do të shihnin transformim për njëzetë milionë banorët e tij nëpërmjet procesit të anëtarësimit, sot besimi bazohet në tregti dhe investime. Ballkani është pllakosur nga rritja e ulët ekonomike dhe papunësia e paprekshme e rinisë, dhe serbët kualifikuar po e vërshojnë BE-në. Samiti i Triestës i kësaj jave me pjesëmarrje të krerëve të Francës, Gjermanisë dhe Italisë u përpoq të sfidonte këtë trend me plane për treg të përbashkët rajonal dhe me fonde të BE-së për investime. Si përherë, edhe kësaj here u dëgjuan zotime sa për ta larë gojën për «perspektivën europiane». Por apetiti i BE-së për ndryshime politike në rajon ka rënë.

Mos u dorëzoni

Shtetet e Ballkanit janë partnerë të mërzitshëm, të rrethuar me kokëçarje politike, ekonomi të dala mode dhe bela kufitare për vada uji ose për maja shkëmbore. Por BE-ja nuk duhet t’i çojë duart prej oborrit pas shtëpisë në telashe, nëse për kurrgjë tjetër sherri i rreziqeve prej të cilit mund të vijnë. Disa pjesë të Ballkanit tashmë janë rrugë të qarta për trafikim njerëzish dhe droge në BE, dhe armët nga koha e luftërave të viteve nëntëdhjetë u përdorën në sulmet terroriste të Parisit më 2015. Ekstremizmi islamik po rritet rrufeshëm në disa pjesë të Bosnjës dhe Kosovës. Në këtë ambient, lojëra cinike të krerëve lokalë, të cilat shpesh i nxisin krizat për ta luajtur pastaj paqebërësin, lehtësisht mund të dalin jashtë kontrolli.

Europianët shpesh e kanë gojën plot kundër ndikimit megativ të fuqive të jashtme në Ballkanin Perëndimor. Por lidhjet kulturore, politike dhe ekonomike të rajonit me pjesën tjetër të Europës lënë në hije Rusinë, Turqinë dhe vende e ngjashme me to. Shumica e krerëve të rajonit e dinë fort mirë se nuk kanë çka kërkojnë jashtë BE-së. Kjo kërkon qasje në dy drejtime: të merret më shumë me qeveritë që tolerojnë paligjshmërinë ose joliberliazmin, dhe të ringjallet zotimi për zgjerimin. E gjithë kjo kërkon davaritje të skepticizmit që është mishëruar pas gjithë këtyre vitesh zhgënjimi të madh. Mbase, nëse i fiton zgjedhjet në shtator, zonja Merkel mund të shpenzojë më shumë kapital diplomatik në Ballkan.

Në Triestë u fol shumë për Ballkanin si «udhëkryq». Në të vërtetë, rajoni është rrethrrotullim i pafund premtimesh të papërmbushura dhe grackash burokratike. Si shumica e bashkatdhetarëve, zonja Cvijiq dyshon se Serbia do të anëtarësohet ndonjëherë në BE. Nuk i beson qeverisë së zotit Vuçiq dhe nxjerr dufin kundër pandershmërisë së europianëve që e përkrahin. Ama e ka ndarë mendjen të mos e heqë flamurin e përqeshur nga ballkoni i saj. Burri asaj nuk i kishte çuar duart prej tij. Pse të dorëzohej ajo?

Komentet
Top