Toyota RAV4 Hybrid, një veturë me potencial të plotë – VIDEO

hybridtoyota.jpg

Deri në vitin 2020 Toyota planifikon që 50 për qind të modeleve të saj të lëvizin me teknologjinë hibrid. Kjo do thotë se do të ketë zgjerim të modeleve, përveç atyre të tanishëm si Prius, Yaris dhe Auris. Dhe për modelin e radhës është zgjedhur RAV4 dhe kjo nuk është e rastësishme, pasi ky model që nga viti 1994 kur është prezantuar, është shndërruar në një veturë shumë të popullarizuar. Gjatë këtyre viteve, RAV4 ka ndryshuar, është përshtatur me nevojat e tregut por në një farë mënyre edhe ka diktuar trendët e rinj. Deri më tani, në rangun global, janë shitur tetë milionë Toyota RAV4, ku 90 për qind e tyre janë shitur në Evropë, prandaj është e qartë se RAV4 është plotësisht i aftë për të qenë promovues i teknologjisë hibride gjithnjë e më të popullarizuar.

Pamja e jashtme

Ndryshimet vizuale të pamjes së jashtme nuk janë drastike, ndërsa vërehen vetëm gjatë krahasimit direkt me modelin paraprak. Pjesa e përparme ka fituar mbrojtës të rinj dhe grup më modern të dritave, ndërsa qëllimi i dizajnerëve ka qenë që vetura të duket më ngritur, me çka do të potencohej më shumë karakteri i tij SUV. Dhe sipas mendimit tim, kjo është arritur me sukses me përdorimin e vijave vertikale si dhe integrimin e dritave të ditës LED në maje të grupit të dritave të përparme. Pra pamja e përparme tani duket më e fuqishme dhe më dinamike. Ka fellne të bukura nga alumini 17 inç, -pasqyrë me nxehëse që palohet në mënyrë elektronike.

Interieri

Edhe brendia ka ndryshuar por jo në masë të madhe. Ato baziket kanë mbetur të pandryshuara, por ka përmirësime siç janë sipërfaqet më të buta të materialeve të përdorura nga lëkura Napa, ndërsa është larguar ora e njohur digjitale e cila me vite ka qenë shenjë mbrojtëse e jo vetëm këtij modeli të Toyota-s. Ndoshta ajo është e tepërt tek modelet bashkëkohore, duke marrë parasysh se tani gjithnjë e më shumë po përdoren ekranet e ndjeshëm në prekje. Ulëset janë sportive, timonin me mundësi të rregullimit në të gjitha mënyrat, posedon ekranin e ndjeshëm në prekje Toyota Touch2 me dimension 7 inç, ekrani multi informativ për shoferin me dimension 4.2 inç, Bluetooth, AUX, USB, e shumëçka tjetër.

Siguria

Edhe në aspektin e sigurisë i është kushtuar vëmendje e madhe. Përveç sistemit ABS, kemi edhe sistemin e ndihmës në frenim, distribuim elektronik të frenimit, sistemin e kontrollit anti-rrëshqitës, kontroll të stabilitetit të automjetit, sistemin e frenimit frenimit automatik në raste të rrezikut për aksident me këmbësor, sistemin e shmangies së kalimit nga korsia e rrugës, e shumëçka tjetër. Posedon edhe kamerën për ndihmë gjatë parkimit, senzora parkimi para dhe prapa, sistemin e kontrollit gjatë zbritjes në tatëpjeta, njohja dhe paraqitje grafike e shenjave të komunikacionit, ku me këtë të fundit ju mund ta fiksoni shpejtësinë me të cilën dëshironi të udhëtoni, pra me tempomat, mirëpo, në momentin që para jush paraqitet një automjet i cili zhvillon shpejtësinë më të vogël se sa që ju e keni fiksuar, atëherë vetura në mënyrë automatike e zvogëlon shpejtësinë për të shmangur përplasjen, ndërsa në momentin që vetura para nesh e rrit shpejtësinë, edhe vetura juaj fillin ta rris shpejtësinë deri në shpejtësinë që keni caktuar.

Motorët

Modelin të cilin jemi duke e testuar është versioni Executive Hibrid me sistemin e tërheqjes me katër rrota dhe posedon motorin 2.5 litërsh VVT-i HSD i cili në kombinim me elektromotorin, ka një forcë prej 197 kuaj fuqive. Vjen me marsh manual apo automatik Shpejtësia maksimale është e kufizuar në 180 km/h, derisa përshpejtimin nga 0 në 100 km/h, e arrin për vetëm 8.7 sekonda, çka është rezultat mahnitës, duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një veturë që peshon rreth 2000 kilogramë. Edhe harxhimet janë tejet të ulëta dhe ato sillen në rreth 7.6 litra për 100 kilometra të kaluara. Sa i përket çmimit, ato fillojnë nga 34.690 euro, ndërsa çmimi i modelit të testuar, që k ka pakon Executive, është 40.200 euro. Mirëpo, momentalisht është fushata nga Toyota, e cila ofron eko subvencionin në vlerë rreth 6 mijë euro, prandaj çmimi tani është 34.900 euro. Për të gjithë të interesuarit, ekziston edhe mundësia e kreditimit përmes Reiffaisen Leasing deri në 80 për qind të vlerës së veturës, çka është një mundësi e mirë.

Përshtypja e vozitjes

Është vështirë të tregosh të gjitha përshtypjet që më ka lënë Toyota RAV4 Hibrid. Motori hibrid është një përparësi e madhe për vozitje në qytet, ku shumica prej nesh kalon mbi 80 për qind të vozitjes, ndërsa emetimi i ulët i gazrave, e bën një veturë shumë ideale për mbrojtjen e ambientit. Po ashtu, duhet përmendur edhe aspektet e shumta të sigurisë që janë integruar në të, është shumë i qetë gjatë vozitjes, tejet i manovrueshëm pa marrë parasysh gjendjen e rrugës, pra si në asfalt, rrugë të pashtruar apo gjatë ngjitjes në tatëpjetëza të mëdha. Kur dëshironi të vozisni më shpejt dhe në mënyrë më sportive, atëherë Toyota Raw4 padyshim se ka forcën e mjaftueshme për t’ua mundësuar këtë.

Komentet
Top