Tregu i votës së lirë

0-151.jpg

Rastësisht u përputhën dy festa, në të njëjtën kohë, në sheshin “Zahir Pajaziti”, të cilat po festoheshin me të njëjtin flamur. Tifozët “kuq e zi” dhe Lëvizja e dikurshme “Vetëvendosje” e shndërruar së fundmi në parti, po festonin fitoren e futbollistëve shqiptarë në Izrael, në një ndeshje të cilën mediat e atjeshme e quajtën turpërimin më të madh të shekullit, për futbollin e tyre. Po festonin edhe promovimin e “Vetvendosjes” si partisë më të fuqishme politike në vend, pavarësisht se koalicioni PAN, kishte arritur të marr pak më shumë vota, por larg asaj që po shpresonte.

Pak kush e ka pritur një fitore aq të thellë, në teren të huaj, por ekipi i udhëhequr nga rilindësi i fundit shqiptar, De Biasi, e “shëmbi” për toke kundërshtarin, i cili pak është të thuhet se e kishte humbur rrugën në oborrin e vet.

Ngjashëm, i hutuar, po dukej edhe koalicioni i madh, i paralajmëruar si fitues i sigurt i zgjedhjeve nacionale 2017, me vet faktin se u bashkuan në një koalicion ata të cilët deri dje ishin të ndarë, të armiqësuar gati, edhe pse me gjasë as vet nuk i dinin arsyet, përpos akuzave reciproke për mos durim personal të liderëve dhe regjioneve. Pra, edhe koalicioni i madh , dukej se e kishte humbur rrugën në shesh.

Edhe “Vetëvendosja” përkundër paralajmërimeve nga monitoruesit nga radhët e OJQ-ve të cilat, tradicionalisht, veç pak dit përpara zgjedhjeve hidhen në veprim, fitoi furishëm në Ferizaj, Kaçanik, Gjilan, Prishtinë e shumë lokalitete ku së paku sipas medias, konsideroheshin si bastione të tjerëve.

Festa me flamuj kuq e zi ishin pra e përbashkëta e këtyre dy fitoreve, që po festoheshin në sheshin “Zahir Pajaziti”, ndërkohë që humbja në Shkodër u kalua pa vërejtur. Ndoshta për herë të parë pas lufte, flamuri kuq e zi, me shqiponjë fitoi legjitimitet dhe nuk u kontestua nga politika, e cila mendonte se nuk ka vija të kuqe, se mund të mohohej çdo gjë përfshi edhe identitetin, për përfitime politike.

Pra, e vetmja befasi e kësaj të diele që iku, ishte fitorja e thellë e përfaqësueses shqiptare në Izrael. Në politikë, nuk kishte befasi. Nevoja për ndryshime ka kohë që ishte artikuluar dhe po shtyhej për më vonë vetëm me lojëra numrash, në parlament, dhe me institucionet e tjera kushtetuese. Politika u shndërrua në matematikë të thjeshtë, pa parime dhe pa identitet. Vija e kuqe, përtej së cilës vështirë se mund të shkohet, pa e mohuar vetveten, u vendos pra gjatë legjislacionit të kaluar, me një sakrificë të qytetarëve dhe opozitës.

Kur jemi te befasia, nuk ishte aspak befasi humbja e kombëtares së Kosovës nga Turqia e cila ishte e pritur duke pasur parasysh shumë faktorë. Sidomos duke pasur parasysh historinë.

Pa keqkuptime, këtu po flas për historinë e futbollit, dhe të ndeshjeve ndërmjet dy ekipeve tona. Nuk po mendoja aspak për vargun e pafund të sulltanëve, të dikurshëm apo të tashëm, modern që janë implikuar në jetën tonë. Nuk po mendoja as për (krye)vezirët e shumtë shqiptarë të perandorisë, për shkak të numrit të madh të cilëve, shpeshherë të tjerëve u dukemi si bashkësundues në perandorinë e madhe, e madje edhe bashkëfajtorë nëpër librat e historisë së fqinjëve tonë, mbi të cilin “faj” ata edhe e mbështesin idenë e tyre të lirisë dhe hakmarrjes.

Pra, humbëm nga (ar)miqtë tonë shekullor, prej të cilëve jemi mësuar të humbim. Pas këtyre zgjedhjeve, dhe përvojës së krijuar, pas thyerjes së egos sportive, kjo do të reflektohet edhe në politikë dhe jetën shoqërore. Kjo i “legjitimon” dhe i bënë normale, edhe faturat e fryra të KEDS-it , korrupsionin, apo ndjenjën e keqe kur në aeroportin e Prishtinës ndihesh si i huaj. Kështu ndihen me gjasë komunitetet me probleme identiteti dhe me elita të korruptuara.

Kështu, duke pasur parasysh politikat e deritashme, vëllazërore, të elitave politike, është vështirë të thuhet se kush ishte mysafir e kush nikoqir, në stadiumin e bukur në Shkodër. Sido që të ketë qenë, kjo lojë u hesht.

Sido që të jetë, as matematika zgjedhore nuk ishte befasi. Në njëfarë mënyre të gjithë dukeshin të gëzuar. Edhe “Vetvendosje” e cila po festonte në sheshin “Zahir Pajaziti” , edhe PDK-ja e cila nga mesnata e tutje festoi në sheshin “Skendërbeu”, duke djegur qiellin me fishekzjarre, edhe LDK-ja e cila sipas disa komentuesve të facebook-ut festoi në gjirin familjar, të gjithë e deklaruan fitoren.

“të gjithë kemi fituar-tha lideri i PAN, edhe pozita edhe opozita”. Ndërkohë, LDK-ja edhe pse nuk festoi në sheshin “Nëna Terezë” ku pritej të festonte sipas frymës që përfaqëson, apo në Sheshin “Ibrahim Rugova”, nuk festoi, edhe pse u deklarua se nuk ndihet humbësja më e madhe. Madje, me deklarimet e veta, lë të kuptohet se nga ajo varet formimi i qeverisë.

Këtu, të dashur lexues, prapë hyn në punë historia, sidomos ajo më e re, kur besimi në mes palëve është në minimum. Të gjithë urojnë që LDK të mos deklarojë se me cilën parti në asnjë mënyrë nuk do të hyj në koalicion pas-zgjedhorë!

Mundësitë për kombinime, rreth formimit të qeverisë së ardhshme pra, kanë mbetur të gjitha të hapura. Tregtarët me votë, menjëherë pas orës njëzet e katër, janë bërë të gjallë, në tregun e votës së lirë, apo tregun e lirë të votës. Tregu, si gjithçka në vend, është informal, por tolerohet nga faktori ndërkombëtarë dhe qytetarët. Epo, industri nuk kemi! Nejse, tregu po i formon pakot e ofertave.

Pakot duket se janë individuale, grupore dhe kolektive. Loja shpërblyese ku fitohen banesa, xhipa, dhe benefite tjera në formë postesh dhe punësimesh, përfshihen në pako. Tash,ata që janë në tezgë e dinë se për të ngritur çmimin, fillimisht duhet thënë “JO”. Prokurorët, të kërcënuar nga ndryshimet e mundshme, ja kanë futur gjumit, për të pasur alibi se nuk kanë parë as dëgjuar asgjë. Diplomatët, nga Olimpi, szgjerojnë të mos përsëritet hera e kaluar. “Formojeni qeverinë shpejt”- thonë ata.

Analistët e (pa)varur, gazetarët (jo)profesionist , të cilët aderuan me bujë, nëse megjithatë kanë marrë votat e nevojshme vështirë se do të rrinë brenda shabllonit, sepse çmimi i mirë e kthen ujin përpjetë në politikën dhe mediat e (pa)varura kosovare. Nëse nuk kanë marrë votat e nevojshme,për deputet, shumë shpejt do të kthehen, sërish të pavarur nëpër mediat e (pa)varura dhe do të bëjnë pazare. Kur jemi te pazaret, dihet kush i ka edhe paratë. Paratë e tona, në xhepat e tyre. Do të na blejnë me paratë tona, nëse nuk hasin në vija të kuqe….!

Nga Fadil Lepaja

Komentet
Top