Trump pret Erdogan: Mbështetje në luftën kundër terrorizmit

0-27.jpg

Presidenti Donald Trump priti të martën në Shtëpinë e Bardhë Presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan, një javë pas zemërimit që ngjalli në Turqi vendimi i tij për të autorizuar armatimin e kurdëve të Sirisë.

Trump tha para takimit se bisedimet në lidhje me marrëdhëniet midis dy vendeve do të ishin të gjata dhe të vështira.

“Ne kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer dhe do ta bëjmë edhe më të mirë. Do të kemi një diskutim shumë, shumë të fortë dhe të shëndoshë, “tha ai.

Shtetet e Bashkuara e shohin forcën kurde YPG, si një pjesë kyçe në luftën kundër Shtetit Islamik dhe në përpjekjet për të çrrënjosur militantët nga kryeqyteti i tyre de facto në Siri, Raka.

Turqia i konsideron terroristë luftëtarët e YPG, për shkak të lidhjeve të tyre me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, ose PKK, që vazhdon prej tre dekadash kryengritjen brenda Turqisë.

Erdogan e quajti vendimin e SHBA për të armatosur YPG-në “në kundërshtim me marrëdhëniet strategjike me Turqinë.”

Ai i përsëriti shqetësimet e tij të martën, duke u thënë gazetarëve se Turqia kurrë nuk do të pranojë përdorimin e luftëtarëve të YPG-së në betejën kundër ISIS-it.

Megjithatë, zoti Erdogan tha javën e kaluar se e shihte vizitën e tij në Uashington si “një fillim i ri në marrëdhëniet turko-amerikane”.

Ai tha se bashkëpunimi SHBA-Turqi është “shumë i rëndësishëm për botën” dhe u zotua të zgjerojë lidhjet ekonomike dhe ushtarake midis dy vendeve. “Në të ardhmen e rajonit tonë nuk ka vend për organizatat terroriste,” tha ai.

Komentet
Top