Turizmi shqiptar, dështim spektakolar

be1e4efc4_o.jpg

Turizmi është cilësuar si sektori që mund të shpëtojë ekonominë shqiptare. Më 362 km vijë bregdetare dhe me plazhet që cilësohen si konkuruese të forta të Greqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, vendi ynë duhet të ishte në krye të listës për turistët e huaj në rajon. Reklama në mediat e huaja për plazhet shqiptare nuk kanë munguar. Po ashtu nuk kanë munguar dhe promovimet e qeverisë në çdo aktivitet ndërkombëtar. Në të vertetë ka një ndryshim të madh mes asaj që institucionet paraqesin në panaire dhe asaj ç’ka gjen një turist i huaj apo edhe vet një qytetar shqiptar kur viziton nga afër zonat turistike. Këtu nuk flitet më për kushte apo luks, por për gjerat minimale. Nuk flasim për dy ose tre hotele turistike. E kemi fjalën për turizmin në përgjithësi, ku mungon energjia elektrike, uji, ku rendi publik nuk bën dot zap “garipat”, të cilët e ngrejnë zërin e muzikës sipas ritmi të dopiove të pijeve alkolike.

Dje në Golem dhe në Qarkun e Vlorës parti ndërprerje të energjisë për disa orë. Në pikun e sezonit turistik është e kuptueshme që mund të ketë edhe defekte, por ajo që nuk kuptohet është se si mund të lihen zona turistike për ditë me radhë pa energji, ose me tension të ulët apo shumë të lartë duke shkatërruar të gjithë pajisjet elektrike. Në Theth banorët tregojnë se kanë mbi 20 ditë pa drita. Në Jalë, Himarë dhe Dhërmi, zonat me çmimet me të shtrenjta për shërbimet turistike pjesa kryesore e hoteleve punojnë jo me energji, por me gjeneratorë. Në vitet e para të zhvillimit gjë ishte pothuaj normale, por sot në vitin 2017 ngjan jo vetëm jashtë kohe, por edhe një tallje me turistët dhe pushuesit që zgjedhin të shkojnë në këto zona. Për ujin është e kotë të flasësh. Ka disa javë që mungesa e ujit po ndihet në Tiranë dhe në zonat urbane. Në zonat turistike nëse vjen ndonjë orë në ditë quhet sukses. Ndërkohë që ka zona turistike ku me një plan të detajuar investimesh nga qeveria duhej të kishte shpime dhe gjetje të rezervave të ujit. Por nuk ka plane, nuk ka investime.

Problemi tjetër është infrastruktura. Përveç disa rrugëve dytësore që u bën gjatë viteve të kaluara, në 5 vitet e fundit nuk ka asnjë investim serioz në zonat bregdetare. I vetmi projekt që zgjati 4 vjet ishte ai i Lungomares në Vlorë, një investime që shmangu trafikun në qytet, por e la po aq në gjendje të keqe gjithë rrugën deri në Himarë. Ky është vetëm një rast në një prej qarqeve ku numri i pushuesve shtohet çdo vit dhe të vetmet investime që janë bërë përfshijnë mbushjen e gropave dhe jo shtrimin apo zgjerimin e rrugëve. Kushti kryesor i zhvillimit të turizmit është infrastruktura. Në momentin kur nuk ka as rrugë, është e kotë të flitet për projekte dhe investime të tjera. Kryeministri Edi Rama premtoi ndërtimin e dy aeroporteve të reja në vend. Sigurisht që këto aeroporte do të jenë një ndihmesë e madhe për thithjen e turistëve të huaj, por para se të sjellim turistët nga vendet e tjera, duhet të jenë rregulluar rrugët dhe zonat turistike me kushtet minimale të infrastrukturës.

Ndërsa këto vite flitet se janë bërë shumë hapa para në turizëm, por shërbimi dhe kushtet rezultojnë të njëjtat si disa viteve. Dje në Durrës mediat raportuan për gati një epidemi turbekulozi që rrezikon banorët. Kush do të guxonte të shkonte për plazh në një qytet ku flitet për një sëmundje të rrezikshme? Bashkitë që kanë detyrë për pastrimin e plazheve dhe dezifketimin e gjithë zonave, këtë vit, të zënë siç duket dhe me fushatën elektorale harruan se kanë detyrë të kujdesen për higjienën e plazheve. Në Durrës, në Fier dhe në Vlorë vetëm këtë javë bashkitë e panë të udhës të vendosnin koshat e mbeturinave në plazhet publike.

Në të vertetë nuk janë vetëm institucionet ato që e bëjnë turizmin në Shqipëri të jetë thuajse i dështuar. Pjesën e fajit e kanë vetë bizneset dhe operatorët turistik në vend. Edhe në vitin 2017, pas shumë vitesh kur duhet të ishte krijuar një traditë turizmi, hotelet vazhdojnë të jenë pak profesionalë dhe shumë abuzues me çmimet. Në plazhet e Shqipërisë pushimet me mungesë rrugëve, dritave, pisllëku, rreziku i sëmundjeve dhe gjithë të tjerat “shiten” me të njëjtin çmim të kripur si të jenë resorte me pesë yje. Sigurisht që ka operator që bëjnë përjashtime dhe po kuptojnë rëndësinë e shërbimeve korrekte, por pakica nuk e ndryshon dot imazhin e keq që lë shumica e bizneseve turistike.

Ndërkohë, institucionet pretendojnë se janë bërë investime. Kryeministri Edi Rama çdo ditë poston video dhe foto nga bukuritë natyrore shqiptare. Nuk e mohon njeri që kemi vende të bukura, problemi është se shërbimet që ofrohen në këto vende kanë shumë pak lidhje me turizmin.

Për këtë arsye shqiptarët zgjedhin të shkojnë disa kilometra më tej, në vendet fqinj. Dje në Muriqan, kufiri mes Shqipërisë dhe Malit të Zi radha e makinave ishte disa kilometra. Nuk ishin turistë që vinin në Shqipëri. Ishin shqiptarë që kishin zgjedhur të ikin në Mal të Zi. Siç duket shërbimet në bregdetin shqiptar nuk u ofrojnë asnjë që ti bëjë të rrijnë në Shqipëri.

Turizmi duhet parë si industri e madhe zhvillimi për vendin, ndaj kërkon projekte, kërkon strategji dhe investime nga qeveria.

Pa ujë, pa drita dhe me muzikë tmerrsisht të lartë si në vendet afrikane, nuk të vjen njeri.

Komentet
Top