Turqia planifikon të dërgojë ushtarë të saj në Katar

Ushtria-turke-1213123-750x430.jpg

Qeveria turke në Parlamentin e Ankarasë ka parashtruar propozim për miratimin e ligjit me procedurë urgjente, me të cilën do t’i mundësohet Armatës së Turqisë të dërgojë ushtarë të saj në Katar. Me ligjin, krahas stacionimit të ushtarëve turq në një bazë të territorit të Katarit, parashikohet edhe bashkëpunimi mes Turqisë dhe Katarit në sferën e mbrojtjes.

Vendimi i këtillë i Ankarasë në mediat perëndimore vlerësohet si mbështetje për Katarin, i cili para dy ditësh u gjend nën izolim diplomatik dhe ekonomik nga ana e më shumë vendeve arabe, të cilat e akuzuan Dohën për mbështetje të terrorizmit dhe për financim të grupeve ekstreme islamike. Katari nga ana e tij i hodhi poshtë akuzat e këtilla dhe paralajmëroi gatishmëri për tejkalim të krizës përmes dialogut.

Në vendimin e vendeve arabe, të kryesuara nga Arabia Saudite dhe Egjipti, reagoi presidenti turk Rexhep Taip Erdogan, i cili vlerësoi se izolimi i Katarit nuk do t’i zgjidh problemet dhe paralajmëroi se Ankaraja do të bëjë gjithçka që është në mundësi të saj të ndërmjetësojë në tejkalimin e krizës. Turqia ka marrëdhënie të mira me Katarin, ndërsa dy vendet e mbështesin lëvizjen Vëllazëria myslimane në Egjipt, si dhe grupet kryengritëse siriane.

Komentet
Top